e diel, 10 tetor 2010

Mishel Obama femra me e "forte" ne bote!

Mishel Obama është shpallur gruaja më e pushtetshme e botës, me një pushtet më të madh se sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, Kancelarja gjermane, Merkel, dhe e famshmja e televizionit amerikan, Oprah Winfrey. 


Ndërsa për sa i përket një tjetër gruaje shumë të fuqishme, monarkes së Anglisë, Elisabeta II, ajo nuk ia doli as të përfshihej në krye të listës së dhjetë grave më të fuqishme.


Bëhet fjalë për listën që çdo vit harton revista amerikane “Forbes”. Një vit më parë, Obama doli në krye të klasifikimit të kësaj liste, por ka mjaftuar vetëm një vit që ajo të zërë kreun e klasifikimit.
Lista është publikuar dje nga revista e famshme. Dhe bëhet fjalë për një ndryshim shumë të madh nga vendi i 40-të në të cilin ishte renditur një vit më parë në vendin e parë këtë vit. Ndërkohë, Hilari Klinton ka pësuar gjithashtu një rritje në këtë listë. Sipas “Forbes’, indeksi i këtij viti ka pasur parasysh një përllogaritje sipas të cilës pasuria ka pasur një vlerë më të vogël krahasuar me kreativitetin, iniciativën dhe ndikimin real njerëzor që kanë kandidatet në botë. 
“Klinton ka qenë në fokus të vëmendjes mediatike thuajse përgjatë gjithë këtij viti për punën e saj në Lindjen e Mesme kryesisht. Ajo është përfshirë jo pak edhe në dialogun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Rusinë në lidhje me pakësimin e arsenalit bërthamor, si dhe është marrë me traktatin turko-armen. Një nga hartuesit e listës shpjegon se ndërsa shkalla e pasurisë vazhdon që të mbetet një koeficient shumë i rëndësishëm  në përllogaritjen e fuqisë së një kandidateje, këtë vit formulimi dhe renditja e listës anon më shumë nga vëmendja mediatike që kandidatet kanë pasur, si dhe nga ndikimi social. Kjo do të thotë se në të ardhmen listat do të jenë shumë më ndryshe se ato të së shkuarës të bazuara kryesisht në pasuritë personale të kandidateve dhe në një masë shumë të vogël në personalitetin dhe ndikimin e tyre në shoqëri dhe ambientin ku kontribuojnë. Pra nuk do të jetë çudi që dikush krejtësisht e panjohur këtë vit, një vit më pas të zërë një vend shumë të rëndësishëm në listë. “Nga njëra anë nëse dikush si Mishel Obama, e cila ka qenë për disa herë rresht avokate e disa legjislacioneve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tërheq vëmendje dhe ka ndikim në ndryshimin e shoqërisë për mirë, atëherë ky është një kusht i rëndësishëm që një person i tillë të dalë në krye të listës”, thotë një nga hartueset e kësaj kategorie.
Mbretëresha Elisabetë II duke pasur parasysh një kriter të tillë të të vlerësuarit të kandidateve këtë vit zë një vend shumë të ulët në listë, atë të 41-të çka krahasuar me emra të tillë si Lady Gaga apo këngëtarja tjetër, Beyonce Knowles, që respektivisht zënë vendin e 7-të dhe të 9-të, është vërtetë një vend i një personi që ka një ndikim gjithnjë e më të vogël dhe të parëndësishëm në botën ku bën pjesë dhe se atë ndikim e ka kryesisht falë pasurisë së madhe personale. Një tjetër grua që vazhdon edhe këtë vit të zërë majat e listës është Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që renditet e 4-ta. Sipas hartuesve të listës, pozicioni i saj relativisht i ulët justifikohet me faktin se ajo ka pasur një vit “të qetë”. Kjo listë hartohet çdo vit nga revista e famshme amerikane si pjesë e një sërë listash të tjera të cilat kanë synim që të matin ndikimin e njerëzve apo fenomeneve të caktuara në shoqërinë tonë. Kjo revistë publikon gjithashtu edhe një listë të miliarderëve më të mëdhenj në botë, si dhe një listë të VIP-ve të famshëm dhe të pushtetshëm. Gratë amerikane kanë dominuar në fakt 10 vendet e para të listës me Merkelin që është europiania më e kuotuar e listës. Më pas në këtë klasifikim vijnë edhe europiane të tjera si Zonja e Parë e Francës, Karla Bruni, e cila zë vendin e 35-të, ndërkohë që 4 vende pas saj vjen modelja e famshme gjermane, Heidi Klum. Sipas njërës prej hartueseve kryesore të listës së këtij viti, gratë e listës janë gjithnjë e më tepër persona që po ndikojnë në ndryshimin e realiteteve në të cilat ndodhen duke u shndërruar në katalizatore dinamike të modeleve të reja. Ato kanë ndërtuar kompani dhe firma dhe shpeshherë e kanë bërë një gjë të tillë edhe përmes mjeteve jotradicionale duke thyer dhe rrëzuar kështu barrierat gjinore në fusha tradicionalisht mashkullore si tregtia, politika, sporti dhe media e kultura. Në këtë mënyrë, veprimet e tyre kanë ndikuar në jetën e miliona personave, e ndonjëherë edhe miliardave.
shko