e premte, 10 dhjetor 2010

Assange, njeriu që përqanë planetin

Ai mund të jetë ndoshta, për revistën “Time”, në krye të listës së kandidatëve për t’u cilësuar “Njeriu i vitit”, por një pjesë e amerikanëve e konsiderojnë themeluesin e “Wikileaks” si “kriminel” dhe “terrorist”. Që nga publikimi i materialeve diplomatike, Julian, që ndodhet në një burg të Londrës, po përballet me një betejë në shumë fronte. 
Sot më shumë se kurrë, Assange ka nevojë për mbrojtje ligjore ndaj akuzave që i janë bërë dhe atyre që ndoshta po përgatitet që t’i bëhen, edhe pse bëhet fjalë për akuza të natyrave të ndryshme.


Të martën ai u arrestua nga policia britanike, pas një flete arresti europiane, të lëshuar nga prokurorët suedezë. Sipas autoriteteve suedeze, ai akuzohet për marrëdhënie seksuale të pambrojtura me dy vajza suedeze, me të cilat ai pati një marrëdhënie fizike shumë të shkurtër pak muaj më parë. Duke filluar që nga java e kaluar, nuk pati më asnjë dyshim se autoritetet suedeze ishin të vendosura që të kapnin me çdo kusht 39-vjeçarin që ndodhej në Londër. Interpoli lëshoi një “Njoftim të kuq” për Assange. Por, si çdo gjë tjetër që ka të bëjë me themeluesin e “Wikileaks”, edhe rasti i akuzave ndaj tij, që janë personale, është shndërruar në një çështje politike. Njeriu që ka tronditur kancelaritë diplomatike të të gjithë botës me publikimin e materialeve të fundit në sajtin që ai ka themeluar dhe drejton, u shndërrua edhe në të kërkuarin dhe në armikun numër një të amerikanëve, pasi i tregoi botës shumë sekrete të diplomacisë së Departamentit të Shtetit.

“Assange duhet vrarë!”

Reagimi i Washingtonit në lidhje me materialet e Irakut dhe të Afganistanit ishte relativisht i qetë, ndërsa toni tani, pas publikimit të materialeve diplomatike, ka ndryshuar. 
Tom Flanagan, një profesor i Universitetit të Clgarit dhe ish-këshilltar i Kryeministrit aktual kanadez, bëri një sugjerim edhe më radikal. Ai, në televizionin kanadez, tha se nuk do të ndihej i palumtur nëse Assange do të zhdukej. Më pas, ai kërkoi falje për një koment të tillë.

Fillimi i info-luftës

Që nga ai moment, ‘Amazon’ dhe vetë Lieberman kanë qenë nën një sulm të ashpër. Daniel Ellsberg, i famshmi i “Pentagon Papers”, që nxori në dritë sekretet e ndyra të amerikanëve në luftën e  Vietnamit 30 vjet më parë, deklaroi: ”Jam i neveritur nga servilizmi dhe burracakëria e ‘Amazon’”. Të premten, John Perry Barlow, një ish-hipi dhe themelues i grupit të lirive civile, Fondacioni i Kufirit Elektronik, iu drejtua aktivistëve të internetit me mesazhin e mëposhtëm në ‘Twitter’: “Sapo ka nisur lufta më e madhe e informacionit. Fusha e betejës është ‘Wikileaks’. Ju jeni trupat”.
Beteja për internetin
Beteja dixhitale ka nisur me ‘Wikileaks’. Konservatorë amerikanë si Marc Thiessen, që ka qenë fjalimshkrues për ish-Presidentin Bush, kanë bërë thirrje për sulme ndaj ‘Wikileaks’ që pas publikimit të materialeve për Irakun dhe Afganistanin. Beteja për praninë virtuale të organizatës ka potencialin që të përhapet dhe të shndërrohet në një luftë të vërtetë rrjetesh.
Sipas Assange, rasti i tij tregon se sa të lidhura janë bizneset e mëdha me politikanët e fuqishëm. Ilustrimi ishte rasti i lidhjes së senatorit të fuqishëm amerikan, Lieberman me ‘Amazon’ dhe Departamentin e Sigurisë. “Këto sulme nuk do ta ndalin misionin tonë, - deklaroi australiani në fund të javës së kaluar, - por kjo duhet që të jetë një këmbanë alarmi për zbatimin e ligjit në Shtetet e Bashkuara”.
Regjimet shtypëse
Suksesi i parë i madh i ‘Wikileaks’ ishte publikimi i një raporti  të klasifikuar si “sekret” nga një agjenci detektivësh britanikë, në lidhje me klikën e korruptuar të Presidenti kenian, Daniel Arap Moi. Assange e analizoi raportin së bashku me aktivistë dhe avokatë të të drejtave të njeriut dhe e publikoi para zgjedhjeve presidenciale në vend, në fund të vitit 2007. Arkivi i ‘Wikileaks’ përmban qindra dokumente nga vende të tilla si Kina dhe Tajlanda, ku liria e shtypit është shumë e cunguar dhe e kufizuar. Ndërkohë, materiali i parë “i fortë” kundër Amerikës ishte videoja e shfaqur e goditjeve të ushtarëve amerikanë në Irak, kundër civilëve dhe 2 gazetarëve. Nga këndvështrimi i Assange, ky përqendrim tek Amerika ka të bëjë edhe me faktin se Shtetet e Bashkuara janë e vetmja superfuqi dhe se ajo ka luftuar në dy fronte, si pasojë, edhe informacioni në lidhje me të është shumë i madh.
Në historinë botërore janë shumë të pakta e të rralla ato raste kur një individ i vetëm ka krijuar një dasi të tillë në popullsinë e planetit. I tillë është rasti i australianit flokëbardhë, Assange. Elitat globale kanë frikë tani nga ‘Wikileaks’ dhe qeveritë shtypëse si Kina dhe Rusia janë të shqetësuara për materialet që ajo mund të publikojë në lidhje me sekretet e tyre të ndyra.

Një Robin Hud i ditëve tona

Nga ana tjetër, Assange mund të varet vetëm në mbështetjen e një grupi ndjekësish ndërkombëtarë, të cilët e quajnë atë një Robin Hud të kohëve moderne, një njeri që i është kushtuar një çështjeje të mirë.
Revista amerikane, “Time” e ka kandiduar Assange si një nga të mundshmit për t’u cilësuar si ‘Njeriu i vitit’, një çmim që zakonisht i jepet një individi që ka pasur ndikimin më të madh në botë gjatë muajve të vitit. Në mbështetje të kësaj kandidature, anëtari i jurisë së çmimit, Lauren Zalaznick tha se, Assange “e ka vendosur integritetin e gazetarisë në një majë shumë të mprehtë”. “Cila është në fund të fundit përgjegjësia e një gazetari: të mbajë sekrete apo të publikojë të vërtetën? Emri i ‘Wikileaks’ ngre çështjen e medias në raport me politikën, shoqërinë dhe kulturën”, - ka deklaruar Zalaznick.
Sondazhi i internetit është ende në vazhdim për caktimin e ‘Njeriut të vitit’. Javën e kaluar, Assange ishte në vendin e  dytë, me 13 000 vota, pas Kryeministrit turk, Erdogan, por shumë më parë se themeluesi i ‘Apple’, Steve Jobs apo Presidenti amerikan, Obama. Javën e kaluar, edhe ‘Bank of America’ mësoi se sa i rëndësishëm ishe bërë Assange, kur ai deklaroi se kishte dokumente shumë komprometuese për një bankë të madhe.
Në dritën e këtij popullariteti mbarëbotëror dhe polarizimi, do të ishte ironike që Assange të mbahej i burgosur për një çështje private seksuale.
shko