e mërkurë, 15 dhjetor 2010

Përgatitet padi kundër Dick Marty

Bëhet publik raporti i Këshillit të Evropës për “trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm të organeve në Kosovë”.  Në të hidhen dyshime të rënda për UÇK-në dhe figurat kryesore të saj, që prej Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Azem Sylës e Fatmir Limajt. Për ta thuhet se mbajnë gjallë rrjete të fuqishme kriminale. Raporti pretendon se njeriu kryesor dhe krahu i djathtë i kryeministrit Thaçi, i përfshirë në shumë afera kriminale, është këshilltari i tij për shëndetësi, Shaip Muja. Disa prej të përmendurve të kontaktuar nga KTV-ja kanë hedhur poshtë raportin, duke e cilësuar shpifës. 

Raporti 30-faqësh i deputetit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është bërë publik dhe ai hedh dyshime të mëdha për UÇK-në. 
Në raportin e plotë, të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës në internet, UÇK-ja lidhet kryesisht me trafikimin e organeve të njerëzve gjatë luftës, ndërsa figurat kryesore të saj me krimin e organizuar që nga paslufta. 

Draft raporti 30-faqesh i zviceranit të njohur për qëndrime antishqiptare, Dick Marty, thekson se “UÇK-ja qëndron pas trafikimit të organeve me njerëz, veçmas ndaj civilëve të mbajtur në burgjet sekrete në Shqipëri”. 

“Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX-i zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.  

Më tej përmendet se “kjo çështje për herë të parë u përmend në librin autobiografik të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, e cila e përmend trafikimin e organëve të njerëzve në kampet e UÇK-së, veçmas në Burrel, në vendin e njohur si Shtëpia e Verdhë”.   
“Organizatat ndërkombëtare pas vendosjes në Kosovë, në përpjekje për të pasur qasje pragmatiste duke siguruar stabilitetin në vend e rajon, sakrifikuan disa parime të drejtësisë. Ushtarët dhe UÇK-ja u amnistuan për krimet kundër civilëve”,  shkruan raporti.

Juristi Dick Marty pretendon se “pas luftës u zhdukën shumë dëshmi e dokumente, ndërsa dëshimtarët janë frikësuar. EULEX-i e gjeti situatën shumë të palakmueshme“  
Raporti hedh dyshime të rënda për përfshirjen e ish-kreut kryesor të UÇK-së dhe kryeministrit aktual, Hashim Thaçi, që e ndërlidh atë me krimin e organizuar. 

Në të përmendet, lidhja e Thaçit me grupin e Drenicës, që, sipas raportit, udhëheqin krimin e organizuar në rajon. “Ish-ushtarët e UÇK-së zhvilluan struktura të tjera të intelegjencës pas luftës, duke u përpjekur ta fusin suksesshëm si strukturë legale dhe pjesë e sistemit”. 

“Disa anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’ na janë dhënë indikacione gjatë hulumtimit se kanë luajtur rol vital si bashkë-konspiratorë në aktivitete të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj. Të gjithë këta janë hetuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit si të dyshuar për krime lufte dhe ndërmarrje të përbashkëta kriminale, duke përfshirë raste të mëdha të udhëhequra nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, dhe EULEX-i. Deri më sot, të gjithë i kanë ikur drejtësisë”, shkruan mes tjerash Marty. 

Ndërsa përmendet i rëndësishëm roli i këshilltarit të kryeministrit për shëndetësi, Shapi Muja, i cili thuhet se gjatë dhe pas luftës është njëri prej aktorëve kyç dhe me ndikim në punën e autoriteteve në Kosovë. 
“Dr. Shaip Muja” siç njihet në Kosovë, shkruan në raport, është i përfshirë shumë në sektorin e shëndetësisë, ku thuhet se ka shumë dëshmi se ai është i përfshirë gjatë një dekade në rrjetet ndërkombëtare të trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar.  

Më tej thuhet se Thaçi përfitoi një mbështetje të fortë politike e diplomatike të SHBA-së dhe fuqive perëndimore, si partner i zakonshëm në projektet për Kosovën.  

KTV-ja ka kontaktuar disa prej të sipërpërmendura, të cilët kanë hedhur poshtë pohimet e raportit, duke thënë se “janë shpifje dhe nuk duan të merren me to”. 
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, i ka thënë KTV-së nëpërmjet telefonit se nuk dëshiron ta komentojë dhe asgjë nuk ka të bëjë me të. 

Edhe këshilltari për shëndetësië i kryeministrit, Shaip Muja, ka thënë se ato janë shpifje. Ai ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Dick Martyt dhe të disa gazetave botërore, duke thënë se tashmë ka nisur proceduart e konsultimeve me disa avokatë në vende të ndryshme të BE-së. 
Raporti i Martyt diskutohet të enjten në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe aty bëhet thirrjet që si i tillë të miratohet dhe i kërkon Bashkimit Evropian të marrë seriozisht gjetjet e tij. 

Gjatë ditës, media të fuqishme ndërkombëtare, si BBC, The Guardian etj., kanë bërë kronika lidhur me raportin.
shko