e hënë, 31 janar 2011

Kush është zëdhënësi i ri i Obamës

Jay Carney


“Ajo e zëdhënësit të Presidentit është një punë shumë e vështirë. Duhet t’i shërbesh mirë shefit tënd, të kënaqësh gjithë aparatin e funksionimit të Shtëpisë së Bardhë dhe të administratës. Për më tepër duhet të punosh mirë me shtypin. Unë nuk di ta bëj”. 



Tani Jay Carney duhet t’i tërheqë pas të gjitha ato fjalë që ka thënë katër vjet më parë e të mësojë mirë të bëjë zanatin e tij të vështirë. Pasi u eliminuan të gjithë kandidatët e brendshëm pretendentë për këtë post, shefi i ri i kabinetit William Daley, zgjodhi pikërisht atë, kreun aktual të komunikimit të zëvendëspresidentit Joe Biden, si njeriun e ri imazh të Obamës përpara shtypit. Një shkëmbim që pritet të shkaktojë një ndryshim total të stilit të komunikimit në Shtëpinë e Bardhë. Dihet që Gibbs është një bashkëpunëtor i vjetër i Obamës. 


Kanë punuar bashkë që kur lideri demokrat ishte senator në Parlamentin e Illinoisit. Është një ekspert komunikimi, një njeri fushatash elektorale. Por nuk ka ndonjë simpati të madhe për gazetarët dhe përgjigjet precize. Si njeri i politikës preferon ata që hyjnë pa kushte në betejën politike të momentit. Gibbs do të vazhdojë të punojë nga Çikagoja për Obamën, por roli i tij ende nuk është përcaktuar. Ndërkohë, do të luajë rolin e konferencierit me pagesë. 


Mendohej se ai që do ta pasonte do të ishte zëvendësi i tij, Bill Burton, por Daley një pragmatist i thekur i vendosur t’i japë presidencës “Obama” një imazh më centrist, zgjodhi një tjetër. Pasi ekzaminoi me kujdes kandidatë të ndryshëm, zgjodhi 46-vjeçarin Carney, një njeri që ndryshe nga Gibbs dhe skuadra e vjetër e Shtëpisë së Bardhë nuk ka asnjë konfidencë me Obamën. 


Presidenti Obama tha se gjatë gjashtë viteve të fundit, zoti Gibbs ka qenë mik i ngushtë, një nga këshilltarët e tij më të afërt, dhe një mbrojtës efikas në shtyp rreth punës së administratës. Ai tha se ndryshimi sjell disa sfida dhe mundësi për Shtëpinë e Bardhë, por nuk e ndryshon rolin e rëndësishëm që zoti Gibbs do të vazhdojë të luajë për Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, Gibbs tha se do të punojë në fushatën për rizgjedhjen e Barak Obamës, në vitin 2012, dhe se do të vazhdojë ta këshillojë Presidentin, por jashtë Shtëpisë së Bardhë. 


 Sfida e parë e Jay-t, një gazetar që ka punuar për më shumë se 20 vjet për revistën “Time” ku ka mbuluar detyra të ndryshme, nga korrespodentë nga Moska deri te kreu i selisë së Uashingtonit, do të jetë pikërisht ajo e të fituarit të besimit e kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe t’u tregojë gazetarëve të sallës së shtypit se është gjithmonë i azhornuar mbi gjithçka, dhe se ka akses edhe ndaj takimeve më delikate në “Situation room”. Megjithatë, ashtu si Gibbs edhe Carney mendohet se do të jetë një njeri i vështirë për t’u arritur. 


Ndoshta sepse konferenca e përditshme e shtypit në auditorin e Shtëpisë së Bardhë që i jep zëdhënësit një famë botërore, ishte bërë për Gibbs-in një kalvar i gjatë pyetjesh të bezdisshme. Zëdhënësi i Obamës e dinte shumë mirë se “hienat” e shtypit nuk do t’i linin asnjë ditë të lirë që nga dita e dytë e marrjes së detyrës nga Obama në janarin e dy viteve më parë. Dhe pyetjet kanë qenë vërtet nga më të ndryshmet: nga ato djegëse për luftën në Irak te shpëtimi i bankave, strategjinë e Presidentit në Kongres, programin bërthamor iranian dhe zemërimin e taksapaguesve apo kritikat ndaj Obamës për përdorimin e Blacberry-t të tij. Telashe mendohet se do të ketë edhe për Carney, që nuk ka asnjë eksperiencë në këtë fushë. 


Gjithsesi, për njeriun e ri të shtypit që ka familjaritet me telekamerat për shkak të pjesëmarrjes në një “talk show” politik çdo të diel në televizionin ABC e që është martuar me një prezantuese të këtij televizioni, ka një sërë avantazhesh në krahasim me Gibbs: në krahasim me paraardhësin e tij dhe pothuajse gjithë zëdhënëset e presidentëve të tjerë, nuk është një njeri që është marrë me marrëdhëniet publike, por një gazetar. Me pak fjalë e njeh mirë këtë fushë. 


Kjo gjë i ka shërbyer për shembull për ta nxjerrë Joe Biden nga telashet të paktën në fushën e komunikimit. Fakti që Biden evitoi rrezikun për t’u bërë një “makinetë” e që sot ka imazhin e një burri shteti është arma më e fortë e Carney-t, që ndryshe nga Gibbs dhe nga “obamianë” të tjerë të ardhur nga Çikago e njeh mirë Uashingtonin dhe problematikat e tij, pasi është qyteti ku ka punuar për shumë vite me radhë. Do të mjaftojnë të gjitha këto për të mos pasur vështirësi aty ku Gibbs pati? Daley, timonieri i ri i Shtëpisë së Bardhë më shumë se në një sukses imazhi të fotozhenikut Carnney, bazohet te stili i të komunikuarit.
shko