e hënë, 31 janar 2011

Martesa të rrit jetëgjatësinë

Për martesën është folur gjithmonë dhe në mënyra nga më të ndryshmet. Ka nga ata që e shohin si mënyrën e vetme për të mbajtur së bashku dy njerëz, për më tepër kur ata kanë sjellë në jetë edhe fëmijë, dhe ka nga ata që e shohin vazhdimisht si “varrin e dashurisë”.



Studime të shumta janë bërë në lidhje me ndikimin që ky akt shumë i rëndësishëm ka mbi jetën e individëve që e përbëjnë këtë lidhje dhe së fundi një studim i tillë duket se u jep një argument më shumë atyre që shohin anën e mirë të lidhjes. Përfundimi i studimit është: martesa është e mirë për të martuarit.


Ajo jo vetëm që ndihmon në përmirësimin e shëndetit fizik te meshkujt dhe atij mendor te femrat, por sa më shumë që të zgjasë, aq më të mëdha janë përfitimet që dalin prej saj duke u parë kjo në këndvështrimin e jetëgjatësisë dhe cilësisë së jetës. 


Në qendër të studimit psikologjik ishte pyetja e thjeshtë që në fakt ia bëjmë shpesh njëri-tjetrit, apo edhe të tjerëve: a është një marrëdhënie e gjatë me një partner e mirë për shëndetin? Për një kohë të gjatë ana pozitive e një martese të gjatë bazohej më shumë në legjendën e këtij akti sesa në prova dhe fakte empirike. 


“Tradicionalisht, njerëzit kanë menduar se është një ide e mirë për të gjithë që herët, apo vonë të vënë kurorë ndaj ka qenë e vështirë që të bëhen krahasime me të kundërtën e martesës, pra me vetminë e gjatë apo jetën si beqar, çka sot është diçka që gëzon një përqindje më të madhe krahasuar me të shkuarën. Gjatë 30 viteve të fundit ky ndryshim është njëri nga të shumtit që ka ndodhur në sferën e ndryshimeve sociale dhe në marrëdhëniet familjare dhe shoqërore dhe në këto kushte të reja edhe vlerësimet janë mundësuar më lehtësisht. Kështu, studimi u mor fillimisht me statistikat e jetëgjatësisë. 


Në përfundim të një hulumtimi të gjatë dhe të hollësishëm, si dhe gjithëpërfshirës në një hark kohor të madh doli në dritë se njerëzit që jetojnë më gjatë nuk janë beqarët, pra ata që zgjedhin jetën vetëm, por të martuarit, pra bashkëshortët. Të martuarit kanë një shkallë të jetëgjatësisë në krahasim me “të vetmuarit” 10 deri në 15% më të lartë.


Hipoteza e cila e mbron një rezultat të tillë, që nuk është i vetmi ndikim pozitiv që i është gjetur martesës, është se individët që kanë një jetë personale të sistemuar deri në njëfarë mase, pra kanë zyrtarisht një partner të rregullt kanë më shumë imunitet ndaj sëmundjeve për shkak të sasisë më të ulët të stresit që kanë krahasuar me individët e tjerë. Për sa i përket epokës moderne, pra le të themi 20-30 viteve të fundit dhe flasim gjithmonë për perëndimin e një martese në vetvete ka gjithnjë e më tepër parakushtin financiar, pra duhet që të kesh një standard deri diku të lartë jetese që të ndërmarrësh hapin e lidhjes në martesë. Kjo e lidh në mënyrë të pazgjidhshme zotimin martesor me situatën financiare. 


Një martesë ndikon pozitivisht, sepse në të nuk nënkuptohet vetëm lidhja me një person, por edhe me një rreth personash, si pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, një rreth shoqëror që të gjithë mund të të mbështesin dhe të të lehtësojnë jetën deri në njëfarë mënyre. Kjo çon edhe në ndërmarrjen e një stili jetese të shëndetshme të sjellë nga ana tjetër përfitime të dukshme. Është fakt se njerëzit e vetmuar, kryesisht meshkujt e vetmuar janë shumë më të pritur për të pirë alkool se ata që janë familjarë. Arsyet janë vetmia në vetvete dhe mospasja e përgjegjësive para të tjerëve në rastin e martesës para bashkëshortes, apo fëmijëve. 


Dhe këtu mund të flasim edhe për stilet shpesh abuzive personale të jetesës për njerëzit beqarë. Martesa është një lloj rregulli që të ruan nga shumë gjëra që do t’i bëje pa e vrarë mendjen nëse do të kishe qenë vetëm. Edhe pse shpesh rregullat e një martese mund t’i mërzisin individët ato i ruajnë nga ekseset dhe çrregullimet.


 E megjithatë, jo të gjitha llojet e lidhjeve janë në mënyrë absolute të mira për individët. Mosha është një nga faktorët përcaktues në këtë rast. Adoleshenca është një moshë gjatë së cilës ekzistojnë, apo pretendohen lidhje të natyrës romantike dhe në këtë mënyrë ka më shumë gjasa që të përjetohen depresione të lehta te individët e kësaj moshe, ndërsa mosha optimale për një mashkull është pas të 25-ave. Ndërsa për një femër është 19-25. Kjo mund të jetë kështu për shkak se 25 është një moshë në të cilën shumë meshkuj janë të pozicionuar në karrierat e tyre dhe janë financiarisht në gjendje që të përballojnë shpenzimet e tyre për herë të parë. 


Ndërsa për sa i përket femrës, kjo moshë ka më shumë të bëjë me faktorët e fertilitetit. Sipas autorëve të studimit, jeta bashkë me të tjerë është shumë më e lehtë, edhe pse mund të jetë më e varfër në krahasim se jeta vetëm dhe në këtë rast i takon që martesa, edhe pse mund të jetë shpesh një cikël shtrëngues është më e mira e mundshme për shëndetin tonë mendor dhe fizik.
shko