e enjte, 24 shkurt 2011

Gazetarët të shqetësuar nga Delli

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj deklaratave të Ambasadorit Christopher Dell në letrën e hapur dërguar KPM-së.
AGPK konsideron se, publikimi në media i mesazheve telefonike, të shkëmbyera gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, përderisa po votohej për presidentin, është në shërbim të opinionit, për të informuar çfarë ndodhi në institucionin më lartë përfaqësues në vend.

“AGPK shpreh bindjen se, opinioni ka të drejtë të informohet mbi të gjitha proceset në Kosovë, veçanërisht ato politike dhe, sidomos, rreth mënyrës së zgjedhjes së institucioneve, një gjë kjo me rëndësi jetike për qytetarët dhe vendin”, thuhet në reagimin e AGPK-së.
“Po ashtu, AGPK beson se raportimi në media i komunikimit nëpërmjet mesazheve telefonike është në interes të publikut dhe qasja e mediave në këtë rast nuk ka qenë joetike dhe joprofesionale. AGPK shpreh shqetësimin për deklaratat e Ambasadorit Christopher Dell në letrën e hapur dërguar KPM-së, duke i cilësuar ato si cenim i lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes", thuhet më tej në reagimin e AGPK-së./io
shko