Publicisti Veton Surroi është deklaruar për zhvillimet e fundit politike, veçmas ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës. Gjatë një interviste në emisionin Rubikon, kryetari i Bordit të KPJ-së, Surroi ka thënë se “ato janë vazhdimësi e një rruge që ka nisur keq që moti dhe po udhëhiqet nga politika”. Duke folur për figurën e Pacollit, Surroi ka shtuar se “me veprimet e tij në të kaluarën, veçmas në raport me Kosovën ai është sjellur shumë mendjelehtë”.
“Me kujtohet shumë vite më herët, kur ai erdhi nga Moska, në Beograd e më pastaj në Prishtinë duke i kërkuar lidershipit kosovar të zhvilloheshin bisedime me Millosheviqin në një hotel në Beograd. Kjo më shumë më duket mendjelehtësi se sa diçka tjetër. Më e mira çfarë mund të bëjë tash e tutje është të mos veproj fare”, ka thënë Surroi.
Më tej ai ka shtuar se ka shumë kundërthënie në veprimtarinë publike të Pacollit. “Një nga diktatorët e Libisë, Gadafi po urdhëron aeroplanët nga qielli ti qëllojnë qytetarët e tij që po protestojnë. Nën tendën e tij, kosovarët shkuan e vallëzuan. Këto janë gjëra të pafalshme”, ka thënë Surroi. Propozimi i tij është të kryheshin reforma të shpejta kushtetuese dhe Kosova të shkonte në zgjedhje të reja për ta zgjedhur presidentin. /indeksonline