e martë, 1 mars 2011

Emmy varroset me të bardha

Këngëtarja Emmy, e cila vdiq dje pas goditjes nga ish-i dashuri i saj, biznismeni kosovar Aziz Kelmendi, do të varroset sot ku edhe do t’i jepet lamtumira e fundit. Sipas mediave shqiptare, Emmy do të varroset e veshur me të bardha.
Burime të gazetës Shekulli thënë se Elsina Hidershaj, 22 vjeçe nga Skrapari, ndërroi jetë të hënën rreth orës 05:00, në reanimacionin e Spitalit Ushtarak për shkak të disa frakturave që kishte marrë në kokë nga përplasja me një shtyllë në rrugën pranë vendit ku ndodhet lokali i natës.

Ndërkaq hetuesit kanë ndryshuar klasifikimin e ngjarjes nga “vrasje në aksident nga pakujdesia” në “vrasje me dashje”. Një veprim i tillë është kryer gjatë të dielës në mbrëmje nga hetuesit pasi gjatë verifikimit dhe vlerësimit të provave dhe rrethanave të ngjarjes së të hënës në mëngjes, kur Elsina Hidersha mbeti e vdekur pas një përplasjeje nga një veturë e markës “Volkswagen” Touareg me targa të Kosovës.

Sipas hetuesve të policisë fillimisht ishte dyshuar se vajza vetë kishte tentuar të ngjitej në veturën luksoze të biznesmenit kosovar, ndërsa në përpjekje e sipër kur ai po largohej vajza është rrëzuar ndërsa është shkelur nga vetura.

Nga hetimet e policisë dhe analizimi i fakteve, është zbuluar se biznesmeni e ka përplasur me dashje ish-të dashurën e tij me makinë. Nga hedhja e saj me forcë nga vetura, këngëtarja është përplasur me një shtyllë. Nga kjo përplasje Hidersha mori plagë të rënda në kokë. Këto rrethana e dëshmi të tjera rrëzuan versionin e biznesmenit të hoteleve se ai nuk kishte dashur ta vriste vajzën, por se ajo ishte kapur pas xhamit të tij dhe më pas ishte rrëzuar ndërsa ai nuk e kishte vënë re.

Sipas policisë, Kelmendi dyshohet në momentin e aksidentit të ketë qenë në gjendje të dehur, pasi përplasi me veturën e tij ish-të dashurën Hidersha, pasi kjo tentonte ta ndalonte. Kelmendi kishte qenë gjatë mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit të së dielës me të dashurën e tij të re, në lokalin ku Elsina Hidersha nga Skrapari ishte e punësuar si këngëtare. Kur ai u largua, Hidersha doli nga lokali, duke tentuar ta takonte ndërsa sipas policisë ai e përplasi duke i shkaktuar asaj plagë të rënda në kokë, ndërsa dje ajo ndërroi jetë në spitalin ushtarak.

Ish-i dashuri i këngëtares Emmy, Aziz Kelmendi, 47 vjeç, nga Kosova dyshohet të ketë qenë i dehur në kohën kur ka përplasur këngëtaren Emmy. Ai pritet të dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ndaj tij prokuroria ka ngritur akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”, raportojnë mediat shqiptare.

Emmy, është bërë e njohur katër vitet e fundit në Shqipëri dhe Kosovë. Disa nga këngët e saj më të suksesshme janë: “Let it play”, “Pse të dua ty”, “Rastësisht u pamë”, “A ma jep”, etj.
shko