Sipas një lajmi në adresën “Ehow”, nuk është më e nevojshme të mbyllni dyert apo të fshiheni pas dere kur grihet qepë. Gjatë prerjes qepa lëshon në ajër një lloj avulli kimik që shndërrohet në acid sulfurik dhe më pas dëmton sytë tuaj duke shkaktuar lotimin e tyre. Por, ju mund të parandaloni qarjen nëse ndryshoni teknikat e prerjes dhe përgatitjes së qepës. Ja masat që duhet të merrni për të parandaluar lotimin e syve:
- para se të qëroni apo prisni qepën lëreni 30 minuta në frigorifer. Avulli sulfurik do të veprojë më ngadalë në të ftohtë.
- rrënjën e qepës hiqeni ose priteni në fund fare. Sepse përbërësit sulfurik janë të përqendruar më shumë në rrënjët e saj.
- priteni qepën me një thikë të mprehtë. Kështu në qelizat e qepës do të ushtrohet më pak presion dhe do të lëshojë më pak përbërësit sulfurik. Një thikë e mprehtë do të lehtësojë ndarjen e qepës dhe të minimizojë kontaktin e qepës me avullin e lëshuar.
- hapni një dritare apo ndizni një qiri me aromë ndërkohë që grini qepën. Flaka e nxehtë e qiriut tërheq avullin dhe pakëson sasinë e avullit të përhapur në ajër.