Katër vjet nga vrasja e Ana Politkovskaja, në Republikën e Kaukazit dhuna dhe shtypja vazhdojnë. Tani është bërë edhe më e rrezikshme të denoncosh poshtërsitë e Presidentit Kadyrov dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngjarjet e fundit nga një vend i cili vazhdon të jetë nën pushtetin rus e ku mbizotëron terrorizmi
Zyrtarisht lufta ka përfunduar, madje nuk ekziston më fare. Jeta duket sikur rrjedh normalisht. Pothuajse, sepse gjendja në Çeçeni vazhdon të jetë e tensionuar. “Studentët e mi ëndërrojnë të bëhen anëtarë të shërbimit special të Kadyrov: pasanikë, të fortë, të fuqishëm dhe të pushtetshëm. Dhuna është rrënjosur thellë në mentalitetin e çeçenëve”, pëshpërit Amina, një profesoreshë e re. Arsyeja gjendet vetëm disa kilometra larg.
Shkolla e Amina-s ndodhet dy hapa larg stadiumit “Tarek”, skuadra vendase, aktualisht në mes të klasifikimit në kampionatin rus, i cili u rikonstruktua i gjithi në 9 maj të 2004-s, pasi u shkatërrua i gjithi për shkak të një eksplozivi të vendosur në tribunë, ku humbi jetën edhe Presidenti i Republikës, Akhmad Kadyrov, babai i Ramzan-it. Që nga ai moment Putin vendosi t’ia linte gjithçka të birit, një tip arrogant të cilit i pëlqen shumë vetja, aq sa të lë përshtypjen sikur personaliteti është jashtëzakonisht i ngjashëm me atë stalinian. Në vitin 2007, Putin e uli në kolltukun e tij, që ka qenë e të atit, me qëllim që t’i jepte fund konfliktit çeçen.
Duket si një lojë fjalësh, por në fakt nuk është kështu. “Strategjia e Moskës ishte e qartë: që çeçenët të eliminonin njëri-tjetrin”, shpjegon Dick Marty, një nga anëtarët e raportit të Këshillit të Europës mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kaukazin e Veriut. Në këtë mision Kadyrov ka qenë mjaft i dobishëm, madje problemi ishte se i kapërceu pak kufijtë. Numri i personave që kanë humbur jetën në Çeçeni nga viti 2000 deri në luftën e dytë çeçene (1999-2000) është pothuajse pesë mijë vetë. Në atë kohë Putin fliste për fundin e “operacioneve antiterroriste” në Çeçeni. Gjendja ishte tepër e tensionuar: rrëmbeheshin njerëz, sepse mbronin të drejtat e tyre, kërkonin të vërtetën, ose sepse dukeshin si terroristë islamikë (ndonjëherë mjaftonte mjekra e gjatë) dhe asnjë nga përgjegjësit nuk u vu para drejtësisë, edhe pse familjarët e viktimave kanë ngritur qindra padi kundër fajtorëve. Kush protestonte, arrestohej, ndëshkohej ose vritej, si Ana Politkovskaja, e cila para katër vjetësh u gjet pa jetë në shtëpinë e saj në Moskë.
Tani që operacionet antiterroriste kanë përfunduar, jo vetëm që rrëmbimet vazhdojnë, por numri i tyre është rritur jashtëzakonisht. Në maj të 2009-s u sekuestrua dhe u vra Natalia Estemirova, paladine e të drejtave të njeriut dhe anëtare e OJQ-së “Memorial”, u vranë aktivistët Zarema Saudoulayeva dhe Alik Djabrailov etj. “Që prej kohës kur u vra Natalia, edhe qendra jonë në Gronzy e ka të vështirë të ecë përpara”, shpjegon Aleksandër Cherkasov, nga OJQ-ja “Memorial”. “Jemi në dijeni të shumë episodeve. Është e qartë se rrëmbimet vazhdojnë dhe presioni shtohet, por informacionet janë të pakta dhe mungojnë statistikat, sepse njerëzit nuk denoncojnë më raste në polici. Ata u tremben paditjeve. Gjëja më e keqe është të jetosh me frikë”.
Një situatë që ndihet edhe jashtë Kaukazit. Omar Israilov, një ish-ushtar çeçen që thoshte i bindur se kishte parë Kadyro-in në rolin e torturuesit, u vra në Vjenë, më 19 janar të 2009-s. Më 28 mars të vitit 2009 në Dubai u vra me armë zjarri Sulim Yamadayev, një komandant i ushtrisë, hero i Rusisë dhe lider i klanit të vetëm çeçen që ishte në gjendje të përballej me Dadyrov-in. Vrasësi i tij i dyshimtë, avokati Adam Delimkhanov, është mik i ngushtë i Presidentit. Në shtator të 2008-s u vra në Moskë një njeri tjetër i fortë i klanit Yamadayev, deputeti Ruslan. Sipas shërbimeve franceze ekziston një grup vrasësish çeçenë me shërbim në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Paralelisht me dhunën e shtetit rriten edhe veprat e terrorizmit, brenda e jashtë republikës. Që nga një janari e deri në mes të shtatorit, ministri i Brendshëm rus, Rachid Nourgaliev, ka numëruar “498 krime terrorizmi në të gjithë Kaukazin e Veriut”, një tendencë e cila nga Çeçenia është përhapur në Lindje të Daghestan-it dhe në Perëndim të Inguscezia-s. Në këtë magmë dhune, “mbretëria” e Kadyrov është bërë ferri i Kaukazit, gjë që krijon më pak shqetësim për Moskën, por vetëm përkohësisht, sepse nëse në Inguscezia dhe sidomos në Daghestan atentatet janë çështja kryesore e ditës, në Çeçeni ende nuk ka paqe. “Që prej 2009-s, në Çeçeni mund të numërohen mijëra sulme, përfshi këtu rrëmbimet, vrasjet dhe aktet e terrorizmit”, lexohet në raportin e Dick Marty-t, i prezantuar në fund të qershorit. Rasti i fundit i dhunës është shënuar në fund të gushtit: rebelët sulmuan policinë në Tsentoroi, fshati i lindjes së Presidentit. Në këtë përleshje mbetën të vrarë 12 militantë dhe humbën jetën pesë policë. Kadyrov ofroi 10 milionë rubla, 326 dollarë shpërblim për atë që kishte informacion mbi autorët e sulmit.
“Kadyrov është i pathyeshëm. Duket sikur askush nuk mund ta kritikojë. Por cila është pika e tij e dobët? Kremlini i ka dhënë të gjithë pushtetin e mundshëm, megjithatë sulmet ende vazhdojnë. Duhet një presion i fortë nga Perëndimi për ta vënë në vështirësi”, analizon Andrei Soldatov, gazetar i “Novaja Gazeta”, gazeta e Politkovskaja. Kadyrov e lidh gjithçka me Kuranin. Dyqanet mund të shesin alkool vetëm dy orë në ditë, poligamia vlerësohet nga Presidenti dhe kujdestarët e zellshëm të moralit matin gjatësinë e perçeve dhe kontrollojnë se si vishet veli, i detyrueshëm në të gjitha vendet publike. Motoja e Kadyrov-it është: “Një grua duhet të konsiderohet si pronë e një burri”. Natalia Estemirova në 2008-n u përjashtua nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, sepse refuzoi të përdorte perçe në vendet publike, më pas u vra.
Ëndrra ka “shijen” e turizmit. Pasi ndryshoi pamjen e kryeqytetit, Kadyrov dëshiron të bëjë investime në malet Kaukaz. “Kemi malet më të sigurta të Rusisë”, thotë krenar Presidenti. Nga Moska dhe investitorët privatë pritet të vijnë 500 milionë euro investime. “Në asnjë vend tjetër të botës nuk kam parë male kaq të bukura”, thotë biznesmeni Rouslan Baissarov. Të tjerë si Soldatov, kolegu i Politkovskaja-s, shtrojnë pyetjen: “E kush do të guxonte të shkonte me pushime në një vend ku çdo javë ndodhin sulme terroriste?”.