“Red” është filmi i fundit ku Bruce Willis do të interpretojë përkrah një kasti të mrekullueshëm aktorësh, si Helen Mirren, Morgan Freeman dhe John Malkovich
“Red”, retired and extremely dangerous, d.m.th. pensionistë, por shumë të rrezikshëm. Një grup veteranësh, me eksperiencë dhe aftësi të jashtëzakonshme, Bruce Willis, Morgan Freeman, John Malkovich dhe Helen Mirren, janë katër agjentë të CIA-s të dalë në pension, por të thirrur për të vepruar, kur një kartel i dhunshëm vendos t’i nxjerrë jashtë loje. “Red”, i drejtuar nga Robert Schwentke, marrë nga novela me të njëjtën titull e Warren Ellis, pritet të dalë në SHBA më 15 tetor të këtij viti.
Ja se çfarë tregon një nga protagonistët kryesorë, Bruce Willis, 55-vjeçari që duket si një 20-vjeçar për t’u pasur zili. “Në ndryshim nga të tjerët, personazhi im nuk është komik. Ai përballet me një sërë problemesh”, pranon aktori. “U riktheva në rolin e të fortit, falë muajve të tërë stërvitjeje dhe ushqimeve të shëndetshme. Problemi i vetëm ishte heqja dorë nga ëmbëlsirat, të cilat janë të preferuarat e mia. Megjithatë rezultatet duken në film”.
Filmat aksion janë në modë në Hollivud. Publikut i pëlqejnë shumë, aq më tepër nëse përzihen me nota komike. Por unë nuk dua të merrem vetëm me këto zhanre. Në pranverë do të xhiroj një film fantastikoshkencor, “Looper”, mbi temën e makinës së kohës, me një djalosh që takon vetveten pas 35 vjetësh.
Të pëlqen akoma të eksperimentosh?
Më shumë se kurrë. U kam thënë agjentëve të mi të kërkojnë filma të çdo lloj tipi.
E ndien presionin e moshës?
Jo, por nuk kam dëshirë të luaj shumë filma aksion, edhe pse e di që pikërisht me ata fitohet më shumë. Publiku përbëhet nga të rinj që shkojnë në kinema në javën e parë të daljes së filmit. Vajza ime, 17 vjeçe, shkon të shohë të gjithë filmat që dalin, sepse ata janë filmat që të rinjtë duan të shohin. Hollivudi ka ndryshuar, është gjithmonë në kërkim të 20-vjeçarit të ri që mund të bëhet i famshëm, i cili e çon publikun të shohë të njëjtin film pesë herë radhazi. Nuk është e lehtë të ndërtosh një yll kinemaje.
Sheh të tillë rrotull?
Christian Bale apo Daniel Craig...
Helen Mirren ju ka cilësuar si një lider, me muskuj, por me zemër të butë. Jeni dakord?
Kam frikë se po. Nuk jam në gjendje t’i bëj keq një mize. Vajzat e mia nuk i kam trembur kurrë, as duke ngritur zërin. Qeshin me mua për këtë fakt. Unë jam i dhunshëm vetëm në kinema.
Çfarë raporti ke me vajzat tani që janë të rritura?
Nëse kam qenë me fat si aktor, jam akoma më shumë si baba. Unë vazhdoj të flas dhe të dal me to si përherë. Suksesi për mua qëndron në faktin se ato më tregojnë gjërat e tyre. Njoh baballarë që nuk kanë asnjë lloj raporti me fëmijët. Kjo është vërtet e dhimbshme.
Duke menduar për karrierën tuaj si aktor, cili është filmi që ke më shumë për zemër?
Më vjen të them të gjithë. Secilin prej tyre e kam zgjedhur për një arsye të veçantë, jo sa për të thënë. Por disave u kam kushtuar më shumë vëmendje se të tjerëve, kjo jo për ndonjë arsye specifike.
Me të vërtetë nuk ke asnjë film për zemër?
E mirë po ju them disa: “Pulp fixtion”, “Die hard”, “Twelve Monkeys”. Pastaj edhe “Red”, filmi i fundit, për të cilin më duhet të pranoj se më pëlqen vërtet shumë.
Si arrin të jesh gjithmonë në formë?
Jam i ri në shpirt, pastaj kam trashëguar edhe një lëkurë fantastike nga ime më. Nuk e di se si dukem “nga jashtë”, por në mendjen time nuk e ndiej veten më shumë se 28 vjeç. Nuk e besoj që jam 55! Por në të vërtetë kanë kaluar thuajse 30 vjet nga “Moonlighting”?
Çdo të thotë për ju të aktrosh?
Lidhet me emrin e Daniel Day-Lewis. Është ai, pastaj janë gjithë të tjerët. Është më i miri i të gjitha kohërave.
Çfarë ju bën të mos jeni i lumtur?
Thuajse asgjë. Jam gjithmonë i lumtur. Mërzitem vetëm kur rri shumë kohë larg shtëpisë. Por gruaja ime më shoqëron gjithmonë, kështu që edhe kjo situatë kalohet lehtë. Vite më parë isha në një tjetër gjendje mendore: nuk e kisha menduar kurrë të martohesha sërish, e se do të isha i lumtur kaq sa jam tani. Kush e di, ndoshta pas disa vitesh do të jem akoma edhe më shumë.
Pse çfarë ndodhi?
Nuk e di, përndryshe do të shkoja në ndonjë televizion dhe do t’u thosha të gjithëve recetën për të qenë të lumtur. Mendoj se u kushtova më shumë kujdes gjërave që më rrethonin. Dhe pikërisht në atë moment takova gruan time.
Si është të punosh me një kast aktorësh kaq të mëdhenj?
Me John Malkovich jemi miq të vjetër. Por edhe me të tjerët u miqësova shumë shpejt. U bëmë shumë të afërt me njëri-tjetrin. Në punën tonë je me fat, sepse ke mundësi të punosh me njerëz kaq të mëdhenj, që të tjerët i shohin vetëm në ëndërr.
Merreni akoma me muzikë?
Jo, kam dalë në pension në këtë drejtim. Në ndonjë rast të veçantë i bie ende kitarës, ndërsa nga të kënduarit kam hequr dorë.