e enjte, 7 tetor 2010

Zgjedhjet? Prap në stinën e dimrit!?

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka ftuar që ditën e premte të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Parlament që të diskutojnë në një takim të përbashkët lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe çështjen e pakos së reformave zgjedhore.


 Ndërkohë, partitë politike vazhdojnë të paraqesin pikëpamje të ndryshme për kohën e organizimit të zgjedhjeve të ardhshme.


Partitë politike të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës pritet t’i paraqesin të premten, në një takim të përbashkët me ushtruesin e detyrës së presidentit Jakup Krasniqi, pikëpamjet e tyre në lidhje me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Data e organizimit të këtyre zgjedhjeve dhe miratimi i pakos së reformave zgjedhore thuhet të jenë temat kryesore të këtij takimi.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se ka përfunduar një raund bisedimesh veç e veç me të gjitha partitë parlamentare dhe joparlamentare dhe se tash, pas takimit të përbashkët, do ta ketë më lehtë të vijë deri te disa qëndrime të përbashkëta në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve. 

“Besoj që nesër do të sqarojmë shumëçka, por gjithnjë duke qenë bisedat dhe marrja e vendimit përfundimtar mbi bazën e afatit kushtetues që i jepet ushtruesit të detyrës së presidentit”, ka thënë Krasniqi.

Aktualisht, Partia Demokratike e Kosovës e ka mbështetur organizimin e zgjedhjeve qysh në janar, apo më së largu në fillim të shkurtit.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se organizimi i zgjedhjeve kërkon respektimin afateve kushtetuese, që nënkupton edhe afatet pas ditës së votimit deri te konstituimi i institucioneve të reja. 

“Janari, shkurti mund të jenë datat apo afatet kohore, të cilat do ta përmbyllnin afatin kushtetues të zgjedhjeve”, është shprehur Haliti.

Me qëndrimet e PDK-së nuk është pajtuar shumica e spektrit politik. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si partnere e PDK-së në qeverinë aktuale, sipas anëtarit të Kryesisë, Ismet Beqiri, nuk preferon janarin apo shkurtin, por pjesën e parë të muajit mars për organizimin e zgjedhjeve. 

“LDK-ja nuk ka pranuar të ketë zgjedhje këtë vit, siç nuk pranon, nuk e përkrah atë që po del shpesh si datë, e që është 30 janari. LDK-ja nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në për këtë punë. Ne e kemi thënë që zgjedhje të ketë minimum javën e parë të marsit dhe kjo është brenda afatit ligjor”, ka deklaruar Beqiri.

Pavarësisht këtyre qëndrimeve jo të harmonizuara ndërmjet dy partive në koalicion, deputetja opozitare nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, është shprehur se pret që në fund pikërisht PDK-ja dhe LDK-ja të vendosin për datën, pa një konsensus të përgjithshëm politik.

Gaxherri ka kritikuar edhe spektrin opozitar që nuk ka një qëndrim unik. 

“Fatkeqësisht duhet ta them që edhe për këto zgjedhje do të vendosin prapë dy partitë në pushtet. Kam frikë se do t’u imponohet partive parlamentare dhe atyre jashtë parlamentit data e zgjedhjeve”. 
“Por, mos të harrojmë ta themi se sikur të kishte një koordinim më të mirë të partive jashtë pushtetit, do të mund të bënim një ndërhyrje apo një kërkesë më reale që, së paku, në zgjedhje të hyjmë më të përgatitur”, ka theksuar Gaxherri.
shko