e enjte, 7 tetor 2010

Edhe serbët kundër EULEX-it!

Serbët e Leposaviqit kanë protestuar kundër vendosjes së një antene nga ana e EULEX-it në pikën kufitare të quajtur porta 1. Misioni evropian ka thënë se nuk do të tolerojë asnjë akt dhune, qoftë kundër stafit, qoftë kundër pajisjeve të misionit. 


Vendosja e një antene nga ana e EULEX-it ka nxitur një protestë të serbëve të veriut. Dhjetëra serbë të Leposaviqit janë mbledhur në pikën kufitare të Jarinës, për të kundërshtuar vendosjen e antenës, e cila u shërben nevojave të misionit evropian. Protesta, sipas zëvendëskomandantit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ergin Mediq, ka qenë e qetë. 



“Në Jarinë kemi protestë të qytetarëve të Leposaviqit. Diku rreth 30-50 njerëz janë mbledhur në Jarinë. Protesta është e qetë, nuk ka asnjë akt dhune dhe, sipas informacioneve tona, arsyeja e protestës është vendosja e antenës për komunikim, e vendosur në portën 1, e cila shërben për komunikim të EULEX-it”, tha Mediq.


Misioni evropian për sundimin e ligjit ka bërë të ditur se pajisja është vendosur për t’u shfrytëzuar vetëm për nevoja të misionit. Ky mision ka thënë se nuk do të tolerojë akte dhune. Ndërsa, zëdhënësi Blerim Krasniqi tha se ka pasur një pajtim paraprak për vendosjen e antenës. 


“EULEX-i ka vendosur një antenë në portën një, e cila do të përdoret ekskluzivisht për nevojat e misionit në fushën e policisë dhe doganave. Çështja e vendosjes së saj është diskutuar dhe është rënë dakord bashkërisht nga të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë UNMIK-un dhe udhëheqësit e komuniteteve”, tha Krasniqi. 


Që nga aksioni i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për heqjen e antenave dhe pajisjeve tjera të operatorëve ilegalë serbë në territorin e Kosovës, në veriun e vendit ka pasur një numër shpërthimesh, që cak kishin antenat e operatorëve legalë kosovarë. Por, edhe pajisja e EULEX-it ka nxitur reagimet e politikanëve serbë. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, kritikoi EULEX-in, që, sipas tij, nuk ka paralajmëruar vendosjen e shtyllës së antenës. 


“Veprime të tilla të EULEX-it nuk sjellin stabilizim të situatës, por, përkundrazi, vetëm ngrenë dyshimin dhe shqetësimin e banorëve serbë”, tha për mediat serbe Goran Bogdanoviq. 


Mësohet se disa njësi speciale të policisë së EULEX-it janë dërguar afër pikës kufitare në Jarinë, pikë kjo që, dy vjet më parë, qe djegur tërësisht nga serbët në shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë. EULEX-i ka tërhequr sot vërejtjen se nuk do të tolerojë që të preket mbi anëtaret e misionit të tij. 


“Një gjë duhet ta qartësoj. EULEX-i nuk do të tolerojë asnjë lloj dhune ndaj stafit, apo ndaj pajisjeve të misionit”, tha zëdhënësi Blerim Krasniqi.


Udhëheqësit e serbëve të veriut kanë kritikuar vendimin e fundit të KFOR-it, të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës për të rritur masat e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Këto masa janë ndërmarrë pas incidenteve të vazhdueshme në këtë pjesë. Patrullime në këmbë, pika kontrolli dhe prani e shtuar e ushtarëve dhe policëve vërehet në dy ditët e fundit në rajonin e Mitrovicës. 


Ndërkohë, EULEX-i, në ditët e fundit, ka arrestuar dy të dyshuarit e parë serbë nën akuzat për krim të organizuar. Ky mision ka bërë të ditur se ka një listë prej 25 personash të dyshuar, ndër ta 6 për krime të rënda.
shko