e shtunë, 18 dhjetor 2010

Sulm ndaj imazhit të Kosovës

Akuzat e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, se zyrtarë të lartë shtetit të Kosovës dhe ish-udhëheqës të UÇK-së kanë qenë të përfshirë në kontrabandën me armë, drogë e organe të njerëzve, janë sulm i rëndë ndaj imazhit të Kosovës në botë, konstatojnë analistë vendës.

Raporti i cilësuar nga Prishtina dhe Tirana si shpifje të pastra të nxitura kundër shqiptarëve dhe ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka zënë vend në mediet ndërkombëtare dhe kësisoj i ka dhënë kahe negative imazhit të vendit.
Dick Marty, që ka hartuar raportin e miratuar në Këshillin e Evropës, njihet si person me qëndrime të qarta kundër pavarësisë së Kosovës dhe me qëndrime antikosovare, ndërsa raporti i tij konsiderohet të jetë përmbledhje e shumë raporteve të tjera të cilat nuk janë mbështetur në fakte dhe si të tilla janë hedhur poshtë nga shumë hetime paraprake.

Por, në mungesë të argumenteve të reja, me raportin e tij Marty duket se ka arritur të plotësojë një synim tjetër atë të sulmit ndaj imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Duke u mbështetur në raportin e tij, Kosova nga shumë mediume është cilësuar si vend “i papastër” ku mbizotëron krimi dhe korrupsioni. Madje, në artikullin për Kosovën të titulluar “Shteti i tmerrit”, gazeta britanike The Times ka vlerëson se pavarësia e Kosovës është akt i kryer, por përfshirja e saj në familjen e popujve evropianë është vënë në pikëpyetje.

Përveç imazhit të vendit, akuzat kanë “prekur” edhe miqtë ndërkombëtar të Kosovës, siç është ish-kryeministri Britanik, Tony Blair.

Analistët e pavarur dhe njohësit e politikës ndërkombëtare thonë se akuzat e Martyt i kanë dhënë “maje” imazhit të keq për vendin në botë që është krijuar nga shpallja e pavarësisë.

Analisti i Klubit për Politikë të Jashtme, Ardian Arifaj, thotë se pavarësisht nga saktësia ose jo e akuzave të Martyt, imazhi i vendit është “goditur” rëndë. Ai thotë se edhe politikanët perëndimorë që përkrahin Kosovën nuk e kanë të lehtë.

“Edhe politikanët e vendeve që i quajmë mike të Kosovës varen prej vullnetit dhe qëndrimeve të votuesve të vet dhe këto raporte mediale negative për Kosovën krijojnë perceptime, bindje negative edhe te votuesi”, thotë Arifaj.

Ai thotë se në të ardhmen do të jetë tejet e vështirë që të ndërrohet ky imazh. “Aspak s’do të jetë e lehtë, kështu krijohen stereotipet për një vend dhe më pas përcillen tërë kohën. Ne edhe ashtu kemi vuajtur nga stereotipet, sepse dihet se si na shohin në Evropë neve”, thotë ai.

Ndërsa analisti Roland Gjoni thotë se gjasat janë të vogla që raporti i Martyt mund të dëmtojë përkohësisht imazhin e Kosovës dhe t’i japë argumente shtesë Serbisë në betejën diplomatike kundër Kosovës.

“Derisa nuk prodhohen lajme të mira brenda Kosovës, nuk mund të rregullohet imazhi i dëmtuar ndërkombëtar i Kosovës”, thotë Gjoni.

shko