nënshkruar marrëveshjen e Instrumentit të Paraanëtarësimit që përfshin programin e asistencës në vlerë prej 63.9 milionë euro.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje financiare Komisioni Evropian që nga Konferenca e Donatorëve e vitit 2008, ka arritur investimet gati në 400 milionë euro në Republikën e Kosovës.
“Kjo mbështetje e vazhdueshme tregon seriozitetin dhe përkushtimin që Bashkimit Evropian ka ndaj Kosovës. Perspektiva evropiane e Kosovës është shumë e qartë dhe ndihma e vazhdueshme e BE-së do të kontribuojë ne realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të kësaj perspektive të sigurt”, citon atë Kosovapress.
Thaçi ka theksuar se Kosova është duke kaluar një kohë historike drejt konsolidimit të shtetit dhe përgatitjes së institucioneve për t’u përballuar me sukses me sfidat që dalin nga procesi i integrimit dhe ka shprehur zotimin si qeveri që t’i përmbush të gjitha sfidat që dalin përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Sa i përket përmbushjes së standardeve Evropiane, IPA 2010 do të financojë projekte në fushën e bujqësisë, mjedisit, energjisë dhe edukimit dhe këto projekte, sipas Thaçit, janë plotësisht në harmoni me prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe reflektojnë sinkronizimin e agjendës zhvillimore me agjendën Evropiane të Kosovës.
Ndërkaq, shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi ka theksuar se janë arritur suksese të shumta në implementimin e marrëveshjes së IPA 2008 dhe në zotimin e mjeteve për IPA 2010.
"Ne tani kemi përmbushur plotësisht zotimin tonë nga konferenca e donatorëve e korrikut 2008. Por, ç’është më e rëndësishme, ne jemi siguruar se fondet e IPA-së janë shpenzuar në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës” ka thënë Davidi.
Paratë e zotuar me marrëveshjen e nënshkruar sot mes Qeverisë dhe Zyrës Ndërlidhëse të KE-së do të shpenzohen për përforcimin e sundimit të ligjit, qeverisjes, reformës së administratës publike, komuniteteve dhe arsimit, adresimin e çështjeve socio-ekonomike siç janë financat publike, zhvillimi ekonomik rajonal, përfshirë këtu infrastrukturën, bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Ky program gjithashtu përqendrohet në përafrimin e legjislacionit dhe standardeve evropiane, përshirë këtu veterinarinë dhe sigurinë e ushqimit, reformat e sektorit të energjisë dhe mjedisin. Për periudhën 2007 deri 2012, Bashkimi Evropian ka ndarë gjithsej 565.1 milionë euro për Kosovën./kn