e mërkurë, 23 shkurt 2011

Rregullat për të fituar “Oskar”

Pak ditë nga nata e yjeve, ja disa prej rregullave që të bëjnë të fitosh “Statujën e artë”. Shtatzënitë, tragjeditë dhe theksi “british”, ndër preferenca kryesore

Mbase nuk është 100 për qind i vërtetë, por janë me të vërtetë argëtuese dhe domethënëse këshillat që vijnë nga SHBA-ja për mënyrën se si të fitosh një “Oskar”. 
Një sërë rregullash të bazuara tek sjelljet kinematografike, dhe jo vetëm, që garantojnë të paktën një vend nderi, nëse jo vetë ‘statujën’, në garën më të fortë dhe spektakolare të shoubiz-it planetar: nga të qenit shtatzënë, tek momenti i ceremonisë, apo interpretimi i një invalidi, nga hakmarrja e krenarisë homoseksuale, tek preferenca që anëtarët e jurisë së Akademisë kanë për theksin ‘british’. Shumë prej këtyre rregullave janë provuar statistikisht dhe janë publikuar në blogje dhe faqe të ndryshme interneti. 

Më pas ato janë mbledhur dhe publikuar në faqen e rrjetit amerikan ‘ABC’: një nga burimet më të besueshme në fushim e çmimeve “Oskar, duke qenë se është pikërisht ky televizion që transmeton drejtpërsëdrejti “Natën e yjeve”. Ceremonia e këtij viti do të mbahet në Los Angelos të dielën, më 27 shkurt, dhe ata që do ta prezantojnë do të jenë aktorët Anne Hathaway dhe James Franco. Ja përse dhjetëshja e rregullave se si të fitosh pak ditë nga ngjarja e madhe, të lë një shije të ëmbël. 

Të jesh shtatzënë

Në historinë e këtij kompeticioni, shembujt e aktoreve shtatzëna me ‘Statujën e artë’ në dorë janë me të vërtetë të shumta: Eva Marie Saint për “On the Waterfron”; Meryl Streep për “Sophie's Choice”; Catherine Zeta-Jones për “Chicago”; Rachel Weisz për “The constant gardener”. E pavdekshme, fraza e prononcuar në skenë nga gruaja e Michael Douglas: “Hormonet e mia janë shumë jashtë kontrollit për të përballuar këtë situatë”. Dhe për ta konfirmuar këtë tendencë, këtë vit në “pole-position” qëndron Natalie Portman me “Black Swan”, edhe ajo shtatzënë. 

Të interpretosh një invalid

Ose një personazh që lufton me ndonjë vështirësi fizike dhe psikologjike. Këtu statistikat flasin vetë: Dustin Hoffman me “Rain Man”; Geoffrey Rush me “Shine”; dhe Daniel Day-Lewis me “My Left Foot: The Story of Christy Brown”. Edhe viti 2011 nuk i ka shpëtuar këtij rregulli: më i favorizuari është Colin Firth, me “King Speech”, ku interpreton një burrë që lufton me problemin që ka me të folurin.
Faktori “Jeff Bridges”

Ky rregull nuk bazohet tek konsideratat statistikore, por tek fakti që aktori, fituesi i vitit të kaluar me “Crazy heart”, është protagonist edhe me filmin “The Grint”, të Joel dhe Ethan Coen, një ndër filmat më të vlerësuar për “Oskar”. Të shohim nëse aktori do t’i shërbejë si “fatsjellës” vëllezërve më të famshëm të kinemasë. 

Vëmendja ndaj theksit

Me sa duket, anëtarëve të jurisë u pëlqejnë më shumë aktorët që kanë një theks ‘british’ në të folur: mundësia e fitores, sipas një statistike të cituar nga sajti, në këtë rast është 47 për qind. Për më tepër, nëse mendojmë për filmat “The Departed” dhe “Good Will Hunting”, ky fakt duket krejtësisht i besueshëm. Edhe këtë vit, mes filmave kandidatë është njëri që i përgjigjet kësaj kërkese: “The Fighter”.
Të drejtat e gejve

Tematikat homoseksuale, edhe për shkak të paragjykimeve historike, janë shumë të preferuara për të fituar. Le të mendojmë për filmat “Philadelphia”, “Boys don't cry” dhe “Milk”.
Historitë tragjike

Fatkeqësitë e jetës në ekran mund të shndërrohen në një armë të fortë për të fituar “Oskar”: anëtarët e jurisë prej vitesh preferojnë skenarët shumë të trishtuar. Le të ndalemi tek disa nga personazhet më të pafat që kanë dalë fitimtarë si: “Monster's ball”, me Halle Berry apo “Away from Las Vegas”, me Nicolas Cage. Këtë vit, seksioni i filmave tragjikë gjen një përfaqësuese të denjë tek Michelle Williams, kandidate si aktorja më e mirë me dramën bashkëshortore “Blu Valentine”. 

Rrofshin artet!

Të tregosh në një film personazhe me talent të madh në ndonjë disiplinë të caktuar, të sjell goxha fat me ‘statujat’. Edhe këtu vlen të përmendim Natalie Portman, me filmin “Black Swan”.
Universe paralele

Filmat fantastiko-shkencorë jo gjithmonë ja dalin të futen mes kandidimeve. Por kur kjo ndodh, shanset e tyre për të fituar janë shumë të forta: të paktën në kategoritë teknike, siç tregojnë shumë raste të famshme nga “Star Wars” tek “E.T.”, nga “Alien” tek “Avatar” i vitit të kaluar. Ku i dihet nëse këtë vit rregulli do të përsëritet sërish me “Inception”, të Christopher Nolan...
E tashmja apo e kaluara?

Në këtë pikë, Akademia nuk është shumë e qartë: herë preferon filmat që tregojnë historitë e epokave të tjera (‘Shakespeare in love’, ‘Gandhi’); herë të tjera vlerëson kinemanë që tregon aktualitetin tonë, siç ndodhi vitin e kaluar me ‘The Hurt Locker’. E rëndësishme në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, është të kesh deri në fund shpirtin e kohës. Gjithsesi, dilema do të zgjidhet më 27 shkurt: më mirë “King Speech” për Anglinë e luftës, apo “The Social Network”, që tregon fenomenin e rrjeteve sociale?
Rregullat e munguara

“ABC” tregon edhe për situata tipike kur është fituar një “Oskar”. E para është ajo e aktoreve të bukura që bëhen të shëmtuara për hir të roleve, si Nicole Kidman në filmin “The Hours” apo Charlize Theron për “Monsters”. E dyta është preferenca për filmat që tregojnë jetën e personazheve që kanë ekzistuar vërtet, si “Erin Brockovich” dhe “The Queen”. Edhe në këtë rast, beteja e këtij viti do të jetë mes “King Speech” dhe “The Social Network”, ose më mirë, mes George VI dhe Mark Zuckerberg.
shko