e hënë, 7 mars 2011

Pacolli i gatshëm të takohet me Boris Tadiqin

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar të hënën në mbrëmje se është pro bisedimeve Kosovë – Serbi, sepse kështu do të gjendet zgjidhje për të gjitha problemet, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e tij,
siç është shprehur për interesin e Kosovës dhe qytetarëve, të takohet edhe me presidentin serb Boris Tadiq. 

Derisa gjatë ditës së hënë në Kuvendin e Kosovës çështja e bisedimeve të paralajmëruara Prishtinë – Beograd ka përplasur pozitën dhe opozitën dhe nuk është dal me një rezolutë për këtë çështje, presidenti ka dal me qëndrim pro dialogut. 

Madje, ai ka vlerësuar se është fat që tani problemet mund të zgjidhjen me dialog dhe jo me armë. 

“Unë besoj se ne duhet të jemi të inkurajuam të bisedojmë, ku është fati që të bisedojmë gjithmonë. Më besoni se duke biseduar ne do t’i zgjidhim edhe problemet. Unë i inkurajoj çdo kënd që të bisedojë në mënyrë konstruktive, se ne kemi nevojë për biseda. Është fat që armët pushojnë dhe bisedohet”, ka thënë ai. 

I pyetur nga mediat se nëse do të pranonte të takohet me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, Pacolli ka thënë se për interesin e qytetarëve dhe Kosovës është në gjendje të bëjë edhe më shumë. 

"Për interesin e Kosovës dhe qytetarëve të mi jo që isha taku, por jam në gjendje që të bëjë edhe shumë gjëra të tjera”, është shprehur ai. 

Ndërkaq gjatë ditës presidenti Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler ka qëndruar për vizitë në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në pikat kufitare 1 dhe 31, në Zubin Potok dhe Leposaviq. 

Ai tha se ka shkuar atje për t’u njohur nga afër me gjendjen, përkatësisht me qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në këto dy pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Ka qenë arsye që të shkoj edhe atje të vizitoj bashkatdhetarët tonë, punëtorët tonë që punojnë për institucionet e Kosovës dhe të inkurajoj ata që punojnë edhe më tutje. Të inkurajoj edhe ata që dikush është duke u kujdesur edhe për atë anë dhe ajo pjesë është e Kosovës dhe të lansoj një mesazh që nga atje që nuk janë të vetmuar, por janë nën përkujdesjen e Kosovës”, ka thënë ai. 

Për këtë vizitë në veri, zyra e Presidencës ka lëshuar një komunikatë për media vetëm pas deklaratës së presidentit Pacolli, i cili tha se kjo vizitë ka qenë dashur të lajmërohet. 

Çështja e bisedimeve Prishtinë – Beograd i ka përplasur pozitën dhe opozitën në Kuvendl. Deputetët e bllokut opozitarë kanë shprehur me këmbëngulje kundërshtimet e tyre, ndërkaq ishin deputetët e Vetëvendosjes ata që me çdo kusht kanë kundërshtuar këto bisedime, ndërkaq këto kundërshtime dhe kushte i ka pranuar edhe Qeveria, por ka thënë se ajo e sheh zgjidhjen e problemeve përmes dialogut./Kosovapress/
shko