e hënë, 7 mars 2011

Parashikim: Barcelona – Arsenal

Të martën me fillim nga ora 20:45 në fushëbetejen legjendare të Camp Nou, do të përplaset historia e futbollit dhe e ardhmja e tij, filozofia Tiki-Taka e Pep Guardiolës do të ketë punë me
inteligjencën e të luajturit me top të profesor Arsene Wenger, në sfidën e cila mund të vendosë gjithë sezonin e këtyre dy ushtrive prej më të armatosurave në futboll…


Vendi: Camp Nou, Barcelona
Koha: 8 mars 2011, ora 20:45.

A e keni ditur se?


Barcelona
Blaugranët ishin të pa mposhtur në pesë ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve ndaj Arsenalit, duke barazuar në dy dhe duke fituar tri takime – duke përfshirë edhe finalen e vitit 2006, ashtu si çerekfinalen e vitit të kaluar ku Topçinjt u turpëruan në Camp Nou me rezultat 4-1.
Këtë sezon ata fituan secilën prej tre ndeshjeve si vendas në Grupin D, duke mposhtur Panathianikosin, Kopenhagën dhe Rubin Kazanin, për të qenë lider në grup për të tretin vit me radhë.
Fitorja e të shtunës e Barcelonës ndaj Zaragozës në La Liga jo vetëm që ishte mbajtje e shtatë pikëve distancë me Real Madridin në krye të tabelës, por po ashtu zgjati ecurinë e ndeshjeve pa humbje në shtëpi në 20 të tilla.
Skuadra e Pep Guardiolës do të jetë pa qendërmbrojtësit titullarë Carles Puyol (i lënduar) dhe Gerard Pique (i suspenduar) për ndeshjen ndaj Arsenalit, por Lionel Messi me 46 golat në 44 paraqitje do të jetë shtytja kryesore për Barcën. Ishte argjentinasi ai që vitin e kaluar shënoi katër gola ndaj Arsenalit në ndeshjen kthyese, pikërisht në Camp Nou.

Arsenali
Arsenali është kualifikuar për Ligën e Kampionëve që 13 sezone radhazi. Kjo është hera e 11-të që Arsenali tejkalon fazën grupore dhe në katër prej pesë sezoneve të fundit në Ligën e Kampionëve, Topçinjt së paku kanë arritur deri në çerekfinale.
Revolveristët pasi fituan 15 herë ndeshjen e parë në shtëpi në garat evropiane, kanë arritur që në 14 raste të kualifikohen tutje. Eliminimi i fundit kur Arsenali fitoi në shtëpi ishte ndaj Valencias në sezonin 2000/2001.
Arsenali ishte ekipi që shënoi më shumë gola në fazën grupore të Ligës së Kampionëve këtë sezon me 18 gola, numër i njëjtë ky me rivalin e përbetuar Tottenhamin.
Fitorja e Arsenalit ndaj Barcelonës ishte e 99-ta në ndeshjen e 200-të për Topçinjtë në garat evropiane, ndërsa goli i fitores i Andrey Arshavin ishte goli i 197-të i Arsenalit në Ligën e Kampionëve.
I pa mposhtur na katër ndeshjet e fundit si mysafir në të gjitha garat, Arsenali zgjeroi ecurinë e ndeshjeve pa humbje në 11 (shtatë fitore dhe katër barazime).

Forma e Barcelonës
Barcelona – Zaragoza 1-0
Valencia – Barcelona 0-1
Mallorca – Barcelona 0-3
Barcelona – Athletic Bilbao 2-1
Arsenal – Barcelona 2-1

Forma e Arsenalit
Arsenal – Sunderland 0-0
Arsenal – Leyton 5-0
Arsenal – Birmingham 1-2
Arsenal – Stoke 1-0
Leyton – Arsenal 1-1


Lojtarët kryesorë:
Lionel Messi (Barcelona)

Lojtari më i mirë në botë për momentin, argjentinasi i talentuar mposhti pothuajse vet Arsenalin sezonin e kaluar dhe ndoshta edhe vet çuditet për rastet e humbura në Emirates. Tani ai do të kërkojë të bëjë atë që zakonisht dhe bën me skuadrat rivale – shkatërrimin e tyre.
Ai ka thënë se Barcelona është e fokusuar në kualifikim dhe nuk po e mendon eliminimin, ndërsa do të bëjë çmos për të vënë në vështirësi Arsenalin para tifozëve të flaktë katalanas. Shpejtësia e tij në mendim dhe në vrapim mund të jetë fatale për çdo kundërshtar që nuk është 100% i vëmendshëm.


Jack Wilshere (Arsenal)

Tinejxheri sensacional i mesfushës së Arsenalit ishte pa kurrfarë dyshimi njeriu i ndeshjes në sfidën e parë. Kjo sigurisht se e bën atë njeriun kryesor për sfidën e kthimit dhe pa dyshim se ndeshja në Camp Nou do të testojë karakterin e Wilshere ashtu si aftësitë e tij teknike.
Deri tani në karrierën e tij në çdo sfidë ka lënë mbresa me një përzierje të kompetitivitetit, klasit dhe shumëanshmërisë. Me mesfushorin katalanas Cesc Fabregas të rikthyer nga lëndimi, e gjithë bara do të jetë mbi Wilshere – i cili edhe vet ishte i lënduar por e harroi vetëm e vetëm për të luajtur në luftën epike të Camp Nou.

Formacioni i mundshëm i Barcelonës (4-3-3): Valdes; Dani Alves, Milito, Abidal, Maxwell; Xavi, Sergio Busquets, Iniesta; Villa, Messi, Pedro.
Formacioni i mundshëm i Arsenalit (4-2-3-1): Szczesny; Sagna, Koscielny, Djourou, Clichy; Diaby, Wiilshere; Nasri, Fabregas, Arshavin; Bendtner.

Epilogu
Me të dyja skuadrat që kanë mungesa të lojtarëve kryesorë, Camp Nou pritet të jetë vend i vështirë për një fitore të martën, ndërsa Arsenali sigurisht se do të jetë jofavoriti në këtë takim.
Duke parë mbrojtjen fragjile të Barcelonës, pa lojtarin kryesor të skuadrës Carles Puyol, është shumë e mundur që Arsenali të rrezikojë shpesh Blaugranët. Këta të fundit do të tentojnë që me anë të posedimit të ndalojnë Arsenalin nga futbolli që më së miri di të bëjë. Megjithatë, impotenca taktike e profesor Arsene Wenger në fund pritet të dalë fituese, por fitues në ‘vrimë të gjilpërës’.

Parashikimi: Barcelona 1-1 Arsenal (Arsenali kualifikohet me rezultat të përgjithshëm prej 3-2 pas dy ndeshjeve)./telegrafi
shko