e hënë, 7 mars 2011

Prishet grupi “Zig Zag Orchestra”?

“Zig Zag Orchestra” në një komunikatë në Facebook kanë njoftuar se grupi është shpërndarë dhe kjo për arsye të keqpërdorimeve të fondeve të përbashkëta nga ana e liderit të grupit Dren Abazi.
“Pas disa pa-rregullsive në menaxhimin e fondeve të përbashkëta, konkretisht për keqpërdorimin e të ardhurave prej projektit ‘Zig Zag’ të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ‘Të hollat e Vizave’, ‘pagesat nga dy projektet e Komunës së Prishtinës’, si dhe një numri të tjera keqpërdorimesh nga lideri i Zig Zag Orchestra, Dren Abazi, me këtë rast anëtarët e tjerë: Sezgin Curi, Ilir Livoreka, Ertan Iliyaz, Gramoz Goranci, Ilire Avdiu, Fitim Halimi, Ardit Pira, Drilon Ibrahimi, njoftojnë opinionin publik dhe adhuruesit e bendit se prej datës 02.03.2011 me vendim unanim nga anëtarët e lartpërmendur, 'Zig Zag Orchestra' është shpërbërë”, kanë njoftuar anëtarët e grupit të shtunën në faqen zyrtare në Facebook.


Përveç keqpërdorimit të një shume prej 3200 euro, nga ana e vokalit të bendit, Dren Abazi, të cilat para ishin derdhur në llogarinë personale të tij në kuadër të mbështetjes së projektit Zig Zag nga MKRS, anëtarët tjerë të bendit e kanë akuzuar liderin edhe për mosdorëzim për të 810 eurove të fituara në shoun Oxygen për ndihmë te një familje e varfër.


Prishja e grupit do të thotë edhe mospjesëmarrje e Dren Abazit dhe Anjeza Shahinit në Top Fest me këngën “Ti dhe Unë”, e cila është pronë e grupit.


“Zyrtarisht ju njoftojmë se Zig Zag Orchestra nuk e lejon Dren Abazin dhe Anjeza Shahinin të përdorë incizimin dhe aranzhimin e këngës ‘ Ti dhe Unë’ të realizuar ne ”Agolli Music Production”, pasi që gjithçka ishte paguar nga bendi dhe dy personat e lartëpërmendur nuk e kanë të drejtën për shfrytëzimin e çka do që i ka takuar ‘Zig Zag Orchestra’ në mënyrë individuale, pas shpërbërjes të Zig Zag Orchestra”, është thënë më tej në komunikatë. /Telegrafi/
shko