Ata kanë kërkuar shtyrjen e afatit edhe për një muaj. Kështu thonë zyrtarët e Njësisë për partneritet publiko – privat, sipas të cilëve Aeroporti do të jetë nën menaxhim të kosovarëve për të paktën edhe 30 ditë.
Dhënia e një afati shtesë është në kundërshtim me kontratën e nënshkruar nga Qeveria dhe koncesionari i ri, ku thuhet se koncesioneri ka të drejtë të kërkojë shtyrje të një afati deri në 120 ditë, afat ky i shfrytëzuar nga partneri privat një muaj më parë për vetëm 30 ditë. Zyrtarët e lartë të PPP-së një muaj më parë patën thënë se partneri privat ka pasur të drejtë të kërkojë vetëm një herë shtyrje të afatit deri në 120 ditë.
“Nuk do të ketë më shtyrje”, pati thënë Lorik Fejzullahu, udhëheqës i PPP-së, i cili të hënën ishte e pamundur të kontaktohej.
Dhënien edhe të një afati e ka konfirmuar një zyrtar tjetër i PPP-së.
“Partneri privat, në bazë të kushteve të Marrëveshjes së PPP-së për ANP-në, ka kërkuar që afati të zgjatet për 30 ditë”, ka pohuar Donat Alaj nga Zyra e njësisë së PPP-së.
Transferimin e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” tek “Limak Kosovo International Airport JSC” ishte paraparë fillimisht të bëhej më 7 shkurt të këtij viti.
Drejtori i Aeroportit nuk ka marrë ende një konfirmim nëse është shtyrë apo jo kalimi i kompetencave tek partneri privat.
“Ne jemi duke vazhduar punën normalisht. Tani për tani nuk kemi ndonjë njoftim për shtyrje”, tha Agron Mustafa, drejtor i aeroportit “Adem Jashari”.
Sipas kontratës, Qeveria ka të drejtë shkëputjen e njëanshme të kontratës me operatorin privat në rast se partneri privat nuk i plotëson kushtet e parapara me kontratë për periudhën kalimtare prej 180 ditësh, plus të një periudhe të kërkuar shtesë./kn