Shtetet e Bashkara të Amerikës kanë uruar përfaqësuesit e rinj të institucioneve të cilët u zgjodhën nga dy seancat e Kuvendit të Kosovës. Urimi ka ardhur përmes një deklarate për
media të lëshuar nga ambasada e tyre në Prishtinë. “Ne i urojmë Kosovës dhe të gjithë atyre që janë zgjedhur për ta udhëhequr kombin përmbylljen e suksesshme të këtij procesi epik të zgjedhjeve”.“Me zgjedhjet pas nesh për një të ardhme të parashikueshme, tani është koha që qeveria e re t’ia fillojë punës së qeverisjes. Kosova përballet me sfida të shumta dhe me një agjendë të mbushur plot. Në këtë drejtim, përqendrimi i Kryeministrit Thaçi në një agjendë substanciale, e cila përshkruan një vizion për të ardhmen e Kosovës është jashtëzakonisht i mirëseardhur”, thuhet në deklaratë.
“Thirrja e Kryetarit Pacolli për zgjedhje të drejtpërdrejtë të Kryetarit të Kosovës pasqyron një të kuptuar që është i përbashkët për të gjitha forcat politike në Kosovë, dhe një punë e hershme për këtë reformë do të jetë po ashtu shumë e mirëseardhur”. “Si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të ndihmuar qeverinë e re si mik dhe partner”,vlerësohet më tej në deklaratën e lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë.