t’i kryesojë përfaqësuesi i BE-së, Robert Cooper. Planifikohet që pas takimit përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, të shpallë komunikatën, kurse përfaqësuesit e dy ekipeve t’u drejtohen medieve të mërkurën.
Ndryshe nga bisedimet e zhvilluara në Vjenë, rrethi i ri i dialogut do të zhvillohet ekskluzivisht me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por edhe me praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këtyre bisedimeve u paraprin një varg inciativazh e takimesh të tjera.
Shtator 2010 – Asambleja e Përgjithshme e KB miraton rezolutën me të cilën i hapën dyert fillimit të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe përshëndetet gatishmëria e BE-së që t’i ndërmjetësojë ato bisedime.
Korrik 2010 – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerëson se pavarësia e shpallur njëanshëm e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
22 shtator 2009 – Skadon afati për përgjigje në tre pyetjet, të cilat gjykatësit e Gjykatës Ndërkombëtare i kishin bërë në fund të shqyrtimit nëntëditor – a është e lejuar pavarësia jashtë kontekstit të dekolonizimit, a kanë zhvilluar fushatë zgjedhore institucionet e përkohshme të Kosovës në vjeshtë të vitit 2007 në platformën për shpalljen e njëanshme të pavarësisë, si dhe me dokumentin e Rambujesë a është përcaktuar e drejta për vetëvendosje.
1- 11 dhjetor 2009 – Para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë fillin shqyrtimi mbi legalitetin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Serbia dhe Kosova kanë nga tri orë për të parashtruar argumentet. Gjatë nëntë ditëve të shqyrtimit para GJND-së në Hagë, mendimet e veta mbi legalitetin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës i paraqitën 29 delegacione.
Vlerësimin se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, përveç Serbisë, e përfaqësuan Kina, Rusia, Spanja, Rumania, Qipro, Argjentina, Brazili, Vietnami, Bolivia, Venezuela, Azerbajxhani dhe Bjellorusia.
Vlerësimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme krahas përfaqësuesve të Kosovës e përfaqësuan SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Holanda, Austria, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Bullgaria, Kroacia, Shqipëria, Jordania dhe Arabia Saudite. Përfaqësuesi i Burundit vlerësoi se Kosova do të vazhdojë të ekzistojë si entitet, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
8 tetor 2008 – Asambleja e Përgjithshme e KB, miraton me shumicë votash, kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet mbi legalitetin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Propozimin e rezolutës serbe e mbështetën 77 delegatë, kundër ishin 6, përkatësisht përfaqësuesit e Pallaut, Naurit, Mikronezisë, ishujve Marshall, Shqipërisë dhe SHBA-së.
15 gusht 2008 – Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, zyrtarisht ia dorëzon kërkesën Asamblesë së Përgjithshme të KB, duke kërkuar që ky trup të mbështesë rezolutën e Serbisë me të cilën kërkohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e shpalljes së njëanshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pyetja për këtë gjyq ishte e formuluar: “A është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë?”
26 mars 2008 – Serbia paralajmëron se do të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet se me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare. Serbia këtë iniciativë do ta shpallë përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
21 shkurt 2008 – Rreth 500 mijë njerëz tubohen në qendër të Beogradit në një miting “Kosova është Serbi”.
18 shkurt 2008 – Kuvendi i Serbisë vërteton vendimin e qeverisë për anulimin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, si gjoja të paligjshme. Për propozimin e qeverisë së Serbisë votuan 225 deputetë.
17 shkurt 2008 – Parlamenti i Kosovës shpall pavarësinë, e cila festohet në të gjitha qytetet e Kosovës. Brenda pak ditësh pavarësinë e Kosovës e njohën SHBA, Turqia, Shqipëria, Austria, Gjermania, Italia, Franca, Britania e madhe, Australia, Polonia. Deri tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 75 vende.
19 dhjetor 2007 – Këshilli i Sigurimit i KB nuk nxori kurrfarë përfundimi në lidhje me çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Serbia kërkoi vazhdimin e negociatave dhe kundërshtoi dërgimin e misionit të BE-së në Kosovë pa vendim paraprak të KB. Sejdiu deklaroi se e vetmja zgjidhje e pranueshme për statusin e Kosovës është pavarësia.
10 dhjetor 2007 – Treshja negociatore BE- SHBA-Rusi pas 100 ditësh negociatash mbylli misionin. Në raportin e Wolfgang Ischingerit, Frank Wiznerit dhe Aleksandër Horçenkos, theksohet se Beogradi dhe Prishtina nuk arritën marrëveshjen mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, dhe se të dy palët i obligon për vetëpërmbajtje nga dhuna. Beogradi kërkoi vazhdimin e negociatave, kurse shqiptarët e Kosovës nuk heqin dorë nga shpallja e pavarësisë.
27-28 shtator 2007 – Shefat e diplomacisë së vendeve të Grupit të Kontaktit theksuan në New York përcaktimin e zgjidhjes së marrëveshjes për statusin e Kosovës, që do ta konfirmonte Këshilli i Sigurimit i KB.
Negociatat direkte të përfaqësuesve të Beogradit e Prishtinës, pas së cilave shqiptarët e Kosovës paraqitën Propozimin e marrëveshjes mbi vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore midis shtetit të Serbisë e Kosovës, të cilin zyrtarët serbë e refuzuan.
10 gusht 2007 – Treshja negociatore BE- SHBA-Rusi filloi raundin e ri, 120 ditësh, të negociatave. Në treshen ndërmjetësuese ishin të qarta ndasitë ndërmjet qëndrimit rus e amerikan – Rusia thekson se Pakoja e Ahtisarit ka dështuar dhe se negociatat nuk duhet të kufizohen në pikëpamje kohore, ndërsa SHBA kërkon zgjidhje brenda 120 ditësh dhe në bazë të planit të deleguarit të KB.
20 korrik 2007 – Të ballafaquar me kërcënimin e qartë të vetos ruse, SHBA dhe 5 anëtare të BE-së heqin dorë nga vazhdimi i procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të KB, dhe paralajmërojnë se përkujdesjen e mëtejshme ndaj këtij procesi, që nga përfundimi i muajit, ta marrë Grupi 6-anëtaresh i Kontaktit. Presidenti amerikan, George Bush, disa ditë më vonë, deklaroi se ishte koha që Kosova të bëhej shtet i pavarur.
13 korrik 2007 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët e BE-së i parashtruan Këshillit të Sigurimit propozimin e ri, të pestin të Rezolutës për Kosovën, me të cilën serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës u liheshin edhe 120 ditë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, por pa automatizëm në zbatimin e Planit të Marti Ahtisarit, nëse ato negociata nuk mbyllen me sukses.
25 prill 2007 – Këshilli i Sigurimit, me kërkesë të Beogradit e Moskës, dërgoi në Kosovë një mision të veçantë, i cili brenda katër ditëve vlerësoi gjendjen në terren meqë disa shtete anëtare të atij trupi “shfaqën rezerva ndaj zgjidhjes” që kishte propozuar Ahtisari.
20 mars 2007 – Ahtisari në raportin përfundimtar për Këshillin e Sigurimit të KB propozoi pavarësi të mbikëqyrur si zgjedhje për statusin e Kosovës. “Riintegrimi i Kosovës në Serbi nuk është opsion real, prandaj pavarësia ndërkombëtare e mbikëqyrur është zgjidhja më e mirë”, theksonte Ahtisari.
2 shkurt 2007 – Ahtisari paraqet projektin e zgjidhjes, të cilin Serbia e hedh poshtë, ndërkaq shqiptarët e Kosovës e pranojnë. Edhe pse në dokument askund nuk përmendej në mënyrë implicite fjala pavarësi, Kosovës i jepej e drejta të aplikojë për anëtarësi në organizatat ndërkombëtare, të formojë forca të armatosura dhe të miratojë simbolet kombëtare.
20 shtator 2006 – Ahtisari në New York informon Grupin e Kontaktit me rrjedhjen e negociatave. “Meqë procesi po hyn në fazën përfundimtare, ministrat shpresojnë për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit të fundit të madh në lidhje me shpërbërjen e Jugosllavisë”.
24 korrik 2006 – U mbajt rundi i parë i negociatave për statusin e Kosovës në nivelin më të lartë, me ç’rast presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, Kosovës i ofronte autonomi thelbësore brenda kufijve të Serbisë, që presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e hodhi poshtë, duke theksuar se pavarësia është e vetmja zgjidhje, të cilën do ta pranojnë shqiptarët. “Beogradi është i gatshëm të japë çdo gjë pos pavarësisë, kurse Prishtina nuk dëshiron asgjë pos pavarësisë”, deklaronte Ahtisari.
Shkurt – shtator 2006 – Në Vjenë u mbajtën 10 raunde bisedimesh.
Janar 2006 – Grupi i Kontaktit konfirmoi parimet negociuse dhe i bëri thirrje Beogradit e Prishtinës të punojnë në mënyrë konstruktive me Ahtisarin, për të gjetur zgjidhje reale për shumë çështje të vështira, të cilat duhet të shqyrtohen.
11 nëntor 2006 – Ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari, zgjedhet negociator kryesor dhe 10 ditë më vonë arrin në Prishtinë, duke shënuar kështu praktikisht fillimin e procesit negociator.
24 tetor 2005 – Këshilli i Sigurimit i KB jep dritën e gjelbër fillimit të bisedimeve mbi të ardhmen e Kosovës. Ambasadorët e organit më të lartë të Organizatës botërore mbështetën propozimin e Sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm të KB, Kofi Anan, që të fillojnë bisedimet mbi statusin e Kosovës.
7 tetor 2005 – Grupi i Kontaktit miraton parimet e zgjidhjes së statusit të Kosovës, në të cilat theksohet se kjo zgjidhje duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut,demokracinë dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe të kontribuojë për sigurinë në rajon.
Fillimi i vitit 2001 – Presidenti i atëhershëm i RF të Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, u përpoq të nisë negociatat me liderin e shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën, por ekipi kosovar në momentin e fundit hoqi dorë nga pjesëmarrja për mbledhjen përgatitore. Po këtë fat, e përjetuan edhe përpjekjet e kryeministrit Zoran Gjingjiq që të hapë procesin negociator me shqiptarët e Kosovës.
9 qershor 1999 – Fundi i bombardimeve, kur forcat serbe të sigurisë u tërhoqën nga Kosova, kurse në Kosovë hyri misioni i Organizatës botërore, UNMIK, dhe trupat e NATO-s, KFOR-i.
24 mars 1999 – NATO filloi bombardimin e Serbisë.
22 mars 1999 – Nga Kosova evakuohet misioni vëzhgues i OSBE-së.
Shkurt 1999 – Dështojnë negociatat ndërmjet Beogradit e Prishtinës në Rambuje.
1998 – 1999 – Washingtoni emëron Critopher Hillin për raportues special nga Kosova. Hill në shkurt të vitit 1999 udhëton ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duke iu ofruar palëve versione të ndryshme për zgjidhje për kompromis. Me Hillin në bisedime kanë marrë pjesë edhe të deleguarit specialë të BE-së dhe Rusisë, Wolfang Petrisch dhe Boris Majorski./kn