Për sa i përket temës, shanset më të mëdha për t’u vlerësuar pozitivisht i kanë filmat aksion dhe temat jo shumë familjare
Filmi ideal?
Ku aktori kryesor është 53 vjeç, ndërsa aktorja rreth të 40-ave, e që të dy “jetojnë” një histori të vendosur në një vend gjeografikisht të largët. Filmi pëlqehet shumë nëse i përket kategorisë aksion dhe aq më mirë nëse në brendësi të tij zhvillohet ndonjë histori kriminale.
Shumë pak preferohen filmat ku tema kryesore është ajo e jetës së përditshme, jetës reale. Filmi duhet të kënaqë nevojën e të bërit për vete të spektatorit dhe dëshirën e tij për t’u arratisur, që kërkon ta përjetojë kur paguan një biletë për të hyrë në sallën e errët të kinemasë.
Identikitin e filmit më të dashur për publikun e ka krijuar një kërkim i bërë nga një docente e marketingut në universitetin “Roma Tre”, Michela Addis, së bashku me një kolegun e saj amerikan, Morris B. Holbrook, ish-docent në Universitetin e Kolumbias.
Çfarë e bën një film të suksesshëm? Cili është thelbi i suksesit për t’u pëlqyer nga publiku?
Dy kërkuesit kanë provuar t’u përgjigjen pyetjeve që mundojnë prej kohësh industrinë kinematografike, duke analizuar në mënyrë shkencore magjinë e kinemasë. Kështu, të dy kanë përdorur dhe krahasuar variablet dhe statistikat e filmave që kanë qenë kandidatë për “Oskar” nga viti 1927 deri më 2003-shin. Numri i tyre ishte rreth 440. Të dhënat janë mbledhur përmes “Internet data base”, që publikon vlerësimet e shprehura nga shikuesit për filmat me anë të pikave nga 1 deri tek 10.
“Një kuriozitet që del nga kërkimi, ka të bëjë me diferencën e moshës ideale: 13 vjet mes aktorit protagonist dhe aktores kryesore”,
...shpjegon Michela Addis. “Por në këtë rast flasim për një të dhënë të përgjithshme, duke analizuar maksimumin e preferencave”. Ja si mund të shpjegohet pjesërisht suksesi i çifteve ideale kinematografike që kanë tronditur kinemanë: Humphrey Bogart dhe Audrey Hepburn, Cary Grant dhe Grace Kelly, Harrison Ford dhe Annette Benning. Rastet më të mira, sipas studiuesve, duke marrë në konsideratë moshën, janë te “Mësime pianoje” me Harvey Keitel dhe Holly Hunter, respektivisht 54 dhe 35 vjeç, dhe te “Julia” me Jason Robards dhe Jane Fonda respektivisht 55 dhe 40 vjeç.
“Receta për një film të mirë ka shumë, por ne ishim të parët që përdorëm të gjitha variablet së bashku, duke nxjerrë diçka shumë më afër realitetit”.
Nga kërkimi, i publikuar në “Psychology & Marketing”, dalin edhe tregues që përgënjeshtrojnë efikasitetin e strategjive tradicionale publicitare: “Fuqia e yjeve të kinemasë prej kohësh i besohet kapacitetit për të identifikuar spektatorët. Ne kemi zbuluar se nuk është identifikimi ai që udhëheq pëlqimin e publikut, por “tërheqja romantike” drejt seksit të kundërt. Më mirë akoma nëse je i ri dhe në këtë rast nuk vihen re diferencat mes meshkujve dhe femrave”. Strategjitë promocionale, thotë Addis, duhet t’i marrin parasysh këto rezultate, duke lidhur protagonistin e seksit të kundërt me atë të qëllimit të filmit. Mes faktorëve të tjerë për të prodhuar një film të suksesshëm, kërkuesit flasin për një regjisor të moshuar dhe me emër, sepse, sipas dëshirave të publikut, janë ata që mund të prodhojnë filma që mund të fitojnë shumë çmime. Mes titujve të filmave më të vlerësuar janë: “Zotëria i unazave”, “Kumbari”, Kazablanka”.
Intervista
Për regjisorin e njohur, variablet e suksesit janë të pallogaritshme
Placido: S’ka asnjë formulë, publiku zgjedh sipas dëshirës
Michele Placido, ju besoni tek formula e filmit perfekt?
Jo. Publiku i kinemasë është befasues. Refuzon në mënyrë të habitshme të zbatojë rregulla apo statistika të caktuara. Mendoj se një studim si ky, edhe pse mund të jetë shumë i detajuar, ka pak besueshmëri. Para së gjithash, për shkak të përzgjedhjes: filmat janë zgjedhur në bazë të kandidaturave për “Oskar”. Unë mendoj se publiku duhet parë më gjerë dhe është shumë ndryshe nga ai që blen biletat dhe shkon në kinema.
Formulat e nxjerra nga ky studim, sipas jush, funksionojnë?
Është e vërtetë se mosha e pjekur e regjisorit është një siguri për publikun për suksesin e filmave të tij. Përkundrazi mendoj se mosha e protagonistëve duhet të jetë më e vogël: Kim Rossi Stuart është 40 vjeç, Tom Cruise është 44 dhe publiku prej kohësh ka treguar se janë një garanci për të. Madje edhe në të dhënat mbi diferencën e moshës se çifti ka disa elemente të vërteta. Por të gjitha këto nuk shërbejnë për të planifikuar suksesin në tavolinë.
Sepse kinemaja jo gjithmonë është një vepër arti, por ngelet një produkt fantazie: e pamundur të kuptosh nëse do të prekësh fantazinë e publikut pa marrë parasysh rrethanat e jashtme që ndikojnë te filmi.
Për shembull?
Mjafton të shohësh suksesin e filmit “Mirë se erdhët në Jug” apo të filmit “Gomorra”, suksesi i të cilit u detyrohet imazheve dhe krizës së plehrave në Napoli, që shumë shpejt bënë xhiron e botës.