e mërkurë, 23 shkurt 2011

Veteranët e UÇK-së nuk e njohin Pacollin president

Posa është votuar dhe ka dhënë betimin si president i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, është zotuar se do të punojë për kategoritë e dala nga lufta, por
nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje që ia kanë shtruar veteranët e luftës së UÇK-së. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, e ka kundërshtuar zgjedhjen e Pacollit president dhe ka thënë se veteranët nuk do ta pranojnë atë. Xhemajli është shprehur hapur se ky qëndrim do të mbetet i njëjtë derisa Pacolli të japë sqarime “për deklaratat që ka dhënë në mediume të ndryshme se Kosova nuk bën pa Serbinë”. Por, kreu i OVL të UÇK-së për zgjedhjen e Pacollit president nuk ka fajësuar deputetët që ia kanë dhënë votën atij.

“Fajtorë për zgjedhjen Pacollit president janë edhe deputetët e tri partive që lëshuan sallën e Kuvendit në seancën e jashtëzakonshme. Ata do të duhej të merrnin pjesë në Kuvend dhe të votonin”, i ka thënë Xhemajli KTV-së.
Këto shoqata i janë drejtuar të dielën nëpërmjet një letre të hapur kryetarit, Kryesisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të kërkojnë nga kandidati për postin e presidentit, Behgjet Pacolli, që para seancës konstituive të Kuvendit më 21 shkurt të japë sqarime në lidhje me deklaratat e tija dhënë mediave të ndryshme të huaja, të cilat kohëve të fundit janë duke u publikuar edhe në mediat vendore. 


Duke i konsideruar deklaratat e Pacollit si antikombëtare, të papërgjegjshme dhe të padenja për një njeri që pretendon të jetë përfaqësues i popullit, shoqatat e luftës kanë kërkuar që Pacolli të sqarojë se kënd e konsideron ai nënë të Kosovës, çfarë do të thotë ai  me fjalën “do të jem Tito i Kosovës”, në cilin kontekst Pacolli e gjen vëllazërinë e popullit shqiptar dhe atij serb, në kontekst etnik, fetar, kulturor apo gjuhësor.


Mirëpo Pacolli nuk u është përgjigjur këtyre pyetjeve në Kuvend përveçse në një komunikatë të lëshuar si reagim ndaj letrës së veteranëve ka thënë se asnjëherë nuk i ka menduar ato.
Ndërkaq, drejtori i “Rockerfeller Brothers Fund” për Ballkanin Perëndimor, Haki Abazi, ka thënë se të martën ka përfunduar cikli i dhunimit të institucioneve, të Kushtetutës dhe krijimit të institucioneve shtetërore të Kosovës. Abazi thotë se si proces, sidomos radha e tretë e votimeve lë hapësirë për interpretim dhe presion mbi deputetë në vendimmarrje.

 
“Është shumë e qartë që me largimin e opozitës që përbën shumicën e përfaqësuesve shqiptarë është gjithashtu legjitimiteti i presidentit dhe i Qeverisë është i limituar, nuk i përfaqëson interesat e Kosovës në përgjithësi e më së paku presidenti, i cili duhet të jetë institucioni unifikues”, ka thënë Abazi.


“Në fund të gjitha dyshimet e ngritura që përcjellin emrin e z. Pacolli e bënë praktikisht presidentin që të jetë një figurë e parespektuar, i cili nuk reflekton unitetin e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shtuar ai. Abazi ka vlerësuar se ardhja e Behgjet Pacollit në krye të vendit do ta thellojë edhe më tutje krizën dhe imazhin e keq të Kosovës si brenda, ashtu edhe jashtë saj. 


“Z Pacolli nuk përfaqëson unitetin dhe nuk përfaqëson legjitimitetin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut  ka thënë se Pacolli është i dëmshëm për vendin, për të ardhmen e saj, por edhe për vetë ndërkombëtarët, të cilët, sipas Shalës, kanë bërë presion të martën që të votojnë për të.
“E keni parë që ka insistuar prej fillimit të zgjidhet president. Nuk e ka zgjedhur mënyrën as mjetet për president dhe çka është më e turpshme, z. Pacolli është zgjedhur president me votat e 37 deputetëve shqiptarë, ndërsa 53 deputetë shqiptarë kanë qenë kundër zgjedhjes së Pacollit për president”, ka thënë drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala.



 Kjo, sipas tij, tregon se Pacolli në aspektin institucional është i papranueshëm, në aspektin moral është i dështuar. 
“Procesi politik në të cilin po kalon Kosova nuk ka nevojë për një president siç është Pacolli. Unë e konsideroj si pikë të zezë për demokracinë e Kosovës, ngase Kuvendi i Kosovës skajshmërisht është dhunuar”, ka thënë ai, duke shtuar se deputetët që kanë votuar kundër Pacollit në raundin e parë dhe të dytë janë dhunuar derisa nuk janë bindur që duhet të votojnë për t’i siguruar numrat.


“Është jashtëzakonisht e pamoralshme, është e turpshme që një deputet brenda gjysmë ore ta ndërrojë qëndrimin pro ose kundër. Për gjysmë ore nuk mundet njeriu ta ndërrojë bindjen po qe se nuk i nënshtrohet një presioni, nëse nuk e ka një frikë edhe nuk e ka një interes që dikush t’ia plotësojë ndërkohë. Kjo s’ka të bëjë fare me demokracinë, mendoj që ka qenë një presion i madh i deputetëve për të votuar”, ka vlerësuar Behxhet Shala.



 “Unë kam qenë në galeri aty dhe e kam parë sidomos pas votimit të dytë kur ka qenë e diskutueshme nëse do t’i marrë votat e mjaftueshme, por ka qenë një presion i pashembullt”. Shala ka shtuar se kjo ka ndodhur në një kohë shumë të ndjeshme, kur duhet të fillohen bisedimet me Serbinë./kn
shko