Konstatimi i vazhdueshëm publik i varfërisë në Kosovë në formën e përqindjeve të caktuara e ka krijuar përshtypjen që varfëria është këtu për të mbetur. 45% dhe 18% – kjo është Kosova. 45 me 2 dhe 18 me 1 – këta janë numrat identifikues të Kosovës. Kosova është e varfër sepse Kosova është kaq e varfër: 45 me 2 dhe 18 me 1. Këta janë numrat e vendit tonë; kështu jemi sepse këta numra i kemi. Nuk ka çka të diskutohet këtu. Është kështu siç është. Ky është realiteti ynë. Ky realitet jemi ne të këtillë çfarë jemi. Ndoshta dikur ka qenë më ndryshe, ndoshta dikur do të bëhet ndryshe, por nuk e dimë këtë. E dimë që jemi kështu: 45% aso dhe 18% këso.
Varfëria e kurthuar kësisoj në brutalitetin e numrave fiksë ngjan si një fakt objektiv që mund ta perceptosh më parë se sa ta ndryshosh, dhe që mund ta përshkruash më parë se sa ta shpjegosh. E sublimuar në numrat përkatës varfëria përjetohet si imanenca e situatës sonë që mund të përdoret si argument në diskutimet politike e të tjera, por jo edhe të diskutohet ajo vetë. Varfëria e kuantifikuar profesionalisht bëhet përgjigje për shumë pyetje që ngrihen duke mos lejuar që ajo vetë të vihet në pikëpyetje. Nga një dukuri me shkaqe politike varfëria është shndërruar në fakt jetësor. Thonë që jemi të paditur e me shëndet të dobët sepse jemi të varfër; që kemi politika të mbrapshta qeveritare sepse jemi të varfër; që kemi institucione shtetërore të dobëta sepse jemi të varfër; që nuk jemi të zhvilluar dhe kemi korrupsion sepse jemi të varfër. Por, nuk thuhet e sqarohet pse jemi të varfër. Ose: qenkemi të varfër sepse jemi të varfër. Kaq. Varfëria na qenka njëfarë mallkimi ynë për të cilin s’ia vlen të debatosh. Ajo është një fakt i kryer kontestimi i së cilës është veçse vajtim i kotë.
E vërteta është se duhet përmbysur këtë rend alogjik të gjërave. Ne jemi të varfër për shkak se jemi të paarsimuar e me shëndetësi të dobët; ne jemi të varfër për shkak se kemi politika qeveritare të mbrapshta; ne jemi të varfër për shkak se kemi institucione shtetërore të dobëta; ne jemi të varfër për shkak se nuk jemi të zhvilluar dhe kemi korrupcion; dhe, ne jemi të varfër e kemi fare pak - ndonëse jemi të ndershëm - për shkak se dikush tjetër ka tepër shumë në mënyrë të pandershme. Para se të jetë shkaku i shumë fenomeneve shoqërore e kulturore (të shumicës së qytetarëve), varfëria është pasojë e politikave ekonomike (të udhëhequra nga pakica prej pushtetarëve).
Në anën tjetër, varfëria e shenjuar me numrat e ftohtë të saj 45 me 2 dhe 18 me 1 e mpin trurin e publikut lidhur me mjerimin e përditshëm në të cilin ai është pllakosur. Këta 18% që jetojmë me më pak se një dollar në ditë janë njerëz të uritur për çdo ditë, që as bukë nuk kanë mjaftueshëm. Sigurisht që nuk kanë as ngrohje, rroba, këpucë e pastrim adekuat dhe janë të ngujuar aty ku banojnë, meqë asnjëherë s’kanë para për udhëtim me autobus. Të gjitha këto probleme i kanë edhe ata me shifrën 45 me 2. Dallimi është në nuancë dhe jo në lloj. Me dy dollarë në ditë nuk ke ditë kushedi sa më të mira sesa ai që ka vetëm një dollar në ditë.
Prandaj, kur politikanët kosovarë flasin për mirëqenien sociale duke iu referuar arsimit cilësor, shëndetësisë së avansuar dhe punësimit sipas profesionit, harrojnë që nuk janë duke i folur shumicës dërrmuese të popullsisë. Aq e rëndë është bërë gjendja në Kosovë me çmimet që sa vie e rriten, saqë mirëqenia sociale për shumicën nuk përkufizohet në terma të jetesës por të mbijetesës. Kemi rënë në rrafshin ekzistencial ku për shumicën e popullsisë mirëqenia sociale nuk matet më me arsimin, shëndetësinë e punësimin, por me ushqimin, veshmbathjen, ngrohjen, higjienën dhe transportin. Nuk mund të bëjnë mësim nxënësit nëpër shkolla nëse janë të uritur. Nuk mund të shërohen pacientët nëpër spitale kur aty s’ka ngrohje dhe as higjienë të duhur. Nuk ka se çfarë i duhet kujt vendi i punës nëse gati gjysmën e pagës ia marrin shpenzimet e udhëtimit. Edhe sa shqiptarë duhet të mbyten në lumin Tisa apo nëpër malet e Bosnjes, duke ikur nga Kosova, që pushteti dhe politikanët e numrave të ftohtë ta kuptojë këtë gjë?! /Vetëvendosje