e hënë, 13 dhjetor 2010

Nervozohet për Skenderajn e Drenasin

Delegacioni vëzhgues i Parlamentit Evropian që mbikëqyri ecurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ka vlerësuar se procesi në përgjithësi ishte organizuar mirë dhe se pjesëmarrja në votime, siç thuhet, inkurajon zhvillimin e demokracisë në vend. 


Megjithatë, “akuza serioze për manipulime” në komunën e Skënderajt dhe të Drenasit thuhet se i janë bërë të ditura këtij delegacioni. Eurodeputetët u kërkuan institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për të zgjidhur problemet që flasin për mashtrime në këto dy komuna. 

Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, shpjegoi:

“Ne u bëjmë thirrje kosovarëve që të respektojnë institucionet dhe kërkoj që ata t’u besojnë atyre. Ato do të duhet të tregojnë se janë të besueshme”.

Eurodepeputetja Ulrike Lunacek, ndërkaq, tha se partitë politike duhet t’u drejtohen mekanizmave përgjegjës, pra Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me pakënaqësitë për ecurinë e procesit zgjedhor në dy komunat në fjalë.

“Është e rëndësishme që qytetarët dhe partitë t’i drejtohen fillimisht PZAP-it për t’i paraqitur ankesat e tyre. Nëse ankesat nuk merren seriozisht ata duhet ta bëjnë publike dhe këtë. Ne do t’i dëgjojmë ata nëse sërish ka probleme dhe nëse nuk shqyrtohen ankesat”,
 u shpreh Lunacek duke theksuar nevojën që ndaj keqbërësve të merren masat ndëshkuese në rast se vërtetohen parregullsitë.

Sipas shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votime, në Skenderaj kanë votuar 93.68% e qytetarëve, ndërsa në komunën e Drenasit kutive të votimit u janë drejtuar 86.94%. 

Paritë politike, ndër të tjera, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me votime të shumëfishta që, sipas tyre, kanë ndodhur në këto komuna për shkak të mosfunksionimit të baterive ultravjollce.

Delegacioni i PE-së është udhëhequr nga Doris Pack, përfshirë Eduard Kukan, Jutta Steinruck, Francesco de Angelis, Jelko Kacin, Fiona Hall dhe Ulrike Lunacek, e cila gjithashtu është raportuesja e PE për Kosovën./rel/
shko