e shtunë, 8 janar 2011

Vitet zvicerane të Hashim Thaçit

Kosova dhe lideri i saj, Hashim Thaçi vazhdojnë të jenë temë interesante për shtypin e Zvicrës.
Gazeta LeTemps raporton gjerësisht për kohën e Thaçit në Zvicër, ku përgatiste aktivitetet e UÇK-së, që më vonë do të ngjallnin dyshime, sipas saj.
“Diskret, dhe shumë i kujdesshëm për shkak të aktivitetit klandestin që udhëhiqte, njeriu i njohur me nofkën ‘Gjarpëri’ la shumë pak gjurmë këtu”, shkruan gazeta.
Aty sillen rrëfimet e dy prej njerëzve më të afërt të tij në Zvicër, Ramadan Avdiu dhe Bardhyl Mahmuti.
Në vitin 1994, Thaci erdhi në Zvicër, si 26 vjecar. “Ai iku nga policia serbe që në vitin 1993 ndërmori një aksion për arrestimin e lëvizjes ilegale. Shtëpia e tij u bastis dhe ai kërkohej nga policia. Për pak e shpëtuam nga ekzekutimi apo një dënim i madh me burg”, kujton Avdiu, që në Zvicër shkoi 1 vit para tij.
Thaçi shkoi fillimisht në Austri, e nga aty në Zvicër ku bëri kërkesë për azil. Shumë shpejt u bë refugjat. “Ai dërgoi një kërkesë në vitin 1995 dhe iu aprovua në vitin 1996”, thonë në Zyrën për Migracion Federal. Pas qëndrimit në një banesë kolektive në Appenzell, ai më pas u zhvendos në Dietikon. Me të ishte edhe gruaja e tij, Lumnija. Ai nisi të shkojë në Universitetin e Zurichut për të studiuar shkenca politike dhe histori. Në Prishtinë, ku po studione filozofinë, kishte krijuar një lëvizje studenore kundër regjimit serb.
Profesori dhe eksperti ushtarak, Albert A. Stahel e kujton si shumë të kujdesshëm. “Ai e mori ligjëratën time për luftën e muxhahedinëve në Afganistan (1979-1989). Ai përdori mekanizmin e tyre të kontrollit për luftën e tij”, tha profesori.
Hashim Thaci në Zvicër shumë shpejt nisi të shoqërohej me udhëheqës të LPK-së dhe të tjerë shqiptarë që kishin luajtur rol në krijimin e UCK-së. Xhavit Haliti, Bardhyl Mahmuti, Fazli Veliu e Ali Ahmeti po grumbullonin para nga diaspora shqiptare për luftën e Kosovës. Shumë shpejt lindën dyshimet se për të siguruar para për armë, ata trafikonin heroinë.
“Këtu, Thaçi gjithmonë ka vepruar brenda rregullave dhe ligjeve të Zvicrës. Ai e konsideron Zvicrën atdheun e tij të dytë. Ai admiron institucionet dhe sistemin politik këtu”, thotë Ramadan Avdiu, që ende ka shtëpinë në Gjenevë.
Në korrik 1998, shteti zviceran hapi hetime  ndaj kosovarëve të dyshuar për “trafikim ilegal armësh, në kundërshtim me sovranitetin e vendit, akte të dhunshme dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale”. Pati arrestime, bastisje dhe bllokim të dy llogarive bankare.
Gjatë kohës së tij në Zvicër, Hashim Thaçi kthehej vazhdimisht në Kosovë për të takuar liderët e UÇK-së. E bënte në mënyrë klandestine. Autoritetet zvicerane thonë se sikur ta dinin, do t’ia hiqnin menjëherë statusin e refugjatit. Ai kalonte kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë në këmbë. “Ishte shumë e vështirë. Nuk mund të gjej fjalët. Hashimi e bënte këtë udhëtim 5-6 herë brenda vitit”, kujton Bardhyl Mahmuti.
Ai tregon kohën e përbashkët të tij me Thaçin në Zvicër dhe takimet në Aaru.
 "Ishte shumë praktike. Aarau është një lidhje e mirë hekurudhore. Ne takoheshim nëpër banesa, në bare e ndonjëherë edhe në zyret e gazetës së LPK-së. Në këtë kohë, ai nuk kishte shumë kontakt me diasporën e madhe kosovare. E favorizonte për shkak të asaj që bënte. Miq zviceranë? Shumë pak. Hashimi duhej të ishte diskret. Fqinjtë e tij kurrë nuk dyshuan asgjë për aktivitetin e tij politik.”, thotë Mahmuti.
Thaçi u kthye në Kosovë pas masakrës në Prekaz. Pa gruan e tij. Ajo nuk u kthye deri në pëfundim të luftës. Endriti lindi paraprakisht në Zurich.
Me t’u kthyer Thaçi merr gjërat nën kontroll. Tashmë i dyshuar për shumë aktivitete, ai akuzohet se brenda viteeve 1997 and 1998, urdhëroi një seri vrasjesh të rivalëve shqiptarë të luftës. Akuza që Dick Marty i sheh kredibile.
 Debati më i madh ende bëhet nëse ai e ka të ndaluar hyrjen në Zvicër. Departmenti përkatës nuk dëshiron të flasë, por njëherë atij iu refuzua viza hyrëse për në shtet në vitin 2001. /indeksonline/lestemps/
shko