doli për të takuar farmacistët me qëllimin që t’i bindë të heqin dorë nga greva, duke ua kujtuar atyre se kështu ata po rrezikonin drejtpërsëdrejti shëndetin e pacientëve, nuk ua theu mendjen nga qëllimi.
“Ne do të hyjmë në grevë që nga ora 7:00 e mëngjesit të ditës së martë dhe deri në orën 7:00 të mëngjesit të ditës së mërkurë asnjë barnatore në Kosovë nuk do të punojë”, deklaroi të hënën kryetari i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyçi, dhe sot kështu ndodhi.
Greva, sipas kreut të farmacistëve të Kosovës, ka nisur si kundërpërgjigje ndaj aksioneve arbitrare dhe të përsëritura të ndërmarra nga ana e Doganave të Kosovës në barnatoret e vendit, edhe pas reagimeve të shumta nga ana e komunitetit farmaceutik, u detyruam të marrim vendimin për organizimin e grevës 24-orëshe me mbyllje të të gjitha barnatoreve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Farmacistët e bëjnë fajtore për këtë hap edhe AKPM-në dhe vetë Ministrinë.
Sipas një njoftimi të shoqatës që ai përfaqëson, thuhet se “aksionet e lartpërmendura kanë qenë shumë fyese dhe denigruese për komunitetin farmaceutik të Kosovës, posaçërisht duke pasur parasysh që thelbi dhe shkaktari i situatës së krijuar janë vetë institucionet e Kosovës, përkatësisht Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, Ministria ë Shëndetësisë dhe Doganat e Kosovës si pjesë e Task Forcës”.
Ministri Agani, ndërkaq, ka deklaruar të hënën për “Kohën Ditore” se “veprimet e Doganave dhe të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike janë veprime të bazuara në ligj. Më pas ai ka thënë se është pjesë e përgjegjësisë së të gjithëve që të kenë kujdes të veçantë në ruajtjen e shëndetit të pacientëve.
Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për shtyp e ka vlerësuar protestën e Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës si “veprim të panevojshëm, që nuk i shërben tejkalimit të situatës së rëndë në sektorin farmaceutik të vendit”.
“ Ministria e Shëndetësisë kërkon nga Shoqata e Farmacistëve të Kosovës që aktivitetet e paralajmëruara të jenë në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor dhe duke parandaluar në tërësi rrezikimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të jetës ose të shëndetit të qytetarëve; në mes të tjerave edhe duke organizuar shërbimin e kujdestarisë së barnatoreve në gjithë territorin e vendit në pajtim me nenin 16 të Ligjit për greva”, thuhej në komunikatën e djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë.
Farmacistët kanë kërkuar që të ndërpriten menjëherë aksionet e Doganave të Kosovës dhe TASK FORCËS nëpër barnatoret e Kosovës, pastaj që AKPM-ja së bashku me MSH-në të marrë përgjegjësitë që i takojnë për rregullimin e tregut farmaceutik të Kosovës, duke lejuar importin e barnave nga vendet e BE-së, e të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë (nuk kanë autorizim marketingu), të cilat janë të domosdoshme për tregun e Kosovës.
“Kërkojmë anulimin e menjëhershëm të dënimeve prej 5.000.00 eurosh të lëshuara nga Doganat në barnatoret e Kosovës. Barnatoret si institucione shëndetësore janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë, prandaj inspektimi të bëhet vetëm nga Inspektorati farmaceutik”, thuhet në listën e kërkesave që kanë paraqitur farmacitë.
Ata janë kërcënuar se nëse pas grevës së parë kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, atëherë greva do të vazhdojë për kohë të pacaktuar deri në përmbushjen e tërësishme të tyre.