Në një intervistë për “Kohën Ditore”, deputeti Haradinaj ka treguar edhe për përgatitjet që ka bërë AAK-ja rreth denoncimit të shkeljes së Kushtetutës nga presidenti Behgjet Pacolli. Ka besim se brenda javës do të mblidhen 30 nënshkrimet e deputetëve, që janë të mjaftueshme për ta çuar në Kushtetuese çështjen. Midis deputetëve që bashkohen në iniciativë beson të jenë edhe të partive në pushtet e edhe të minoritarëve.
Ai ka folur edhe për opozitën dhe për nevojën për unifikim të qëndrimeve që duhet të kenë subjektet që nuk janë pjesë e pushtetit. Haradinaj ka thënë se akoma nuk e njeh LDK-në e re, me të cilën duhen bashkërenduar aktivitetet, ndërsa nuk e sheh të pamundur bashkëpunimin në shumë aspekte edhe me “Vetëvendosjen”.
Ky deputet i AAK-së ka deklaruar ta ketë kontratën e Qeverisë së Kosovës me “Bechtel&Enkan”, të cilën Qeveria nuk e ka publikuar kurrë. Premtimi i tij është se, nëse vazhdon ta mbajë fshehtë Qeveria, kopjet e kontratës do t’ia shpërndajë secilit deputet. Sipas Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të votojë planin e Qeverisë që përmes shitjes së PTK-së të paguhen faturat e ndërtimit të autostradës.
Në pyetjen rreth kompaktësisë së opozitës, Haradinaj tha se në tema madhore opozita ka qëndrim të përbashkët. Natyrisht që ka dallim, edhe përbrenda opozitës, mirëpo në atë që e kemi parë, e kemi vërtetuar se përafërsisht i ndajmë mendimet e njëjta për temat madhore. Sidomos, për shembull, për zgjedhjen e presidentit opozita ishte unike, për votimin e rezolutës për negociata, po ashtu opozita është treguar se është e bashkuar, ndërsa tash për buxhetin ta shohim se si do të veprojmë.
I pyetur pse nuk kishte opozita kandidat për president, Daut Haradinaj u përgjigj se ishte negociuar edhe brenda në parti për kandidaturën e Ahmet Isufit. Ahmeti nuk ka pranuar, edhe mendoj që ka pasur të drejtë që s’ka pranuar dhe, në anën tjetër, aty është dashur partia më e madhe opozitare ta bjerë një kandidat, në këtë rast LDK-ja. Mendoj që ka qenë veprim i gabuar që s’kemi dalë me kandidat.
Ai nuk e ka mohuar se mund të mbështetej edhe kandidatura e Jakup Krasniqit. Sinqerisht ju them që Aleanca ka pasur qëndrim bajagi pozitiv rreth Jakup Krasniqit për kandidat për president. Z. Krasniqi ka dëshmuar bajagi një lidership të kujdesshëm në këto rrethanat gjashtëmujore, sa ishte ushtrues detyre i presidentit. Do ta kishim mbështetur, besoj.
Për rolin opozitar të LDK-së Haradinaj u shpreh se kjo tanika një frymë të re tashmë në Parlament. Mendoj që LDK-ja me emrat që i ka shti në Parlament, ka mundësi për të punuar bashkë me Aleancën dhe me “Vetëvendosjen”. Ta shohim në të ardhmen se si do të veprojë brenda në Kuvend, për shkak se janë emra shumë të rinj dhe akoma nuk i njohim mirë.
Por nuk ishte i prerë nëse bashkë me LDK-në do të mund të adresonin në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin nëse u shkel Kushtetuta me votën për qeverinë të Behgjet Pacollit.
Daut Haradinaj, në intervistën për “ohën Ditore” është shprehur se AAK do ta votojë buxhetin nëse ai përmban rritjen e pagave, atë që e ka premtuar kryeministri dhe atë që e ka bërë marrëveshje. Sa e kam lexuar dhe sa e kam kuptuar buxhetin unë, është rritur për 72 milionë fondi i pagave, që nënkupton se është rreth 23 për qind rritja e pagave.
Por, duke e pasur parasysh se ai ka bërë një marrëveshje me laramani dhe nuk e ka marrë një qëndrim se do të rriten pagat, ta marrim shembull, 50 për qind, por për mësues 50 për qind, për mjekë 30 për qind, për administratën 27 për qind, nëse s’gaboj. Kjo është laramani dhe ne do të kërkojmë dhe do të insistojmë që ky ta mbajë premtimin, sepse ne besojmë se ky i ka marrë votat edhe mbi atë premtim.
Do ta votojmë nëse do të rriten rrogat 50 për qind, siç ka premtuar.
I pyetur se a do ta mbështesë AAK-ja shitjen e Postës, Haradinaj u përgjigj se ajo është aset nacional. Nuk guxon të shitet Posta në këto rrethana. Unë mendoj që duhet të jenë aksionet minimum 51 për qind që duhet t’i mbajë Qeveria e Kosovës ose shteti. Domethënë, të shiten një pjesë e aksioneve, e jo që Posta t’i jepet komplet, ndërsa prapë kushti ynë është që vlera të jetë sa më e lartë, e jo në këto rrethana që po përmenden shifra të caktuara që kërkohen fonde për pagesat e “Bechtel&Enkas”.
Daut Haradinja thotë se ka në dorë kontratën me “Bechtel-Enkan”
Unë mendoj që është një kontratë jo e mirë e që është në disfavor të Kosovës e të buxhetit, pohon ai. Haradinaj nuk përmendi nga e ka këtë kontratë.
Nuk dua të përmend emra. Kjo kontratë nuk është ilegale. Buxheti i Kosovës paguan miliona euro dhe besoj që këtë kontratë do ta bëjë publike edhe vetë Qeveria. Në kontratë nuk figurojnë elementet kryesore, por specifikohen gjërat vetëm në vija të trasha.
I pyetur se pse kishte thënë fjalë të mira për Limajn, Haradinaj tha se
nuk kanë qenë fjalë të mira. Kam deklaruar që niveli i autoudhës i ka tejkaluar nivelet e një ministri. Kur të kalon shuma prej 1 miliard eurosh nuk mund të jetë vendim i një ministri, por i kryeministrit.
Z. Limaj i ka tre vjet që nuk ka folur me mua. Hera e parë që e shoh pas kaq shumë kohe ishte në Parlament. Por, megjithatë kjo i mbetet atij. Unë po flas që asetet e kësaj kontrate janë të nivelit që i kapërcejnë kornizat e një ministri apo të disa ministrave dhe shkon deri në nivelin e kryeministrit.
Haradinaj posaçërisht ia hedh fajin kryeministrit për kontratën e dëmshme me “Bechtelin” . “Qeveria e kryeministri kanë kërkuar mbështetje nga instancat ndërkombëtare, kanë kërkuar ekspertiza, çka është logjike të bëhet një gjë e tillë. Por, kryeministri është implikuar drejtpërdrejt në punën e kësaj kontrate”, ka thënë Haradinaj./kn