e hënë, 2 maj 2011

Vritet Osama bin Laden

Osama bin Laden, udhëheqësi i rrjetit terrorist të Al Qaedas është vrarë në një operacion të forcave amerikane në Pakistan.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti amerikan, Barack Obama. Truri i sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara u vra brenda territorit të Pakistanit dhe SHBA-të kanë trupin e tij, transmeton lajmin Radio Evropa e Lirë.

“Vdekja e bin Ladenit shënon një nga arritjet më të rëndësishme të vendit tonë në luftën kundër Al Qaedas. Por vdekja e tij nuk shënon fundin e përpjekjeve tona. Nuk ka dyshime se Al Qaeda do të vazhdojë të përpiqet të na sulmojë. Ne duhet dhe do të jemi vigjilent si brenda dhe jashtë", tha presidenti Obama.

Presidenti amerikan tha se forcat amerikane që morën pjesë në operacionin e vrasjes së bin Ladenit nuk pësuan asnjë humbje.

Raportet e para flasin për një sulm të forcave të SHBA-ve drejtuar ndaj një vile jashtë Islamabadit dhe pati luftime në vendin e ngjarjes.

Mijëra njerëz janë mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë dhe në vendin ku dikur ishin kullat binjake në Nju Jork duke valëvitur flamuj amerikanë. Rreth 3000 njerëz u vranë nga sulmet terroriste në SHBA më 11 Shtator 2001.

Ndërkaq, pas lajmit për vrasjen e terroristit bin Lade, kanë ardhur edhe reagimet e para të burrështetasve botëror. Të parët që e morën vesh lajmin ishin ish-presidentët amerikanë, Bush dhe Clinton. Presidenti Bush përmes një deklarate tha se kjo ishte "fitore e madhe për Amerikën".

Kryeministri britanik, David Cameroon ka qenë ndër të parët që ka reaguar pas vrasjes së bin Ladenit. Ai tha se vdekja e bin Ladenit ka sjellë "lehtësim të madh" në të gjithë botën.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg tha se shpreson që lajmi të ndihmojë të afërmit e viktimave të 11 shtatorit.

Kryeministri izraelit ka vlerësuar lart Shtetet e Bashkuara për operacionin që çoi në vrasjen e Osama bin Ladenit.

"Ky është triumf për drejtësinë, lirinë dhe vlerat që ndajnë vendet demokratike që kanë luftuar bri njëra-tjetrës me vendosmëri kundër terrorizmit", tha Netanjahu.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë mirëpriti vrasjen e bin Ladenit, të cilin e cilësoi si një nga terroristët më brutalë. "Ai ka jetët e mijëra të pafajshmëve në ndërgjegje", tha Westervele.
shko