motorët” e opozitës, e cila ka shfrytëzuar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës për të ngritur këtë çështje si shqetësim të saj.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri e ka quajtur të paligjshëm dhe të papërgjegjshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e trasesë, përderisa ka thënë se Kuvendi i Kosovës po injorohet nga ana e Qeverisë.
Beqiri ka thënë se LDK-në nuk e pengon se nga shkon traseja, por e pengon anashkalimi i procedurave dhe mosrespektimi i ligjit.
"Ne nuk e themi këtë se na pengon, pse shkon në atë anë apo në këtë anë të trasesë, në këtë komunë apo në atë komunë, sepse edhe këtë logjikë qeveritarët po mundohen ta shesin se gjoja neve po na pengon. Neve nuk na pengon nga i bjen traseja, por na pengon procedura, na pengon mosrespektimi i ligjit dhe i procedurave të parapara me ligj. Na pengon injorimi dhe nëpërkëmbja e Kuvendit", ka thënë Beqiri.
Ai ka theksuar se duke e pasur parasysh mënyrën se si po vepron Qeveria e Kosovës, ka mundësi që traseja të ndryshojë edhe më shumë në të ardhmen.
Traseja e cila tani nuk do të kalojë nga Shtimja, por përmes Qafës së Duhlës dhe Arllatit do të lidhet me magjistralën Pejë-Prishtinë, për opozitën është e paligjshme, përderisa Qeveria këtë ndryshim e konsideron si një veprim të mirë, që sjellë pas vetes kursime prej mbi 350 milionë euro.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja ka thënë se kjo autostradë mund ta pengojë LDK-në, mirëpo Qeveria e Kosovës është e bindur që ta zhvillojë vendin dhe ta lidh me Evropën.
"Siç jeni në dijeni, prezantimi i përfaqësuesit të LDK-së për kundërshtimin e autostradës është duke i ngjarë asaj Urës së Rozafatës, mirëpo në këtë rast, Qeveria dhe ndërtuesi është e bindur që Kosovën dhe qytetarët e saj t'i zhvillojë dhe t'i lidhë me Evropën. Prandaj qëndrimet e Qeverisë janë në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe janë në interes të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Është për çudi që Lidhja Demokratike e Kosovës e konteston një ndërtim të tillë, që nga fillimi deri më tani, por vendosmëria e Qeverisë dhe propozimi elektoral që është bërë është duke shkuar dhe ne shumë shpejt do ta shijojmë atë autostradë, siç po e shijojmë pjesën nga Shqipëria, e cila edhe ajo po ashtu u ndërtua dhe tani askush nuk po pyet, por po e shijojnë dhe po gëzohen", ka thënë Muja.
Kryeministri Hashim Thaçi gjatë seancës parlamentare ka thënë se është i gatshëm të japë llogari për çdo vendim të Qeverisë, ka thënë se me këtë devijim të trasesë do të kursehen 350 milionë euro, ndërkaq do të shtohen vetëm shtatë minuta kohë.
Për mostransparencë, kryeministri Thaçi është kritikuar edhe nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, i cili ka thënë se mund të ketë transparencë, por kjo është vetëm brenda kabinetit qeveritar.
Sidoqoftë, Thaçi ka thënë se është i gatshëm që të japë përgjegjësi për secilin projekt, por ai ka kërkuar nga ligjvënësit që mos të kundërshtojnë për projekte që janë në interes të qytetarëve të Kosovës.