e hënë, 11 prill 2011

Francë, nga sot stop ferexhesë në vendet publike

Hyn në fuqi ligji  që ndalon mbajtjen e ferexhesë në të gjitha vendet publike duke bërë Francën si vendi i parë europian që zbaton një masë të tillë.
Ligji, i miratuar nga parlamenti më 11 tetor 2010 pas një debati tepër të ashpër, prek afro 2 000 gra, në një vend që, sipas vlerësimeve, numëron 4-6 milionë persona me traditë myslimane.

Tashmë është e ndaluar të mbulohet fytyra me perçe, kaskë apo kapuç në hapësirë publike, domethënë në rrugë, parqe publike, stacione apo mjedise tregtare.
Forcat e rendit nuk kanë kompetencë të detyrojnë heqjen e ferexhesë tek personat që e mbajnë, por këta të fundit rrezikojnë një dënim maksimal prej 150 euro gjobë dhe/ose pezullim të shtetësisë.

Përveç kësaj, burrat që detyrojnë një grua të vishet me ferexhe rrezikojnë një vit burg dhe 30 000 euro gjobë, ndërsa dënimi dyfishohet nëse personi i detyruar është i mitur.

Ligji hyn në fuqi në kohën kur vendi i islamit dhe laiciteti janë kthyer në tema madhore të debatit politik në Francë, një vit nga zgjedhjet presidenciale të 2012 dhe në sfondin e fuqizimit të ndjeshëm të Frontit Nacional (ekstremi i djathtë) i Marine Le Pen.
shko