e enjte, 6 janar 2011

FER: Rivotimi në disa komuna nuk paraqet dalje nga kriza

Qëndrimi në lidhje me përsëritjet e votimeve, të dala nga mbledhja e Këshillit Drejtues të FER-it

Partia Fryma e Re mbajti mbledhjen e Këshillit Drejtues më 5 janar 2010.  Në këtë takim edhe njëherë u diskutua procesi zgjedhor i datës 12 dhjetor dhe situata e krijuar në vend pas këtij procesi.  Në takim edhe njiherë u konfirmua qëndrimi i Partisë FER se me datën 12 dhjetor u dëmtua rëndë procesi zgjedhor dhe demokracia në Kosovë.



Manipulimet e shumta, duke filluar nga falsifikimi i nënshkrimeve, votimet e shumëfishta, kërcënimi i komisionerëve dhe vëzhguesve, e deri te blerja dhe bërja e pavlefshme e votave kanë vënë hije të rëndë mbi legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.   Me këtë proces është dëmtuar edhe legjitimiteti i secilit institucion që mund të dalë nga këto zgjedhje, sepse këto institucione nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Në një periudhë shumë të rëndësishme për Kosovën, besimi i qytetarëve në institucione dhe në shtet është në nivelin më të ulët, përderisa edhe imazhi ndërkombëtar i Kosovës ka shënuar rënie.  Qytetarët thellësisht besojnë, tani më shumë se kurrë, se jetojnë në një ambient ku manipulimi i votave është diçka normale.  Kjo situatë mund të ketë pasoja të rënda për interesat e shtetit të ri të Kosovës.

Vendimi për t’i përsëritur votimet në disa komuna e vendvotime ku ka pasur shkelje, është hap në drejtimin e duhur, mirëpo kjo nuk mjafton.  Për më shumë, kjo vetëm se e prish imazhin e këtyre komunave duke i izoluar ato si përgjegjësit e vetëm për manipulimet, që kanë ndodhur në tërë Kosovën. Duke parë parregullsitë e mëdha të identifikuara edhe në Qendrën e Rinumërimit, nga komuna të ndryshme të Kosovës, Partia FER qëndron prapa vendimit që dalja e vetme nga kriza e krijuar mund të arrihet vetëm me zgjedhje të reja me përgatitjet e duhura.

Rivotimet e 9 janarit janë vazhdimësi e procesit të 12 dhjetorit dhe vetëm tentim për ta riparuar procesin e dëmtuar të zgjedhjeve.  Duke marrë parasysh se Partia FER është e certifikuar për këto zgjedhje dhe duke marrë parasysh zotimin e FER-it për të qëndruar pranë votuesve dhe qytetarëve të Kosovës, FER-i do të figurojë në listat zgjedhore dhe do të vazhdojë të ofrojë zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve të Kosovës. 

Megjithatë, kjo është kriza më e madhe institucionale që ka pasur Kosova në periudhën e pasluftës.  Fushata e shkurtër për të diskutuar ofertat e partive politike për sektorë të ndryshëm duket improvizim në kohën kur qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës është në pyetje.  Në këtë periudhë kritike, fokusi duhet të jetë në shtetin dhe demokracinë e Kosovës, në kthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet me procese të mirëfillta zgjedhore dhe demokraci të vërtetë e jo improvizime. / FER

shko