Spekulatorët financiarë herë pas here kapen pas mallrave bujqësore dhe si rezultat kohët e fundit çmimet e drithërave kanë kapur qiellin. Në një intervistë, një nga ekonomistët më të famshëm gjermanë për çështjet e bujqësisë, Joachim vob Braun, flet për goditjen ndaj këtyre spekulatorëve dhe për rreziqet që kanë çmimet e larta për të varfrit në botë.
Profesor, aktualisht gruri është 40% më i shtrenjtë nga sa ishte në muajin korrik dhe çmimi u rrit me 20% vetëm brenda një jave. A mendoni se kjo është një tendencë që do të vazhdojë edhe në kohët në vijim?
Në përgjithësi duhet që të përgatitemi për të parë rritje çmimesh. Për momentin situata është shumë e brishtë në këtë sektor.
A është e të tillave përmasa dhe problematike si në vitin 2008 kur çmimet u rritën jashtëzakonisht shumë, duke shkaktuar edhe revolta në të gjithë botën?
Problemet strukturore nuk janë zgjidhur. Ndryshimet klimatike janë duke vazhduar. Zjarret në Rusi dhe përmbytjet në Pakistan janë shenja paralajmëruese. Popullsia e planetit është duke u rritur dhe uji është një “mall” që po vjen e po rrallohet. Ndërkaq, njerëzit kanë filluar që të hanë më shumë mish. Të gjitha këto çojnë në një rritje të kërkesës dhe ndërkohë oferta mbetet e kufizuar. Për më tepër, ngjarjet e vitit 2008 i kanë politizuar tregjet globale në një shkallë shumë të madhe, shumë më të madhe se në të shkuarën.
Jeni duke aluduar për Rusinë që bëri një bllokim të transportit të grurit së fundmi?
Vendimi i Rusisë i ka bërë tregjet shumë nervozë dhe të lëkundur. Dështimi i tregjeve në një krizë, siç ndodhi në vitin 2008, çon në një humbje të madhe të besimit në tregtinë botërore. Kjo i dëmton shumë të varfrit dhe çon para dhe përfitime të mëdha në xhepat e spekulatorëve.
Cili mendoni ju se ka qenë roli i spekulatorëve financiarë në rritjen e fundit të çmimeve dhe në çfarë përmase?
Nuk ka diçka që mund të shprehet saktësisht në shifra dhe përqindje. Por lidhja në këtë rast është shumë e dukshme. Çmimet nuk përcaktohen vetëm nga sasia reale e furnizimit dhe e kërkesës. Përdorimi spekulativ i kapitalit financiar është një tjetër faktor që i “çmend” çmimet. Problemi më i madh janë lëvizjet e paparashikuara lart dhe poshtë të çmimeve, sepse ato frenojnë dhe tkurrin investimet.
Po në fakt spekulatorët nuk kanë dalë tani në skenë?
Në fakt bëhet fjalë për zhvillime që datojnë në vitin 2004, në prag të çrregullimit të tregjeve të brendshme financiare. Në atë kohë ne nisëm që të shohim ndërthurjen mes tregjeve financiare dhe tregjeve bujqësore, dy biznese që kishin pak gjëra të përbashkëta deri në atë moment. Rezultati u bë i qartë për herë të parë gjatë krizës financiare të vitit 2008. Kur qeveria e Vietnamit njoftoi se ishte duke mbyllur tregun e orizit, çmimet të nesërmen e një njoftimi të tillë u rritën me 30%. Një rritje e tillë e jashtëzakonshme dhe e paparalajmëruar nuk mund të ketë asnjë shpjegim nga ndonjë lloj modeli ekonomik që ka të bëjë me faktorët konvencionalë si prodhimi, kërkesa etj.
Së fundmi, megjithatë, bankat janë lojtarët finalë të tregjeve të mallrave, që do të thotë se përgjegjësia për lëkundshmërinë e çmimeve është për faj të tyre.
Kjo është e vërtetë, por vetëm në aparencë. Bankat mbështeten, për shembull, nga fondet e pensioneve dhe të sigurimeve dhe në këtë rast bëhet fjalë për investime prej miliarda dollarësh. Ato përfitojnë nga fakti se çmimet e mallrave dhe ato të aksioneve lëvizin në drejtim të kundërt, duke u mundësuar që të balancojnë rrezikun. Kjo i bën mallrat ndjellëse, duke i konsideruar edhe si një mundësi investimi.
Jeni duke thënë se ai që, për shembull, blen një sigurim për jetën është në këtë rast duke mbështetur spekulacionet e grurit dhe të kakaos?
Kjo ka nevojë për vlerësim të mëtejshëm. Në një krizë si kjo e sotmja, sjelljet spekulative bëhen pjesë e sjelljeve të të gjithë popullsisë. Spekulatorët e përfshirë në tregtinë e vërtetë të grurit përmbushin një funksion të rëndësishëm, sepse aktivitetet e tyre sinjalizojnë tregun nëse një mall i caktuar është jo i mirë dhe i shtrenjtë, apo i lirë dhe me sasi të madhe. Spekulimi i shkaktuar nga tregjet financiare është i ndryshëm, sepse synon çmime të çorientuara dhe çorientuese.
Nga një këndvështrim moral është shumë e rëndë që “të luash bixhoz” me produktet ushqimore.
Kjo sigurisht është një pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes. Nëse çmimet reflektojnë spekulimet, siç mund të supozojmë në disa raste, rritja e çmimeve si pasojë e spekulimeve u shkakton një dëm shumë të madh miliona njerëzve dhe kjo për sa u takon çështjeve të shëndetit, madje edhe vetë ekzistencës fizike, sepse ata nuk munden me çmimet e reja që të përballojnë nevojat e tyre ushqimore.
Çfarë duhet bërë për të ndaluar spekulimet?
Duhet të krijohet një klub i vendeve kryesore dhe kyçe të eksportimit të grurit. Anëtarët e këtij klubi duhet që të krijojnë një rezervë në nivel global, një rezervë të vërtetë dhe të madhe të grurit në botë, si dhe një rezervë virtuale.
Çfarë nënkuptoni me këtë?
Rezerva virtuale e grurit mund të përbëhet nga një fond kapitalesh rreth 20 ose 30 miliardë dollarë, që do të përdoret vetëm në raste krizash. Për shembull, në rastin kur çmimet rriten, ky klub duhet që të blejë kontratat e ardhshme në të gjitha bursat e botës: atë të Çikagos, Londrës dhe Parisit. Paratë në këtë fond duhet që të jenë të mjaftueshme për të blerë gjysmën e grurit, orizit dhe misrit që tregtohet në botë, pra produkteve që janë shumë kritike dhe të rëndësishme për njerëzit e varfër. Me fjalë të tjera, klubi duhet që të ketë rolin e një banke qendrore të grurit botëror.
Kjo do të ishte një ndërhyrje shumë thelbësore në tregun botëror?
Ne po flasim për rastet e ngritjes ekstreme të çmimeve në rang botëror dhe kjo konform kushteve të tregut. Ndoshta për amerikanët do të ishte një veprim shumë rregullator për idenë e tyre të tregut të lirë. Megjithatë ne të gjithë kemi nevojë për një institucion global, anëtarët e të cilit duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin realisht në rastet e krizave botërore të grurit.
Mendoni se një klub i tillë do të kishte mundur që t’i parandalonte krizat aktuale?
Jam i mendimit se një organizatë rregullatore dhe balancuese është e mirë jo vetëm për nxjerrjen nga kriza, por mbi të gjitha për parandalimin e situatave katastrofike të rritjes së çmimeve që shkaktohen dhe janë në përfitim të spekulatorëve ndërkombëtarë dhe në kurriz të jetës së miliona vetëve.