E të gjitha këto i ka bërë përmes një e-maili të dërguar nga “American Talents Agency”, kompania që menaxhon këtë turne.
Këtë e ka konfirmuar edhe organizatori i koncertit në Prishtinë, Drin Zatriqi.
“Komplet 20 koncertet e parapara janë anuluar”, ka thënë Zatriqi. Sipas tij, kjo ka qenë e befasishme dhe pa asnjë paralajmërim.
“Na ka ardhur si dush i ftohtë. Kur jam zgjuar në mëngjesin e së martës e kam parë e-mailin, dhe kaq”, ka thënë Zatriqi.
Për të ka qenë befasuese mungesa e çfarëdo arsyeje e gjithë kësaj.
“Nuk jepet asnjë arsyetim. Vetëm se koncertet e paralajmëruara janë anuluar”, ka theksuar Zatriqi, teksa ka shtuar se menaxherëve të tyre do t’u kërkojnë llogari.
“Çare nuk kanë pa dhënë arsye. Na kanë bërë dëme të mëdha”, ka thënë Zatriqi.
Mirëpo ai thotë se shpresat që Busta Rhymes të vijë në Prishtinë ende nuk janë shuar. I kontaktuar nga gazeta, të martën vonë ai ka thënë se menaxherët e Bustas kanë ofruar data të reja për koncert. Prej 15 deri më 19 maj janë pesë datat që janë ofruar për qytetet si Shkupi, Praga, Prishtina, Budapesti e Zagrebi.
“Paraprakisht na është thënë se nëse organizatorët duan, mund t’i mbajnë këto data, por me disa artistë të tjerë. Ne normalisht nuk kemi pranuar dhe na janë premtuar data të reja”, ka thënë Zatriqi.
Por kjo, sipas tij, mund t’i komplikojë gjërat, pasi që disa nga vendet ku ka pasur të performojë Rhymes mund të kërkojnë data të njëjta.
“Në datat e reja mund të lindin konflikte mes organizatorëve, sepse janë shumë qytete që kanë organizuar koncertin e Busta Rhymes”, ka thënë Zatriqi. Bisedat ndërmjet këtyre organizatorëve kanë vazhduar gjatë natës së martë dhe gjatë ditës së sotme (e mërkurë), Zatriqi ka thënë se do të bëhet e ditur data e re.
“Ne nuk kemi shitur bileta. Mirëpo kemi pasur shumë të tilla të rezervuara. Por ky nuk është problem”, ka thënë Zatriqi. Ai ka treguar se si në e-mailin e dërguar nga “American Talent Agency” thuhet se paratë që organizatorët kanë derdhur në xhirollogari të hip-hop artistit do t’u kthehen. Por Zatriqi nuk ka pranuar të zbulojë se sa ka derdhur në konton e artistit për koncertin në kryeqytet.
Lajmi i anulimit të turneut të Busta Rhymes nuk e ka trazuar vetëm Prishtinën.
Edhe në Zagreb, ueb-faqja “Black out hip-hop” ka lajmëruar publikun kroat se “Busta Rhymes ka vendosur t’i shtyjë koncertet në Evropë të paralajmëruara për muajin prill”.
Ueb-faqja shkruan se anulimi është bërë pa dhënë ndonjë arsyetim. Në kryeqytetin kroat koncerti i këtij artisti qe paralajmëruar të mbahej më 27 të këtij muaji. Mbi pesë mijë biletat e shitura për koncertin e Busta Rhymes në Zagreb sipas organizatorëve atje do të jenë të vlefshme për koncertin e mundshëm të muajit maj.
Busta Rhymes njihet me super hitet e tij si, “Break Ya Neck”, “Touch it”, “Gimme Some more”, “Arab Money”... Gjithashtu, Busta Rhymes ka realizuar edhe 2 hite të reja, atë me Tiesto “C`mon” si dhe "Look at me now" me Lil Wayne dhe Chris Brown./kn