Rasti është raportuar të ketë ndodhur të shtunën rreth orës 18:30 min, në rrugën “Sutjeska” përkatësisht në afërsi të një “Tatoo studio” ndërsa një i dyshuar besohet të ketë shtënë së paku pesë herë në drejtim të viktimës së tij.
Viktima e këtij rasti, banor i Mitrovicës, është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, ku edhe i është nënshtruar intervenimit kirurgjik.
Në bazë të hetimeve preliminare të policisë në këtë rast, besohet se pesë të shtënat nga armë zjarri janë drejtuar ndaj viktimës nga sulmuesi i tij dhe plagët depërtuese nga armë zjarri, i janë shkaktuar kryesisht në pjesë të këmbëve.
Në vend ngjarje, teknikët e kriminalistikës dhe hetuesit policor kanë gjetur dhe marrë si pjesë të provave materiale, pesë gëzhoja dhe dy predha të një arme ende të papërcaktuar.
Hetuesit policorë të Drejtorisë Rajonale për Krime Serioze, kanë kualifikuar rastin si vepër penale “Vrasje në tentativë” ndërsa motivet e këtij akti kriminal mbesin ende të panjohura.
Hetuesit policor kanë intervistuar dëshmitarë të mundshëm të këtij rasti ndërsa janë në kërkim të sulmuesit ende të panjohur.
Policia në Mitrovicë po ashtu njoftoi se gjatë ditës së diel, pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative të rajonit të Mitrovicës, në kuadër të task-forcës, në luftimin dhe parandalimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale, kanë identifikuar katër raste të ndara të identifikimit të derivateve të dyshuara të kontrabanduara.
Operacioni i kontrollit, si pjesë e planit të parandalimit të kontrabandës, i ndërmarrë gjatë ditës së djeshme, është realizuar në rrugën magjistrale Mitrovicë – Zubin Potkok përkatësisht në fshatin Koshtovë dhe në rrugën magjistrale Mitrovicë – Prishtinë, përkatësisht në fshatin Shupkovc.
Mësohet se rreth 800 litra derivate të naftës janë identifikuar nga policia e Kosovës në katër raste të ndara si mall i dyshuar i kontrabanduar, i cili mall është sekuestruar nga zyrtarë të doganave të Kosovës.
Ndryshe, vetëm gjatë muajit janar të këtij viti, sipas policisë, task-forca kundër kontrabandës, ka regjistruar 25 raste të identifikimit dhe sekuestrimit të derivateve të dyshuara të kontrabanduara ndërsa konsiderohet se mbi 11 tonë, derivate janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar autoriteteve doganore në Mitrovicë për procedurë të mëtejme në këto 25 raste të ndara./kn