Ish-konkurrentja rrëfen eksperiencën e saj në BB4, raportin me banorët, miqësinë që do të ruajë me disa prej tyre, rolet që nuk i luajti dot, jetën jashtë shtëpisë, dashuritë e saj më të mëdha, ambiciet për të ardhmen, si dhe tregon hapur opinionet për çiftet e BB4.
Klaudia Bogdo, vajza nga Saranda na tregon për eksperiencën e saj në “Big Brother 4”, simpatinë për Marielin dhe marrëdhënien me Algenin. Ajo ka zbuluar shumë pak nga vetja, brenda lojës në “Big Brother 4” dhe shumë pak dimë për jetën e saj të mëparshme, megjithatë disa “sekrete” që ua ka fshehur banorëve Klaudia i zbulon në këtë intervistë.
Klaudia, pas një muaji e gjysmë në shtëpi, si po të duket tani që ke dalë, si të ka pritur publiku?
Jam shumë e kënaqur, më kaloi mërzitja që më kishte kapur, kur dola nga shtëpia. Jam çmallur me familjen. Shkova në Voskopojë dhe në Drilon për dy ditë. Kalova shumë bukur atje me të afërmit e mi. Po kaloj shumë mirë edhe me shoqërinë. Nga publiku kam pasur komente të ndryshme, kam marrë komplimente, por ka pasur edhe nga ata që nuk më kanë pëlqyer dhe kanë bërë komente jo fort të këndshme, por që gjithsesi i pranoj. Me rëndësi është që flasin, si mirë, apo keq.
Pse mendon se të kanë nominuar banorët e shtëpisë, pse kanë dashur që ti të largoheshe?
Mendoj se më kanë nominuar, pasi unë ua thosha gjërat në sy dhe nuk kishin dëshirë që të nxirrja në pah të metat që kishin tek vetja. Nuk e pranonin këtë.
Po publiku, pse mendon se të ka votuar që të dalësh nga shtëpia e “Big Brother”?
Mendoj, sepse shqiptarët kanë nevojë për show dhe për veprime që i bën dikush tjetër në shtëpinë e “Big Brother 4” dhe jo për sinqeritet, thjeshtësi dhe për origjinalitetin që unë dhashë aty.
Ndoshta duhet të kishe bërë një lojë tjetër, për të qëndruar më gjatë në shtëpi, apo për të shkuar deri në finale! E ke menduar këtë?
Kam qenë pjesë e lojës së “Big Brother 4”, por nuk kam luajtur, por unë nuk mund të sillem ndryshe. Edhe nëse do të më jepej mundësia të hyja në “Big Brother”, për herë të dytë, apo për herë të tretë nuk do bëja asgjë ndryshe, do të isha përsëri kjo që jam.
Je penduar për diçka që ke bërë, apo nuk ke arritur të bësh në “Big Brother 4” për efekt kohe?
Kohën e kam pasur të mjaftueshme, kam qenë në shtëpi për një muaj e gjysmë dhe besoj se është e mjaftueshme. Nuk më ka mbetur asgjë peng, do të isha e njëjta edhe nëse qëndroja më gjatë do të isha e njëjta, e mirë për disa dhe e keqe për disa të tjerë.
Çfarë ka përfituar Klaudia nga kjo eksperiencë?
Mendoj se nga kjo eksperiencë unë kam përfituar një kënaqësi të madhe shpirtërore, ndryshe nga disa të tjerë, të cilët mund të fitojnë edhe çmimin, por duke kaluar në stres, duke luajtur dhe duke e vënë veten në disa pozita që nuk do të arrija ta vendosja kurrë.
Cili ishte qëllimi i hyrjes suaj në “Big Brother 4”?
Qëllimi im ishte që të njihja diçka tek vetja, në marrëdhënie me të tjerët. Jashtë nuk e kisha mësuar se isha aq shumë e duruar, e mësova këtë brenda shtëpisë, që kisha durim të madh.
E ke menduar ndonjëherë se mund të ishe ti fituesja e këtij edicioni të “Big Brother 4”?
Të gjithë konkurrentët e “Big Brother” e kanë menduar çmimin, unë mund të them që kam qenë nga ata banorët e fundit, që e kam menduar çmimin. E kam menduar më pak se të tjerët, sepse e dija shumë mirë që kur hyra në “Big Brother 4” se nuk do të bëja lojë. Aty fiton ai që bën lojë dhe që jep gjithçka nga vetja.
Kë sheh si fitues të “Big Brother 4”?
Unë dua që ta fitojë Neda, pasi është një vajzë me botë të madhe dhe shumë inteligjente. Nga femrat aty mund të them për Nedën dhe Almën, e cila ka një karakter shumë të fortë. Këto kam dëshirë që të jenë fituese. Përsa i përket zërave që kam dëgjuar, ndoshta do të jetë Ermela fituese, shembulli më i mirë për shqiptarët.
Nga ka lindur antipatia jote për Ermelën?
Nuk është antipati, por Ermela po përdor brenda shtëpisë së “Big Brother 4” të vetmen armë që ka. Vetëm një armë ka Ermela dhe atë po përdor, ju e dini mirë për çfarë e kam fjalën. Ajo është femër sipërfaqësore, kënaqet me pak. Do të harxhoja kohë nëse do të flisja shumë për të. Ermela do t’i sulmojë të gjithë, ajo nuk ka shokë në shtëpi dhe mendoj se as jashtë nuk do të ketë.
Për Klaudian, cilët nga banorët do të mbeten miq edhe jashtë këtij reality-show?
Do të kem miqësi me të gjithë, përveç Ermelës dhe Ergysit, por më shumë me Almën, Nedën, Ogrenin, Marjelin dhe Alkenën.
Ergysi është në radhët e banorëve që nuk do të doje t’i kishe miq, pse?
Me Ergysin nuk do të doja të ruaja miqësinë, sepse shumë vonë e kuptova që nuk ishte ai Ergysi i dy, apo tre javëve të para. Ergysi është aktor shumë i mirë në jetë, por shumë i dobët në skenë.
Je penduar që nuk arrite të krijoje një lidhje dashurie brenda shtëpisë?
Aspak. Do të thosha se meshkujt që janë në shtëpi mund të jenë shumë të mirë, por përveçse shokë që mund t’i kem edhe jashtë nëse do t’i njihja, me asnjërin nga ata nuk do të mund të krijoja një lidhje.
Për Marielin ke shprehur simpati, madje ke thënë se do të kishe pasur dëshirë të krijoje një lidhje?
Për Marielin kam shprehur simpati, e kam thënë dhe do them se do ta pëlqej. Më ka pëlqyer Marieli, pasi ai është shumë i qetë, shumë i çiltër, shumë i ëmbël, i thjeshtë, fal shumë dashuri. Marieli të bën të ndihesh shumë mirë.
Nëse nuk do të kishe pëlqyer Marielin do të kishe krijuar një lidhje me Algenin?
Algeni shpresoj që të mos jetë jashtë ashtu siç është brenda në shtëpi. E kuptoj që ai do të bëjë lojë, por shpresoj që kur të dalë jashtë mos të jetë si e ka treguar veten në shtëpi. Përsa i përket lidhjes me të, as e kam shprehur dhe as e kam menduar ndonjëherë.
Mendon se duhet të ishe treguar hipokrite për ta vazhduar lojën?
Mendoj se duhet të isha shumë hipokrite për të vazhduar lojën, por nuk jam natyrë e tillë, nuk e bëj dot.
Tani që keni lënë lojën “Big Brother 4” cilat janë angazhimet tuaja në jetë?
Unë do të vazhdoj studimet, do të nis të kërkoj një punë dhe nuk e di, nëse më vjen ndonjë ofertë do ta pranoja me kënaqësi.
Dimë shumë pak për jetën tënde përpara se të hyje në shtëpinë e “Big Brother 4”. Në fakt si ka qenë jeta jote jashtë Klaudia?
Do të vazhdoni të dini shumë pak! Ato që kam dashur t’i ndaj me ju i kam ndarë, janë thënë, janë stërthënë, janë përfolur dhe kaq.
Klaudia ke qenë e dashuruar përpara se të hyje në “Big Brother 4”, apo je aktualisht e dashuruar?
Kam qenë e dashuruar vetëm një herë në jetë, por nuk jam e dashuruar aktualisht.
Je zhgënjyer nga dashuria?
Nuk dua të flas për këtë, janë gjëra që i përkasin së shkuarës.
Na flisni pak për marrëdhënien tuaj me familjen?
Me familjen jam shumë e lidhur. Kam një familje të mrekullueshme, një nënë, që gjithkush do të ëndërronte ta kishte. Ajo është arsyeja pse unë vazhdoj të jetoj, është drita e syve të mi. Kam dy vëllezër, me të cilët shkoj shumë mirë, Kevin, vëllain e vogël e dua shumë dhe shkoj shumë më mirë se me Albanon, vëllain e madh. Më bëre të qaj tani… Edhe me babanë kam një marrëdhënie shumë të mirë, pavarësisht se jemi larg. Ai jeton në Itali, por flasim shpesh bashkë. Për babanë do të vazhdoj të jem akoma ajo, vajza e vogël që më ka lënë.
Rikthehemi tek “Big Brother 4”. Si e shikon lidhjen midis Ogrenit dhe Nedës, është gjykuar si shumë shekspiriane?
Neda dhe Ogreni kanë një ndjenjë shumë të fuqishme midis tyre dhe jam shumë pro lidhjes së tyre. Unë që kam qenë atje brenda dhe e di që ata ndjejnë vërtetë, pavarësisht asaj që flitet jashtë për show, apo për të vazhduar lojën. Ata kanë një ndjenjë shumë të fortë midis tyre dhe shpresoj që ta ruajnë edhe gjatë javëve që do të qëndrojnë në shtëpi edhe kur të dalin. Ata janë shumë të komplikuar dhe prandaj është e veçantë historia e tyre.
Çiftin Marieli dhe Mirjeta si e shikon?
Marieli dhe Mirjeta janë si dy zogj, që cicërojnë gjithë kohës me njëri-tjetrin. Mirë, më pëlqen. Mendoj se brenda në shtëpi do të zgjasë kjo lidhje, por jashtë nuk e di, pasi duhet marrë parasysh që ata jetojnë larg njëri-tjetrit. Marieli në Itali dhe Mirjeta në Londër. Mendoj se do të vazhdojë nëse ka fejesë, apo martesë midis tyre.
Ermela – Ervini?
Unë e kam thënë që janë çift patatinash dhe do të vazhdoj ta them këtë. Duket haptas, pasi dashuria nuk është me buton, brenda dy ditëve duke lënë Emilion dhe të dashurosh Ervinin menjëherë. Mua më duken përralla me mbret dhe nuk i besoj, asnjëherë nuk kam për t’i besuar.
Klodiana?
Klodiana mirë. Kënaqësi që e kam njohur, pasi është vajzë e mirë. Nuk e prisja nga ajo që të më thoshte se bëja thashetheme, por mes vajzash janë gjithmonë këto biseda.
Alma?
Alma është vajzë e mrekullueshme, jam shumë e lumtur që e kam njohur.
