e mërkurë, 16 mars 2011

Reali beson te Mourinho, Lyoni në traditë

Real Madridi do të mundohet t'i jap fund serisë së zezë kundër Lyonit në garat evropiane dhe fundi i kësaj serie do të thoshte edhe kualifikim për "mbretërit" në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, për herë të parë prej vitit 2004. 

Skuadra e Real Madridit asnjëherë nuk ka mposhtur Lyonin në shtatë ndeshje të zhvilluara në Ligën e Kampionëve, por tani që është nën udhëheqjen e trajnerit Jose Mourinho, beson më shumë se kurrë në fitore dhe në kualifikim. Edicionin e shkuar, Reali u pat eliminuar pikërisht në 1/8 e finales nga francezët.
 
Sulmuesi i Realit, Karim Benzema është rikthyer në formë dhe ky është një lajm i mirë për madrilenët. Falë golit të Benzemas, Reali në muajin e shkuar barazoi 1:1 me Lyonin në Francë në ndeshjen e parë të 1/8 të finales, kurse ndeshja e dytë luhet të mërkurën mbrëma (20:45) në "Santiago Bernabeu".


"Ajo që ka ndodhur është gjë e mirë, kam gjetur veten time, kam arritur nivelin e vërtetë të lojës dhe kjo më gëzon shumë", ka deklaruar Benzema, ish-lojtar i Lyonit. "Jam në kulm të karrierës dhe e di se Reali pret shumë nga unë. Do të mundohem t'ia sigurojë fitoren". 


Benzema 23-vjeçar pati dështuar t'i shpaguajë 35 milionë eurot e investuara në transferimin e tij në verën e vitit 2009 kur kaloi nga Lyoni. Pas mungesës së Gonlazo Hiaguainit, trajneri Jose Mourinho u detyrua t'i besojë Benzemas, i cili shënoi tetë gola në gjashtë ndeshjet e fundit, përfshirë dy golat në fitoren 2:0 ndaj Herculesit në fundjavë.
Benzema u pat transferuar te Reali pasi u tregua i pamdalshëm në Ligue 1 të Francës me Lyonin.


"Tash për tash gjithçka po shkon në favorin tim. Fati po më ndihmon të shënojë shumë gola", tha Benzema. "Me Lyonin nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë, por besoj se kësaj here ka ardhur koha që Reali të vazhdojë më tutje".
Lajm i mirë për Real Madridit do të jetë rikthimi i mesfushorit portugez Cristiano Ronaldo, që ishte i lënduar.  


Presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas e njeh mirë Benzeman dhe ka thënë se për skuadrën franceze është lajm i keq që ai është kthyer në formën e tij më të mirë. 
"E kam parë duke luajtur për Francën kundër Brazilit në muajin e shkuar në Paris dhe ai tash është një futbollist shumë më i mirë në të gjitha aspektet. Kjo nuk është aspak e mirë për Lyonin", është shprehur Aulas. "Mendoj se ai i ka dërguar mesazh të qartë Mourinhos në ndeshjen e parë kur shënoi sapo u fut në lojë. Mourinho është i detyruar të startojë me Benzeman, kurse ky ka për detyrë të shënojë gola". 


Skuadra e Lyonit nuk ka pësuar humbje në shtatë ndeshjet e fundit të të gjitha garave, kurse fundjavën e shkuar mposhti në udhëtim Sochauxin 2:0 në kampionatin francez. 
Sulmuesi argjentinas Lisandro Lopez ka shënuar katër gola në dy ndeshjet e fundit dhe do të jetë rreziku më i madh për Realin. Ai i mungoi Lyonit në ndeshjen e parë. Gjithashtu te Lyoni pritet edhe rikthimi i Yoann Gourcuffit e Crisit, pasi ishin të lënduar, derisa në dyshim mbetet mbrojtësi i majtë Aly Cissokho. 


"Do të jemi në formacionin më të fortë dhe shkojmë për fitore", ka thënë trajneri francez Claude Puel. 
Ndeshja tjetër, e së mërkurës luhet në stadiumin "Stamford Bridge" ku Chelsea pret Copenhagenin, që e mposhti para tri javëve me rezultatin 2:0./kn
shko