Kreu i shtetit falënderoi shefin e diplomacisë shqiptare, Haxhinasto dhe pararendësit e tij për punën shumë të madhe që kanë bërë për sigurimin e një numri sa më të madh të njohjeve për shtetin e ri të Kosovës. Pacolli shfaqi shpresën se diplomacia e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë në këtë fushë dhe do të shtojë edhe më shumë angazhimet, si dhe theksoi nevojën e krijimit të një agjende të përbashkët angazhimesh, në mënyrë që Kosova të shtojë sa më shumë numrin e njohjeve, por edhe të arrijë sa më shpejtë të bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë, një synim ky i përhershëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në planin e bashkëpunimit ndërshtetëror, presidenti Pacolli përsëriti idenë e krijimit të kushteve për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve e mallrave, duke jetësuar në këto hapësira idenë e Minishengenit, që do të jetë në të mirë të lëvizjes së lirë të qytetarëve, por që do të shërbejë edhe si parapërgatitje për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe evropiane.
Ai i kushtoi një rëndësi të madhe edhe bashkëpunimit ekonomik, ku ka shumë mundësi, por edhe nevojë që të krijohen lehtësira të tjera për bizneset e të dy shteteve, por edhe të shteteve të tjera të rajonit.
Gjatë takimit, shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto ka thënë se, pavarësisht kontestimit që dikush i bënë zgjedhjes së Pacollit president, ai e respekton vullnetin e deputetëve të cilët votuan për presidentin e ri të Kosovës. Haxhinasto tha se Shqipëria do të vazhdojë lobimin për të siguruar sa më shumë njohje dhe, në këtë plan, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, do të hartohet një program i përbashkët i veprimit në këtë fushë.
Pas takimit me Pacollin, shefi i diplomacisë shqiptare bëri nderime tek varri i presidentit Ibrahim Rugova. Ai tha se është obligim i secilit të nderoi figurën e Rugovës mbi idenë e të cilit, siç u shpreh ai, po ndërtohet shteti i Kosovës.
Të shtunën pasdite Haxhinasto do të vizitojë memorialin dhe familjen Jashari në Prekaz.