e shtunë, 12 mars 2011

Soni Malaj jeta e re me Mirkon në Spanjë


Ajo vijon të mbetet këngëtarja më e dashur për shqiptarët. Ndonëse prej një viti i mungon skenave të festivaleve e spektakleve muzikore, këngët e saj vijojnë të dëgjohen e pëlqehen shumë nga publiku. Fjala është për këngëtaren e mirënjohur Soni Malaj, e cila aktualisht është duke zhvilluar jetën e saj përkrah të fejuarit, Mirko, në Spanjë.
Çifti simpatik i showbiz-it janë kthyer në sipërmarrës dhe mësohet të kenë ngritur një biznes që po ecën shumë mirë. Aktualisht biznesi është duke u zhvilluar dita-ditës dhe Soni me Mirkon janë duke bërë goxha para. Ndonëse ky largim nga skena u mendua se erdhi si pasojë e një pushimi për të cilën këngëtarja kishte nevojë, nga të rejat që kemi për të nuk na rezulton kështu.
Ditët e saj janë të mbingarkuara për shkak se është ajo që duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e biznesit. Bashkëjetesa me Mirkon po shkon për mrekulli dhe gjasat janë shumë të mira për një martesë mes çiftit. 
Sa i përket karrierës muzikore, shumë shpejt do të vijë bashkëpunimi i këngëtares me një grup të njohur kosovar dhe ka shumë mundësi që Sonin ta kemi në Shqipëri, për të marrë pjesë në koncertet gjatë fushatës elektorale. Një tjetër surprizë e këngëtares është se ajo mund të shndërrohet në imazhin e kompanisë “ American Cola” për Kosovën. Ndonëse ende është duke e shqyrtuar ofertën, Soni ka gjasa të kthehet në fytyrën përfaqësuese të kësaj pijeje.
Lidhja me Mirkon
Ka qenë padyshim një dashuri me shikim të parë. Një ndjesi që nuk është vonuar, por i ka hedhur të dy në krahët e njëri-tjetrit, jo vetëm për të kërcyer, por edhe për t’u “ rebeluar” në magjinë e dashurisë. Ajo që fillimisht komentohej si një thashethemnajë, i kapërceu kufijtë e një lidhjeje të fshehtë, përkundrazi pa u mbyllur mirë spektakli ku edhe u njohën, ata zyrtarizuan marrëdhënien e tyre në fejesë. 
E pra, këngëtarja Soni Malaj është fejuar me partnerin e saj, balerinin italian Mirko. Shkëndijat e të dyve gjatë atyre provave ranë në sytë e të gjithëve, ndërkaq çifti nuk e mohoi asnjë çast atë që ndjente para të gjithëve.
shko