Burime të PK-së në Gjilan dhe Prokurorisë së Qarkut i kanë thënë të shtunën KD-së se personi i arrestuar është i moshës madhore, midis 40-50 vjeç, dhe i njohur edhe më herët për Policinë e Gjilanit. "I dyshuari, shqiptar nga Uglari, mbi 40-vjeç, është arrestuar dhe është ndaluar në mbajtje për 48 orë lidhur me rastin e vrasjes së 14-vjeçarit, Leutrim Musliu nga Uglari", kanë thënë burime të Policisë dhe Prokurorisë Publike të Qarkut në Gjilan, të shtunën.
Siç dihet, lidhur me rastin e vrasjes në Uglar, Policia e Gjilanit ka arrestuar dy serbë nga Pasjani, Zh.S. (1967) dhe S.A. (1964), ky i fundit është vetëdorëzuar në Stacionin e Policisë në Gjilan, pasi gjatë bastisjes së shtëpisë së tij ai nuk ishte gjendur aty. Për rastin e vrasjes së 14-vjeçarit nga Uglari janë bastisur tri shtëpi në Pasjan, ndërsa në kërkim është edhe një serb nga fshati Pasjan, M. K (1967), i cili në ditën e bastisjes së shtëppisë së tij nuk ndodhej në shtëpi.
Dy të arrestuarit serbë nga Pasjani tashmë janë liruar, siç është thënë, për mungesë provash, ndërsa në ndalje prej 48 orësh është shqiptari nga Uglari, i arrestuar të premten mbrëma. Burime nga Prokuroria e Qarkut në Gjilan kanë thënë se tashmë kanë nisur hetimet ndaj shqiptarit me vendbanim në Uglar, të arrestuar një ditë më herët, ndërsa nuk janë ndërprerë hetimet as ndaj serbëve nga Pasjani, të cilët kanë qenë të ndaluar, por tashmë janë lënë të lirë./kn