e shtunë, 12 mars 2011

NBA: Miami i jep fund serisë së zezë, mposht kampionen

Kishin mbetur më pak se dy minuta deri në fund të takimit, ndërsa rezultati ishte i barabartë. Kobe Bryant kishte topin në pronësi dhe nisi depërtimin për të shmangur Dwyane Waden. Lëvizja e Bryantit ishte e mirë, mirëpo reagimi i Wadet ishte edhe më i mirë. 

Në atë moment dështimet e Miamit në çastet e fundit të ndeshjeve morën fund. Wade vodhi topin dhe asistoi për LeBron Jamesin, që zhyti topin për të dërguar Miamin në epërsi, kur kishin mbetur vetëm edhe një minutë e 27 sekonda deri në fund. Këtë epërsi Miami nuk e lëshoi dhe mposhti kampionen, LA Lakers, me rezultatin 94:88, të enjten mbrëma. Miami i dha fund serisë prej pesë humbjeve radhazi.

"Ne e kemi ditur se ndeshja do të vendoset në çastet e fundit. Është dashur të gjenim një mënyrë si të triumfojmë dhe e bëmë këtë", ka thënë Wade.  


Chris Bosh shënoi 24 pikë, në ndeshjen e tij të parë qëkur tha se dëshiron të ketë më shumë gjuajtje. 
"Ne ishim shumë të përqendruar që të fitonim këtë ndeshje. Jam i lumtur që arritëm këtë", ka thënë Bosh. 
Miami i shkaktoi Lakersave humbjen e parë pas tetë fitoreve radhazi. 


Dwyane Wade ndihmoi Miamin me 20 pikë, ndërsa James shtoi 19 pikë, nëntë asistime e tetë kërcime.
Miami me fitoren e shënuar e siguroi biletën për në plejof, ndërsa kanë mbetur edhe 17 ndeshje pa përfunduar stinori i rregullt. Asnjëherë më parë Miami Heat nuk kishte siguruar kaq herët biletën për plejof. 


Mirëpo gjëja më me rëndësi të enjten mbrëma ishte që skuadra t'u kthehej fitoreve dhe këtë e arriti. 
"Ne nuk kemi dashur të dështonim sërish. Ne duam të bëhemi më të mirë. Duam të sigurohemi që loja jonë të jetë e nivelit më të lartë në momentin kur më së shumti ka vlerë", ka thënë trajneri i Miamit, Erik Spoelstra. 


Kobe Bryant me 24 pikë ishte shënuesi më i mirë për Lakersat, ndërsa Pau Gasol ka shtuar 20 pikë. Andrew Bynum kontriboi me 13 pikë e 12 kërcime. 
Bryanti në çastet vendimtare u ndal nga Wade. Së pari Wade i vodhi një top, ndërsa më pas bllokoi një tentativë për tri pikë të Bryantit. Trajneri i Lakersave, Phil Jackson, para ndeshjes kishte deklaruar se nuk pëlqen lojën që bën Miami. Mirëpo pas përfundimit të takimit ai përgëzoi skuadrën kundërshtare. 


"Ishte një ndeshje e mirë. Ata luajtën më mirë se ne. Mirëpo jam i bindur se do të takohemi sërish këtë stinor", ka thënë Jackson./kn 

Miami - LA Lakers    94:88
(Bosh 24 - Bryant 24)

Phoenix - Denver    97:116
(Gortat 14 - Nene 22)

Dallas - New York    127:109
(Nowitzki 23 - Stoudemire 36)
shko