e shtunë, 12 mars 2011

E kërkoi Messin, fiton suspendimin

Kryetari i një klubi të futbollit nga një fshat i Francës është suspenduar pasi kishte paraqitur kërkesë për të transferuar futbollistin më të mirë në botë, argjentinasin Lionel Messi.
Kërkesën kryetari i klubit amator e kishte paraqitur në Federatën e Futbollit të Francës, shkruajnë mediumet e huaja të premten.
 
Cedric Enjolras, kryetar i skuadrës FC Borne, që garon në Kategorinë e Dymbëdhjetë të Francës, muajin e kaluar ka dorëzuar një kërkesë formale për të transferuar yllin e Barcelonës. Enjolres e bëri këtë pasi kishte pirë shumë gjatë një nate që kaloi me shokët e tij. 
Kërkesa zyrtare e presidentit u ndalua nga Federata e Futbollit të Francës, që vendosi mos ta dërgojë atë te Barcelona. Skuadra vendosi që të suspendojë kryetarin Enjolras për gjashtë muaj, tre prej tyre me kusht. 


Kryetari i Komitetit të Federatës së Futbollit të Francës, Yves Begon, ka kuptuar se kërkesa ishte shaka, por ka thënë se "nuk mund të tolerohet një sjellje e tillë". 
Ekipi nga fshati francez që ka 400 banorë, luan në kategorinë e dytë të distriktit Haute-Loire. 
Messi ka shënuar më shumë se 40 gola për Barçën këtë stinor dhe dy herë rresht është shpallur lojtari më i mirë i botës nga FIFA. Të martën mbrëma ai shënoi dy gola në fitoren 3:1 të Barçës ndaj Arsenalit, duke siguruar kështu kalimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve./kn
shko