e martë, 12 prill 2011

Mustafa suspendohet përjetësisht për incidentin me Bambin

Basketbollisti i Trepçës, Safet Mustafa, është suspenduar përjetësisht nga basketbolli, pasi është vlerësuar si iniciatori kryesor i rrahjes masive që ndodhi fundjavën e shkuar në palestrën "Minatori" në Mitrovicë ndërmjet basketbollistëve të Bambit në njërën anë dhe të Trepçës e të disa tifozëve në anën tjetër.
Vendimi për suspendimin e Mustafës dhe për gjobitjen e disa protagonistëve të tjerë të kësaj ngjarjeje është marrë të martën nga komesari i garave i FBK-së, Hajrullah Rexhepi. Ne vendimin e komesarit thuhet se Mustafa dënimin e përjetshëm e ka marrë për sulm fizik me pasojë lëndimi ndaj lojtarit dhe kryetarit të klubit Bambi, Igor Dashiq.
Mustafa ka mbetur i befasuar me dënimin, që është më i rëndi i shqiptuar pas luftës për një basketbollist.
"Nuk di asgjë, askush nuk më ka informuar se janë shqiptuar dënimet. Mirëpo nëse jam dënuar përjetë mund të them se nuk e kam merituar një dënim kaq të rëndë. Ka pasur incidente të tjera më të rënda e që nuk janë dënuar kaq rëndë", tha Mustafa. Ai nuk e di se si do të shkojë e ardhmja e tij në këtë lojë./k.n
shko