e enjte, 16 shtator 2010

Ja kush u arrestua dje nga Eulex!


Të arrestuarit e djeshëm nën dyshimin për krim të organizuar janë dërguar sot në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Pritet që brenda pak orësh t’u caktohet masa paraprake.


Policia e EULEX-it ka arrestuar të mërkurën Idriz Ejupin nga Podujeva, Agim e Sali Beqajn nga Shtimja, Nazmi Kastratin nga Prishtina. Ndërsa në veri të Mitrovicës EULEX-i ka
shkuar për ta arrestuar Dimitrije Davidoviq, por nuk e kanë gjetur, pasi që ai gjendet në burg në Beograd që nga 19 maji 2010, kur u kap në Ternavc të Serbisë dhe iu gjetën 13 kilogramë heroinë së bashku me Milan Mirkoviq.
Të gjithë këta dyshohen për kontrabandë me naftë dhe kanë pasur lidhje me kontigjentin ukrainas të KFOR-it, nga të cilët janë furnizuar me naftë të vjedhur në bazën e tyre.
 EULEX-i ka arrestuar pesë persona dhe ka bastisur mbi dhjetë lokacione të ndryshme nëpër Kosovë me dyshimet për kontrabandë me derivate. Në kuadër të aksionit ndaj rastit që, sipas zyrtarëve të EULEX-it, dyshohet të jetë më i madhi i kontrabandës me naftë dhe benzinë, “Koha Ditore” merr vesh se janë bastisur pompa e benzinës “AS Graniti” në fshatin Belincë të Shtimes, me pronar Agime Beqën, “Alb Petrol” në Podujevë, me pronar Idriz Ejupin, pompa e benzinës “Onazis” në Prishtinë, me pronar vëllezërit Nazmi dhe Nexhmi Kastrati.
Të dyshuar në këtë rast janë edhe Adnan J., shtetas kosovar, si dhe Dimitrie D., qytetar serb i Kosovës nga Brezovica.
Biznesmenët dyshohen se në bashkëpunim me pjesëtarët ukrainas të KFOR-it kanë bërë kontrabandë me derivate të naftës dhe të benzinës, ndërsa mbi ta qëndrojnë edhe dyshimet mbi shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.
Burime brenda EULEX-it kanë shpjeguar se pjesëtarët e KFOR-it që dyshohen të kenë bashkëpunuar në kontrabandë janë nga Ukraina dhe ata janë kthyer në atdheun e tyre, ku edhe po e presim rezultatin e punës së EULEX-it.
Misioni i BE-së në aksionin e së mërkurës ka arrestuar pesë nga shtatë të dyshuarit kryesorë, ndërkaq dy të dyshuar të tjerë aktualisht gjenden jashtë Kosovës.
“Është njëri nga rastet më të mëdha të krimit të organizuar, konkretisht të kontrabandës me derivate. Ka shumë të implikuar në të”, i ka thënë gazetës një zyrtar i lartë ndërkombëtar.
Aksionet e bastisjeve dhe të arrestimeve janë bërë në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë.
Të arrestuarit e EULEX-it, gjatë kontrabandës me derivate, dyshohet të kenë kontrabanduar 3 milionë litra karburante. Kjo sasi ka hyrë në Kosovë brenda viteve 2008- 2009, me ndihmën e pjesëtarëve të KFOR-it. Thuhet se tërë sasia e naftës është derdhur në rezervuarët e kompanisë "Alb Petrol" me pronar Idriz Ejupin, i cili është njëri prej pesë të arrestuarve të djeshëm nga policia e EULEX-it.
Vlera e përgjithshme e kësaj kontrabande, sipas përllogaritjeve të hetuesve të EULEX-it dhe gjetjeve të tyre, është rreth 1.5 milion euro. / Koha
shko