Në xhiron e 7-të të Raiffeisen Superligës në futboll, futbollistët e Besës kanë shënuar katër gola në 25 minutat e parë të përballjes me Ferizajn, për të paralajmëruar një dërrmim të skuadrës kundërshtare. Ndeshja u mbyll me rezultatin 7:0 për ekipin pejan, që është fitorja me e thellë këtë edicion në Superligë.
Golat për Besën i shënuan Fetim Kasapi (3', 78'), Bernard Berisha (5'), Krenar Vokshi (13'), Blerim Hysenlekaj (25'), Haxhi Zeka (53') dhe Mensur Duraku (56').
Në Prishtinë, ndërkaq, skuadra vendëse e Prishtinës krijoi disa raste shënimi, por nuk arriti të konkretizonte asnjërin prej tyre dhe mori vetëm një pikë, aq sa edhe Drenica, e cila nuk krijoi asnjë rast gjatë gjithë ndeshjes. Me këtë barazim Prishtina bie në pozitën e dytë me 14 pikë të tubuara sa ka edhe liderja e klasifikimit KEK-u.
Skuadra e Hysit nuk ia doli të korrë fitore kundër Trepçës, ndonëse pas një ore lojë avancoi 2:0. pas golave të Mentor Zhdrellës dhe të autogolit të Sermaxhajt, skuadra kampione mori veten dhe me dy gola doli e pamposhtur nga Merdari. Florent Sejdiu dhe Afrim Mziu shënuan për Trepçën.
Në Gjakovë, mesfushori Atdhe Gashi, me një gol të realizuar nga gjuajtja e lirë në minutën e 60-të, ia siguroi Vëllaznimit tri pikë të vlefshme nga dueli i së dielës me Ballkanin (2:1). Golin e parë e shënoi Ballkani me anë të Denis Isait, kuse për Vëllaznimin barazoi Emir Nikoliqi. Për Vëllaznimin kjo ishte fitorja e dytë këtë edicion. Vëllaznimi gjendet në pozitën e dhjetë me shtatë pikë.