Këtë herë bëhet fjalë për një anije pa pilot, që do të telekomandohet nga një anije më e vogël, e cila do të jetë pranë së madhes.
Dhe ajo vetë do të mbështetet në ndihmën që do t’i japë Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar. E gjithë kjo ndërmarrje deri dje dukej një fantazi shkencore me një probabilitet shumë të vogël për t’u bërë realitet, por ja që kohët dhe teknologjia ndryshojnë me shpejtësi dhe kjo bën të mundur edhe ndryshimin e planeve dhe perspektivave të ndryshme.
“Gara drejt Hënës nuk ka marrë fund dhe ne jemi të bindur që Europa mund të shndërrohet në kontinentin e parë që do të çojë në Hënë satelitin e parë, objektivi i të cilit do të jetë një qëndrim relativisht i gjatë”, thotë një nga drejtuesit e objektit hënor në Agjencinë Europiane. Dhe për këtë qëllim kanë vendosur që të marrin masa konkrete, domethënë masa financiare. Bëhet fjalë për një fond të vlerës 6.5 milionë euro, i cili do të pasohet nga këste të tjera në kohën e duhur. Ndërkohë, plani konkret ndodhet dhe po përpunohet në studion e Agjencisë Europiane dhe në duart e teknikëve e inxhinierëve të saj. Pra kemi të bëjmë me një revolucion të vërtetë, edhe pse me afate pak të zgjatura.
Deri më tani, Agjencia Hapësinore Europiane nuk kishte ndërmarrë asnjë lloj misioni të një përmase dhe ambicieje të tillë. Gjërat pak a shumë do të funksionojnë në mënyrë të tillë. Anija që do të transportojë sondën do të duhet që fillimisht të shkojë në orbitën e Tokës. Nisja do të bëhet nga baza e Guinesë franceze. Plani është i tëri i hedhur në letër dhe në një stad shumë të avancuar. Misioni duhet që të kryhet gjatë harkut kohor 2016-2018. Ideja është që sonda europiane të përfundojë në tokën e Hënës për një kohë relativisht të gjatë, edhe pse këtë herë nuk do të ketë njerëz të pranishëm në këtë zbritje, pra nuk mund të flasim aspak për një faktor emocional në këtë rast. Dhe si pasojë nuk do të ketë as fotografi nga ato që bënë astronautët e “Apollo 11” me rastin e zbritjes së njeriut të parë në Hënë.
Brenda sondës ndodhet një pajisje e posaçme eksploruese, e cila do të mbajë mbi vete flamurin blu me yje të Bashkimit Europian. Qëllimi i qëndrimit të sondës në Hënë do të jetë ai i eksplorimit të tokës dhe të kushteve të ndryshme atmosferike të saj. Të gjitha të dhënat do të japin një informacion shumë të hollësishëm mbi një tërësi elementesh ekzistenciale të planetit dhe jo vetëm për Hënën, por edhe për Tokën dhe madje për të gjithë sistemin tonë diellor. Sepse këtë herë kërkimet bëhen nga një tjetër këndvështrim, ai hënor dhe, sipas shkencëtarëve, edhe surprizat do të jenë të mëdha.
Kur e rrëfen një mision të tillë me fjalë duket si diçka shumë e thjeshtë dhe lehtësisht e realizueshme, por në fakt bëhet fjalë për një mision mjaft kompleks dhe të ndërlikuar, që do të bëjë bashkë një tërësi faktorësh dhe komponentësh. Gjithashtu duket një mision që krahasuar me atë të “Apollo 11” është shumë më i vogël në përmasa dhe ndikim në historinë njerëzore e atë shkencore. Por në fakt bëhet fjalë për një sfidë teknologjike shumë të vështirë dhe mbi të gjitha ky mision do të jetë një provë dhe një pikënisje edhe për misionet e ardhshme jo vetëm europiane, por edhe ato botërore në hapësirë. Sipas drejtorit të projektit, gjëja më e vështirë është zhvillimi i teknologjive të sigurta dhe afatgjata që operojnë në kushtet e një planeti, apo trupi tjetër qiellor. Një pajisje që ulet në Hënë duhet së paku dhe në radhë të parë të jetë në gjendje që të përcaktojë me hollësi relievin e vendit ku do të zbarkojë, apo do të operojë dhe kjo kërkon një teknologji shumë të përparuar.
Ndërkaq, puna është bërë shumë intensive në Qendrën Hapësinore Europiane, që po çon përpara projektin më të rëndësishëm të saj dhe kjo po bëhet përmes shumë provave të ndryshme dhe simulimeve të kushteve hënore nga Toka. Pyetja që shumë njerëz bëjnë në fakt, është se përse në vend që të shkojnë në Hënë, ku kanë qenë një herë, shkencëtarët nuk vendosin që të ndërmarrin një mision që këtë herë të eksplorojë Marsin? Sipas specialistëve, duhet theksuar se ky mision hënor do të bëhet në një zonë që nuk është eksploruar më parë, që do të thotë se nuk bëhet fjalë për një përsëritje misionesh, por për një risi. Bëhet fjalë për Polin e Jugut të satelitit, që është me shumë interes për sa u përket misioneve të ardhshme njerëzore që do të ndërmerren në Hënë. Kjo, sepse pikërisht zona në fjalë është e pasur në rezerva potencialisht të nevojshme, si për shembull, thuhet se në këtë pjesë mund të ketë ujë. Por mbi të gjitha Hëna është zgjedhur si objektivi i misionit të agjencisë edhe për arsyen se ajo është më lehtësisht e arritshme nga Toka me teknologjinë ekzistente, ndërsa objektivi më i largët do të kërkonte shumë më tepër impenjim dhe kohë për t’u realizuar.Organizatorja dhe realizuesja e kësaj ëndrre hënore është Agjencia Europiane e Hapësirës, ESA, e cila është e vendosur për ta shndërruar vizionin e saj në një realitet dhe në një kohë sa më të shpejtë. Madje europianët në këtë rast duan që pse jo të tejkalojnë edhe vetë amerikanët në garën për të arritur Hënën dhe sigurisht edhe faktorin më të ri, por gjithashtu të fuqishëm hapësinor, Kinën.