e diel, 19 shtator 2010

“Për famë dhe sukses do të kisha vrarë këdo”

Në dëshminë e fundit dhënë para gjykatësve, Mark Champan, njeriu që vrau një prej muzikantëve më të mëdhenj të epokës sonë, i ndryshoi sërish arsyet që e kishin shtyrë për të vrarë John Lennon:

“Nuk isha fans i tij, por ai ishte një objektiv më i arritshëm për mua. Do të kisha vrarë këdo. Nëse nuk do të kishte qenë Lennon do të kishte qenë një tjetër. Kisha në mendje edhe të tjerë, si Liz Taylor, Johnny Carson, por zgjodha Lennon, sepse ishte një objektiv më i arritshëm për mua”. Këto janë fjalët e Mark Champan, njeriu që 30 vjet më parë vrau John Lennon, të thëna në gjykatë për të marrë lirimin me kusht.

Zëri i brendshëm
Disa vjet më parë, kanali NBC në Shtetet e Bashkuara të Amerikës transmetoi një intervistë të re të Mark Chapman, në të cilën u shpreh se vendimin për vrasjen e muzikantit e kishte marrë nën shtytjen e një "zëri" të brendshëm: "Asgjë dhe askush nuk do të më ndalonte, tregoi. Ishte diçka e ngjashme me përkushtimin që kishin kalorësit e bardhë, kryqtarët. Isha në shtëpinë time, i ulur mbi tapet, këmbëkryq me një album të tijin në dorë. I thashë vetes: Po sikur ta vras? Më kujtohet se mendoja që do të mund ta gjeja identitetin vetëm në rast se vrisja John Lennon... E dija që kishte ardhur dita, çasti i duhur. Papritmas në ‘Central Park West’ pashë një limuzinë të afrohej. E dija që ishte ai. Pata këtë ndjesi të pabesueshme. Makina e John Lennon ndali në anë të rrugës. Dëgjova një zë në kokë që më thoshte: Bëje! Bëje! Bëje! Ndërsa më kaloi pranë, nxora armën, mora në shenjë shpinën e tij dhe tërhoqa këmbëzën pesë herë. Të kuptohemi, as që më shkonte nëpër mend se po bëja diçka mizore. Mendova se ishte diçka krejt e drejtë".

Rrëfimi i Yoko-s

"Po ktheheshim nga studioja e regjistrimit dhe i thashë: Dalim të hamë darkë përpara se të shkojmë në shtëpi? Dhe John tha: Jo, shkojmë në shtëpi se dua të shoh djalin (Sean) përpara se ta zërë gjumi. Dukej sikur nuk donte në asnjë mënyrë të kthehej në shtëpi pasi djalin ta kishte zënë gjumi. Një gjë e tillë e shqetësonte". Këto fjalë i tregon 77-vjeçarja Yoko Ono, bashkëshortja e John Lennon, në një emision radiofonik i famshëm në Britani. Ajo vazhdoi duke treguar se pas të shtënave nuk kishte dëgjuar asnjë fjalë nga i shoqi. Në rast se do të ishte gjallë, sot John Lennon do të ishte 70 vjeç dhe me shumë gjasa do t‘i kishte dhuruar muzikës botërore perla të tjera të përmasave të "Imagine", e vlerësuar si kënga e shekullit nga shumica e sondazheve të kryera gjatë mijëvjeçarit të ri. Por 30 vitet e fundit kanë rrjedhur pa të, pa muzikën e tij, pa zemërimin e tij, pa fantazinë e tij. Mbrëmjen e 8 dhjetorit të vitit 1980 u vra në Nju Jork nga Mark Chapman, i çmenduri që pak orë më parë i kishte kërkuar t‘i hidhte një autograf mbi diskun e tij të fundit të sapopublikuar, "Double Fantasy". E pret më pas për gjashtë orë. Kur në orën 22.40 e sheh të afrohet bashkë me Yoko Ono, nga e cila nuk ndahej për asnjë çast, dhe e qëllon pas shpine. Pesë të shtëna për t‘i dhënë fund makthit të tij dhe jetës së një prej muzikantëve më të mëdhenj të epokës sonë.Sigurisht që rrëfimet e tij nuk mund të konsiderohen shumë të sakta, pasi ai vetë më parë kishte deklaruar se kishte pasur në konsideratë emra të tjerë akoma edhe më të rëndësishëm se të parët, mes të cilëve Jackie Obnassis, një tjetër pjesëtar i grupit “Beatles”, Paul McCartney, aktori George Scott, guvernatori i atëhershëm i ishujve Hawai, George Ariyoshi, madje edhe vetë Presidentin Regan. E ndërsa në të kaluarën kishte deklaruar se ishte i fiksuar pas Lenonn, kësaj here deklaroi se “nuk kishte asnjë motiv personal që fshihej pas kësaj zgjedhjeje. Vrasja u bë thjesht sepse ishte i famshëm, dhe se ky veprim do më kishte bërë njeri të famshëm. Kisha dëgjuar se nëse vrisja Lenonn do të isha bërë dikush. E në të vërtetë u shndërrova në një vrasës dhe vrasësit nuk janë njerëz që pranohen nga shoqëria. Me pak fjalë nuk u bëra askush”. Gjykatësit e Nju Jorkut vendosën disa ditë më parë, që Champan do të qëndrojë akoma në burg, duke i mohuar kështu të drejtën për t’u liruar me kusht për të gjashtën herë. As kësaj here nuk i bindi. Por Champan e tregoi edhe njëherë të vërtetën e tij mbi vrasjen e ish-pjesëtarit të “Beatles”. Zgjedhja për të vrarë Lenonn u bë nga motive praktike: “E gjeta me lehtësi ku banonte. Shkova e pashë dhe kuptova se nuk ishte i paarritshëm si të tjerët”. Bleu një pistoletë dhe shkoi në Nju Jork. Qëllimi ishte të vriste Lenonn në tetor apo nëntor, por humbi kohë për të gjetur “plumba specialë të kalibrit 38”. “Kur mbërrita në Nju Jork mora në telefon gruan time dhe duke qarë i tregova se çfarë doja të bëja. Duke folur me të ndryshova mendim. Dashuria e saj më kishte shpëtuar, vendosa të kthehesha në shtëpi”. U ktheva nga Hawai, por pas disa javësh Champan nisi të mendojë për vrasjen. “Nuk mund të ndalja. U nisa në datën 6 dhjetor dhe në 8 kreva vrasjen”. Pasi kishte gjuajtur Lenonn, Champan, në atë kohë 25 vjeç, u arrestua pa bërë asnjë rezistencë. U shpall fajtor, u dënua për vrasje të shkallës së dytë me mundësinë për të kërkuar lirimin me kusht pas 20 vjetësh. Yoko Ono gjithmonë është shprehur negativisht për lirimin e tij, dhe Chapman nuk arriti kurrë t’i bindë gjykatësit. “Para se të përfundoja në burg, duke menduar për atë që isha, edhe unë do të kisha thënë: lëreni të qëndrojë brenda. Por pas 30 vjetësh kam ndryshuar mendim. Kush është jashtë ka të drejtë që mendon se unë duhet të vazhdoj të qëndroj akoma në burg”.
shko