e diel, 19 shtator 2010

Jeta e nje modeleje

Përtej shkëlqimit, luksit dhe famës që kanë modelet dhe supermodelet e botës së modës dhe që është ana e dukshme e këtij profesioni, ka një tjetër realitet. Zakonisht gjatë javëve të modës vajzat e reja kanë një axhendë shumë të ngjeshur, që ndonjëherë kalon edhe përmasat e normales, për shkak të impenjimeve të shumta dhe punëve të mëdha që u duhet t’i kryejnë brenda një kohe të shkurtër. Dhe më e vështira është që të jesh gjithmonë në formë të mirë. Kjo modele është 19-vjeçarja Markey nga Florida, e cila e nisi karrierën këtë vit për të fituar para për studimet e saj. Por, edhe pse ka një karrierë shumë të shkurtër, vetëm prej 6 muajsh, ajo ka arritur të shndërrohet në një modele shumë të kërkuar.




Në vigjilje të javës së modës së lartë në Nju Jork, ajo duhet që të kryejë shumë punë njëherazi. Për shembull, duhet të rendë nëpër stilistë për të parë se cila do të jetë veshja që i shkon më shumë për shtat. Është një proces relativisht i gjatë dhe që ha shumë kohë.
Pjesa më e madhe e sfilatave bëhet në qendër të qyteteve të mëdha, çka do të thotë se një kohë të mirë të ditës ta ha transporti. E ndërsa je duke rrugëtuar për në vendin e provave, të duhet që të kryesh shumë punë përmes celularit. Por modelja jonë ndërkohë gjen edhe disa momente të lira për të folur me mamanë e saj.
19-vjeçarja është një modele me të vërtetë e mirë dhe të jesh modele e mirë do të thotë në radhë të parë të dish t’u përshtatesh stileve dhe ngjyrave të ndryshme. Pra, me pak fjalë duhet që të jesh një kameleon i vërtetë. Jo të gjitha e kanë këtë atësi. Zakonisht njerëzit janë të ndarë për stile të caktuara dhe të jesh një modele shumëdimensionale është një gjë e rrallë dhe fort e kërkuar nga agjencitë e modës. Të jesh modele do të thotë të reklamosh me stil të veçantë veshjen, pra do të thotë që veç trupit të kesh edhe një mendje të bukur.
Modelet zgjidhen në bazë të rrezatimit që ato kanë, për shembull nëse janë seksi mjaftueshëm, apo nëse kanë cilësi të tjera ndjellëse. Edhe pse modelet janë të gjitha të pajisura me një bukuri magjepsëse, janë stilistët dhe artistët e grimit ata që i bëjnë të duken edhe më të mrekullueshme dhe të rralla në pasarela.
Por edhe modelet, pavarësisht se janë tepër elegante dhe e bazojnë punën e tyre në peshën shumë të lehtë trupore, hanë. Zakonisht kjo ndodh në prapaskenat e pasarelave, kur gjejnë ndonjë moment të lirë për të ngrënë me shpejtësi ndonjë sallatë të lehtë.
Secila nga veshjet është e pasqyruar dhe e organizuar në mënyrë të tillë, që gjithçka të jetë shumë e qartë për modelen dhe regjisorin e sfilatës. Modelet zakonisht kanë një veshje gjatë gjithë shfaqjes, por ka edhe raste kur i duhet të ndryshojnë dy veshje dhe mënyra grimi. Në këtë rast kërkohet një disiplinë e madhe.
Pavarësisht momenteve shumë të zëna me punë, edhe modelet kanë çastet e çlodhjes pas skene, gjatë të cilave mund të bëjnë ndonjë telefonatë, të pinë ndonjë kola, apo të bëjnë ndonjë bisedë.
Kjo është renditja e tyre pak çaste para daljes në sfilatë. Të gjitha tashmë janë bërë gati dhe presin shenjën për të ecur para të pranishmëve.
Dhe ja më në fund skena. Dita e punës së një modeleje është e gjatë, e lodhshme, por sigurisht edhe shpërblyese financiarisht.
shko