Politika italiane nuk prodhon kurrë fenomene revolucionarizuese. Berluskoni, lideri i qeverisë është një 74-vjeçar i cili ndodhet në mandatin e tij të tretë si Kryeministër i vendit. Edhe politikanët e tjerë janë po ata që kanë zotëruar skenën politike të 20 viteve të fundit. Riciklohen vazhdimisht pa sjellë asgjë të re. Për shumë të rinj italianë vendi ndodhet i ngërthyer në një rreth vicioz. Ekonomia vazhdon që të jetë në rënie të lirë dhe kjo do të ndodhë për sa kohë që vendi me politikën e tij do të vazhdojë që të përjashtojë rininë e vendit nga mundësitë e punësimit dhe të dhënies së kontributit në shtëpi.
Silvia Sartori, 31 vjeçe. Pozicioni: Menaxhere. Vendndodhja: Shangai. Arsyeja e largimit: Pasi ka kaluar katër vjet në Kinë, ajo është kthyer në Trevizo dhe ka kaluar një vit të tërë në kërkim të punës. Ka gjetur pak mundësi punësimi për një profesioniste si ajo në Itali dhe më pas ka vendosur, edhe pse me keqardhje, që të rikthehet në Kinë. Në këtë vend drejton një projekt 3 milionë dollarësh, që ka të bëjë me konstruksionin ekologjik, një projekt i financuar nga Komisioni Europian.
Në një letër të hapur drejtuar të birit, e publikuar nëntorin e kaluar, Pier Luigi Celi, drejtori i përgjithshëm i Universitetit roman të Luiss, ka shkruar ndër të tjera: “Italia nuk është më një vend në të cilin mund të vazhdosh që të qëndrosh me krenari ... ndaj me zemrën që më dhemb më shumë se kurrë, të këshilloj që me të mbaruar studimet, të marrësh rrugën për jashtë shtetit. Zgjidh një vend të denjë, në të cilin ende vlerësohen virtyte të tilla si ndershmëria, respekti dhe njohja e meritave”.Është një letër e cila u botua në të përditshmen italiane “La Repubblica”, e cila zgjoi shumë debate dhe diskutime. Celi në këtë letër, në fakt, artikuloi shqetësimin dhe realitetin më të madh të brezit të ri, atë se shpresat më të mëdha për sukses profesional nuk ndodhen brenda, por jashtë vendit. Vitet e fundit është vënë re një ikje gjithnjë e më e madhe të sapodiplomuarve nga Italia në kërkim të oportuniteteve më të mira dhe më të denja për vënien në jetë të shkollimit të tyre. Analistët druhen se në këtë mënyrë, vendi është duke humbur vlera shumë të mëdha që nëse do të shfrytëzoheshin brenda vendit, do të sillnin dobi të madhe për mirëqenien e tij. Tashmë tendenca e ditës është ikja dhe aspak ardhja e “trurit”. Motivet, arsyet e atyre që janë larguar dhe largohen nga vendi në kërkim të një fati më të mirë nuk kanë ndryshuar shumë nga motivet e valës së fundit të emigrantëve italianë, që lanë vendin një shekull më parë, edhe ata në kërkim të realiteteve më të mira dhe një jete të re larg një Italie që nuk u jepte më asgjë. Por këtë herë, në vend të fshatarëve dhe fermerëve nga vendi po largohet inteligjenca, pjesa më e mirë dhe më e re e saj. Dhe kjo për shkak të ngrirjes që prej një dekade të rritjes ekonomike, stanjacionit, ngrirjes së tregut të punës dhe përhapjes së korrupsionit dhe nepotizmit në shkallë të gjerë. Për pjesën më të madhe të personave të talentuar të Italisë, mundësitë janë tashmë jashtë vendit dhe vetë Italia ka dalë jashtë liste.
Le të marrim për shembull rastin e Luca Vigiliero, 31 vjeç, arkitekt. Pasi është diplomuar në Universitetin e Xhenovas në vitin 2006 dhe pas një kërkimi të gjatë për të gjetur një punë të kënaqshme në Itali, ai u zhvendos në Roterdam në Holandës për të punuar në një studio arkitektësh dhe më pas shkoi në Dubai në një tjetër studio, ku gjeti një punë dhe pagë të kënaqshme. Në Itali, CV-ja e tij nuk ngjalli asnjë interes në tregun e punës, ndërsa në Dubai u promovua menjëherë si një arkitekt i zoti. Aktualisht ai drejton një ekip me shtatë persona. “Jam duke punuar për projekte muzesh, vilash, qendrash kulturore, pra masterplane. Kam një karrierë”, thotë Luca. Me vendin e ri të punës dhe të ardhura të mjaftueshme, ai dhe e shoqja kanë sjellë në jetë një fëmijë, djalin e tyre të parë dhe Luca shprehet se, nëse do të kishin vazhduar që të qëndronin në Itali, nuk do të kishin pasur mundësinë që të sillnin në jetë fëmijën, sepse aty në punët që ai kishte bërë, pagesa ishte shumë e vogël dhe e pamjaftueshme. “Të gjithë miqtë e mi, të cilët janë në Itali nuk janë martuar sepse nuk e përballojnë dot një jetë familjare. Një pjesë e madhe e tyre vazhdon që të jetojë me prindërit. Ata kanë një punë bazë, por jo një punë të denjë dhe jo një të ardhme të mirë”, shprehet Luca. Për të jashtë vendit gjithçka është më sfiduese dhe më në lëvizje. “Çdo vit, kur je i punësuar jashtë ndodh diçka e re, një sfidë e re, një promovim i ri. Gjërat lëvizin shpejt dhe kanë shumë dinamikë në sektorin ku unë punoj dhe kjo më sjell kënaqësi të madhe profesionale dhe para”, vazhdon Luca.
Por duket se Italia nuk është shumë e shqetësuar për numrin e profesionistëve të rinj që lënë vendin për të gjetur fatin jashtë dhe tashmë është shtuar numri i anekdotave për këtë fenomen që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Numri i italianëve nga mosha 25 deri në moshën 39-vjeçare, me diploma të marra në Itali, por me vende pune dhe qëndrimi jashtë shtetit është rritur jashtëzakonisht dhjetëvjeçarin e fundit. Instituti i Sondazheve Censi vlerëson se në vitin 2006, 11.700 studentë që kishin mbaruar Universitetin në Itali kanë gjetur punë jashtë vendit. E thënë ndryshe, 1 në 25 italianë të diplomuar atë vit. Sipas një sondazhi të bërë nga një agjenci rekrutimesh në Milano, 33.6% e të diplomuarve të rinj e ndiejnë se duhet që të lënë vendin për të marrë atë që u takon me profesionin që kanë. Dhe nuk është e vështirë të shohësh se përse ndodh kjo. Problemet e mëdha ekonomike me të cilat prej vitesh përballet Italia, kanë rënë mbi supet e rinisë së vendit. Sipas shifrave të publikuara në muajin maj nga Instituti Kombëtar i Statistikave, 30% e italianëve të moshës 30 deri 34 vjeç ende jetojmë me prindërit, tre herë më shumë se në vitin 1983. Një në pesë të rinj italianë të moshës nga 15 deri në 29 vjeç është tërhequr nga aktivitetet kryesore të moshës, pra nga shkolla, trajnimet, puna. Sipas drejtorit të sipërpërmendur të universitetit, “një brez i tërë në Itali po dënohet me vajtjen në gropën e zezë”.
Italianët, me një shkollim të lartë, shpesh gjejnë punë në “të zezë” ose në ekonominë informale, duke bërë të gjitha llojet e punëve, ndërsa të diplomuarit, ose më mirë ata që kanë aspirata më të larta, e kanë shumë më të vështirë që të kërkojnë dhe gjejnë punën për të cilën kanë marrë arsimin përkatës. Papunësia në të diplomuarit e kolegjeve italiane varion nga 25 deri në 29% dhe është 14% më e madhe se dyfishi i vendeve në pjesën tjetër të Europës dhe shumë më e lartë krahasuar me të rinjtë që nuk janë kaq të shkolluar.
Italianët kanë gjetur fjalën e tyre për këtë problem: gjerontokraci, ose sundim nga “pleqtë”. Një pjesë e madhe e ekonomisë së vendit ndodhet nën pushtetin dhe drejtimin e njerëzve që kanë një moshë relativisht të madhe dhe e kanë grumbulluar pushtetin rreth tyre. Ndërkohë që në vend shpenzohet shumë pak për papunësinë, apo kujdesin për fëmijët, për sa i përket pensioneve, Italia është një ndër vendet me pensionet më të larta në Europë. Kjo mungesë balance shtrihet edhe në sektorin privat, ku një kulturë e rrënjosur thellë ka bërë që të gjithë punëdhënësit të mos jenë aspak në favor të të rinjve, por të synojnë që të mbajnë dhe të shtojnë në punësimin e tyre të “moçmit”. Italia ka vuajtur gjithmonë nga një sistem shumë hierarkik me të rinjtë që kanë qenë gjithmonë në pritje për të marrë vendet e merituara. Në Itali nuk të marrin në konsideratë bazuar në CV-në tënde apo aftësitë që ke, por bazuar mbi moshën. Ky sistem ka funksionuar për sa kohë që ekonomia ishte në një fazë rritjeje dhe kishte shumë oportunitete për t’u punësuar. Por me afrimin e viteve të vështira ekonomike, edhe tregu i punës u tkurr në maksimum. Edhe futja në disa profesione është bërë shumë vështirë si për shembull profesioni i noterit e profesione të tjera, të cilat kanë filluar madje edhe të lihen trashëgim brenda familjes. Në një vend ku suksesi ndërtohet në marrëdhëniet personale dhe bazuar te mosha e jo tek aftësia, vetëm miqtë dhe të afërmit e elitës kanë mundësi që të punësohen dhe të gëzojnë mirëqenie nga punësimi i tyre. Ndërsa për pjesën tjetër të popullsisë, vendet e punës janë shumë të pakta dhe të këqija dhe pa asnjë lloj profesionalizmi dhe përgjegjësie. Një italian me një master në vendin e tij fiton 58% të asaj që duhet të fitonte po të ishte jashtë shtetit. Të gjithë të rinjtë mendojnë pa përjashtim se është shumë më e lehtë që të ecësh përpara në profesion dhe të jesh i suksesshëm jashtë Italisë, për shembull në Shtetet e Bashkuara ku njerëzit nuk merren në punë në bazë të nepotizmit, por në bazë të aftësisë që tregojnë në një punë të caktuar. Por gjithsesi nuk është vetëm një pagesë më e mirë ajo që i bën për vete emigrantët italianë që të lënë vendin. Është edhe mundësia që kanë për t’iu shmangur vendeve të punës që janë të mërzitshme dhe monotone që nuk të ofrojnë sfida për të avancuar në karrierë. Kësisoj italianët nuk i kthejnë sytë më drejt vendit të tyre dhe drejt shtetit, i cili është gjithashtu i mefshtë dhe nuk ofron zgjidhje. Koalicioni në pushtet është shumë i zënë për të vendosur balancën mes forcave të tij përbërëse dhe nuk ka shumë kohë të merret me problemet e njerëzve. Italianët prej kohësh varen nga një qeveri sklerotike që mund të rrëzohet nga momenti në moment me liderët e saj që e kanë më shumë hallin se si të pozicionohen për zgjedhjet e ardhshme. Politika italiane nuk prodhon kurrë fenomene revolucionarizuese. Berluskoni, lideri i qeverisë është një 74-vjeçar i cili ndodhet në mandatin e tij të tretë si Kryeministër i vendit. Edhe politikanët e tjerë janë po ata që kanë zotëruar skenën politike të 20 viteve të fundit. Riciklohen vazhdimisht pa sjellë asgjë të re. Për shumë të rinj italianë vendi ndodhet i ngërthyer në një rreth vicioz. Ekonomia vazhdon që të jetë në rënie të lirë dhe kjo do të ndodhë për sa kohë që vendi me politikën e tij do të vazhdojë që të përjashtojë rininë e vendit nga mundësitë e punësimit dhe të dhënies së kontributit në shtëpi.
